‘A ma kthen 700 mijëshen që më vodhe?’, rrëfehet autori që vrau me thikë në zemër fqinjin: Nuk doja, por…

Aug 31, 2018 | 18:23
SHPËRNDAJE

SENAD NIKSHIQI/ Vrau 55-vjeçarin me thikë pas debatit për vjedhjen, autori jep tjetër version para Gjykatës. Alfred Pllumbaj, doli dje para Gjykatës së Shkodrës si i akuzuar për vrasjen e Prendush Fushës. 33-vjeçari deklaroi se akti i tij ka ardhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, ka qenë vetë 55-vjeçari Prendush Fusha, që e ka sulmuar me thikë.

 Prendush Fusha
Prendush Fusha

Pavarësisht këtij pretendimi, Gjykata vendosi “arrest me burg” për 33-vjeçarin. E gjithë ngjarja nisi pas një vjedhjeje të ndodhur në banesën e viktimës. Prendush Fusha denoncoi në Polici se i ishte vjedhur një shumë prej 700 mijë lekësh të vjetër në shtëpi, ndërsa ka dyshuar se autor i vjedhjes është Alfred Pllumbaj bashkë me disa të tjerë dhe për këtë ka bërë një kallëzim edhe në Policinë e Shkodrës.

Pasi autori i dyshuar është lënë i lirë për mungesë provash, pas shoqërimit në Polici pasditen kur ndodhi ngjarja, Pllumbaj ka marrë për të dalë nga banesa e tij në lagjen “Tre Heronjtë” drejt qendrës së qytetit. Banesat dhe një dyqan ku viktima punonte si biçiklist janë ngjitur me shtëpinë e autorit. Në këtë mënyrë, autori të vetmen mundësi për të shkuar drejt qendrës së qytetit e ka duke u përshkuar në afërsi të banesës së 55-vjeçarit dhe dyqanit të tij që është thuajse ngjitur.

Alfred Pllumbaj tha para Gjykatës se pasi ka dalë nga banesa e tij është thirrur nga shtetasi Prendush Fusha, duke qenë se e ka parë duke kaluar. 33-vjeçari ka hyrë te dyqani i riparimit të biçikletave dhe aty, sipas tij, viktima i ka thënë se “a po më kthen ato 700 mijë lekë që më ke vjedhur”.

Autori e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk asnjë lidhje me vjedhjen e parave. Autori i dyshuar është munduar që ta bindë se nuk e bërë ai vjedhjen, por debati në dyqanin e riparimit të biçikletave ka vijuar derisa në një moment, sipas 33-vjeçarit, Prendush Fusha ka marrë një thikë që e kishte në dyqanin e tij, duke tentuar që ta godasë.

Për t’u vetëmbrojtur, deklaroi në Gjykatë 33-vjeçari, është përleshur me viktimën dhe në përleshje e sipër trup më trup thika i ka hyrë poshtë zemrës 55-vjeçarit, i cili humbi jetën. Autori ka pranuar atë që ka ndodhur, por ka thënë përpara Gjykatës se nuk ka shkuar ai vetë te dyqani, por është thirrur nga Prendush Fusha dhe se nuk ka dashur që ta vrasë apo ta godasë, por thjesht është vetëmbrojtur dhe se 55-vjeçari ka marrë goditjen me thikë poshtë zemrës gjatë përleshjes, duke mos pasur qëllim që ta vrasë, deklaroi shtetasi Alfred Pllumbaj përpara Gjykatës.

Të njëjtin shpjegim dha edhe avokati mbrojtës Anton Kosteri. Thika, sipas burimeve, ka një gjatësi prej 27 centimetra dhe përdorej nga viktima në dyqanin e tij si riparues biçikletash. Pllumbaj u shpreh se nuk ka pasur as thikë dhe asgjë tjetër me vete dhe se thikën e ka marrë viktima në dyqanin e tij, duke tentuar që ta godasë 33-vjeçarin. Prokurorja e çështjes Esmeralda Ndoci kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 33- vjeçarin.

Gjykata pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke vendosur “arrest me burg” për Alfred Pllumbaj i akuzuar për “vrasje me dashje”. 33-vjeçari u arrestua pa kaluar 24 orë teksa ishte i fshehur në një banesë në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina. Prendush Fusha fillimisht mbeti i plagosur rëndë, por në pak minuta ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, duke mos përballuar goditjen me thikë poshtë zemrës.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura