A mos dikush nuk e do në SPAK prokurorin Anton Martini?

Apr 1, 2021 | 8:58
SHPËRNDAJE

Prec-Zogaj

PREÇ ZOGAJ

Dje u bashkova me grupin numerikisht modest të gazetarëve, që ndoqën në monitor në Kolegjin Posaçëm të Ankimit shqyrtimin e ankimimit që ka bërë Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, kundër kualifikimit nga Komisioni i Vetingut katërmbëdhjetë muaj më parë të prokurorit Anton Martini, kandidat për anëtar i SPAK.

Jam një mbështetës konstant i Reformës në Drejtësi, i përpjekjeve për ngritjen e institucioneve të reja të saj.

Kam kritikuar disa vonesa për kompletimin e SPAK-ut dhe në këtë kontekst më ka tërhequr vëmendjen kalvari i kandidatit Anton Martini, i cili ishte renditur në pesëshen e parë të kandidatëve të përzgjedhur nga KLP në bazë të vlerësimit të tyre profesional dhe të integritetit.

Përzgjedhja e tij, sikurse e disa të tjerëve, ishte një ogur i mirë për drejtësinë e re në kantier. Mjafton të kujtojmë se prokurori Anton Martini është në mbrojtje të vazhduar policore që nga viti 2008 e deri sot për shkak të dënimeve që ka kërkuar kundër bandave nga më të rrezikshmet në vend dhe kërcënimeve që ka marrë nga të dënuarit e kësaj sëre, që lirohen tinëzish e poshtërsisht nga një sistem i korruptuar.

Martini mund të jetë ndër të paktët prokurorë në kushtet e dhënies së një mbrojtjeje kaq të gjatë nga Policia. Ky fakt flet shumë për statusin e tij. Jam informuar se ndër gjashtë çmimet ndërkombëtare që ka marrë Shqipëria për operacione të suksesshme kundër krimit të organizuar, në pesë prej tyre ka vënë emrin e tij si prokuror Anton Martini. Ai ka certifikatë sigurie të lëshuar nga DSIK.

Pavarësisht këtyre rekordeve të mira, që tregojnë një përfaqësues të pastër e të pakompromis të ligjit, kandidatura e tij u la si në listë të pakuptueshme pritjeje. Më në fund, në janar të vitit 2020, Martini kaloi me sukses sitën e imët të vetingut. Shtypi e njoftoi gjerësisht kualifikimin e tij, s’mbeti njeri i interesuar pa e marrë vesh. Dy muaj më vonë, më 24 mars, vendimi për kualifikimin e tij u botua online në faqen e KPK-së dhe iu vu në dispozicion me email palëve të interesuara.

Komisionerit Publik iu deshën të kalonin dy muaj e gjysmë të tjerë ta ankimonte këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelit. I takon këtij Kolegji të gjykojë në lidhje me shkeljen e afateve ligjore të ankimimit.

Por, duke dëgjuar dje disa pjese të seancës, nuk mund të mos habiteshe që zyrtari më i interesuar i shtetit e paska marrë vesh i fundit vendimin e kualifikimit të Martinit. Në bazë të ankimimit, Martini duhet të justifikojë para Kolegjit të Apelit, siç ka bërë në Komisionin e Vetingut, pagesën e apartamentit 97 metra katrorë që ka me të shoqen dhe fëmijët nga viti 2017.

Dje morën vesh se ishte martuar në shtëpi me qira dhe kishte lindur e rritur fëmijët po në shtëpi me qira, fakt lehtësisht i verifikueshëm. Dje morën vesh gjithashtu se ka marrë një kredi të butë nga shteti dhe një kredi nga një bankë private për të paguar apartamentin.

Ai vazhdon t’i shlyejë këto dy kredi, që së bashku shkojnë mbi 100 milionë lekë. Nuk ka pasur e nuk ka kontestime për këtë shumë të dokumentuar. Komisioni i Vetingut është bindur me prova edhe për burimin e ligjshëm të sasisë së vogël të parave, me të cilat është plotësuar çmimi i përgjithshëm i apartamentit me garazh.

Pretendimet e Komisionerit Publik lidhen me këtë shumë të vogël. Ai nuk i ka gjendur bindëse verifikimet e imta të Komisionit të Vetingut. Me sa kuptuam, bëhet fjalë për pagesën e garazhit, për pesë mijë euro, diçka e tillë. Martini tregoi sërish burimin e kësaj shume.

Ai shtoi se përgjatë kohës në llogarinë e tij kishin ardhur nga Londra pagesa të njëpasnjëshme, të verifikueshme, të dërguara nga i vëllai emigrant, për të ndërtuar një shtëpi për babanë e tyre.

Pra, po të kishte pasur nevojë për “justifikime” e “mbulime”, kishte pasur në dispozicion shumë më shumë se pesë mijë apo dhjetë mijë euro. Është Kolegji i Apelit që do të gjykojë e japë verdiktin. Dje, tek largoheshim nga seanca, po diskutonim me disa kolegë.

A nuk mund të ketë në Shqipëri një prokuror me mbi njëzet vjet karrierë dhe me bashkëshortin mësuese një apartament 97 metra katrorë për vete dhe familjen, të blerë pothuajse 95 për qind me kredi? Nëse nuk mund të këtë, turp për shtetin, turp për ekonominë, turp për demokracinë e Shqipërisë, turp për këdo që e heton me psikologjinë e numërimit të kafshatave.

A mos dikush po kërkon me çdo kusht qimen në qull për një prej prokurorëve me korrektë e më të ndershëm të Shqipërisë, me rekorde të njohura në përballjen me bandat dhe krimin, me mbrojtje policore të vazhduar për këtë shkak, me zero kontakte me kriminelët, pa kontakte me asnjë krah të politikës?

A mos bash për këtë shkak dikush nuk e do në SPAK Anton Martinin? A janë të sensibilizuar përfaqësuesit e OMN-në, të SHBA dhe BE-së në Tiranë për kalvarin e tij? Këto po thoshim të gjithë.

Ndërsa një koleg që ka njohuri më shumë se unë për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i ra shkurt: “Në qoftë se ndalohet Anton Martini, ta mbyllin drejtësinë. Sepse nuk ka kush kalon”, tha me hidhësi.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura