A ka veprimtaria shkencore karakter “masiv”?

Apr 26, 2021 | 7:12
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR KOCANI

aleksander kocani

Këtu fjala është nëse me shkencë mund të merret kushdo, pa një formim e kualifikim të caktuar apo, për të bërë kërkim shkencor, lypset të kesh një formim solid universitar dhe një kualifikim në një fushë të dhënë të dijes. Ideja për të shtruar këtë pyetje, në shikim të parë pak e “çuditshme”, më ka lindur këto kohët e fundit nga ndeshja pothuajse kudo me maninë për të bërë sondazhe. Aktualisht, po të hapësh kanale të ndryshme televizive, është e zakonshme të ndeshesh me dhënie të rezultateve të sondazheve të opinionit publik, ose me analizën e tyre. Apo duke hyrë në postën elektronike dhe gjen si “peshqesh” një pyetësor online për zgjedhjet që po vijnë. Futesh në “Facebook” dhe atje ose të kërkojnë pjesëmarrje në ndonjë sondazh, ose të “bombardojnë” me rezultate sondazhesh. Do të lexosh ndonjë lajm te gazetat online apo portalet e shumta dhe nuk shpëton dot pa ndonjë njoftim për të dhëna sondazhesh. Vetëm në portalet online që japin lajme sportive dhe ndeshje ndërkombëtare, nuk ka depërtuar ende sondazhomania, ndonëse atje kudo të “mbin si fanti spathi” spoti elektoral me figurën e Kryeministrit dhe më rrallë ai i opozitës së bashkuar.

Në këtë situatë, çdo individ me shkollë të lartë, veçanërisht studiuesit e shkencave sociale që merren me teorinë dhe praktikën e bërjes së anketimeve, si, për shembull, ata që studiojnë empirikisht sjelljen votuese apo sistemin vleror të shoqërisë aktuale shqiptare (këtu bëj pjesë edhe unë), nuk mund të mos habitet dhe t’i bëjë vetes një pyetje. Më konkretisht, çfarë ka ndodhur që papritmas na mbërtheu, përveç “pandemisë së Covid-it”, edhe ajo e “sondazhomanisë”? Kush e ka lexuar librin e shkrimtarit të mirënjohur çek, Jarosllav Hashek, “Ushtari i mirë Shvejk”, mund t’i kujtohet pyetja e famshme që bënte xhenieri Vogjiçka se “si ndodhi kështu, xhanëm, që me fillimin e luftës, na u çmenden të gjithë gjeneralët?”. Në mënyrë analoge, mund të pyetet, “more, ç’patën kështu gjithë shqiptarët që iu është mbushur mendja se mund të bëjnë sondazhe?”.

Dikur, në kohën e regjimit komunist, ishte e zakonshme të ndeshje me mentalitetin se kushdo mund të merret me filozofi. Kjo, edhe për faktin se vetë propaganda zyrtare e stimulonte idenë se filozofia e Partisë (d.m.th., filozofia marksiste-leniniste) ishte e kapshme nga të gjithë. Po të shtojmë këtu edhe faktin që mësimdhënia e filozofisë zhvillohej në të gjithë sistemin e shkollimit të mesëm dhe atë të lartë, atëherë kuptohet përse u krijua ajo psikozë mbi karakterin masiv të marrjes me filozofi. Në fillim të viteve ‘90, vendin e filozofisë në këtë psikozë e zuri sociologjia. Nga kurrikulat universitare u hoq filozofia dhe ajo u zëvendësua me sociologjinë me idenë se filozofia ishte disiplinë marksiste (për rrjedhojë, e papëlqyeshme për mentalitetin e fillimit të tranzicionit). Kurse sociologjia (e konsideruar si “shkencë borgjeze” gjatë regjimit komunist) u quajt shkencë e vërtetë dhe me këtë kriter zëvendësoi lëndën e filozofisë (kryesisht Materializmin dialektik, Materializmin historik dhe, më vonë, edhe Hyrje në filozofi) në këto kurrikula. Por, logjika apo struktura e psikozës ishte e njëjtë. Ndryshoi vetëm objekti i saj.

Në kuadrin e kësaj psikoze që sociologjinë e njohin të gjithë, nisi, fillimisht disi me “ndrojtje”, “moda” e anketimit. Në shkollat e larta të vendit, sidomos në degët që u përkisnin fushave të shkencave sociale, pati përpjekje fillestare që të ndërmerreshin anketime modeste si pjesë të njohurive sociologjike në kuadrin e mentalitetit të qenies së tyre të kapshme dhe të përdorshme nga kushdo. Këto përpjekje fillestare bazoheshin në skemën e zgjedhjes së një problemi për t’u anketuar. Më tej, në hartimin e një pyetësori të “goditur” (apo “interesant”), që lejonte të mblidheshin të dhëna lidhur me këtë problem. Më pas vinte përdorimi i këtij pyetësori për të bërë intervista ballë përballë. Të dhënat e grumbulluara nga intervistat hidheshin në një bazë të dhënash. Kjo bazë përpunohej nga një variant i programit të specializuar për shkencat sociale (i quajtur SPSS) dhe në përpunim përzgjidheshin kryesisht instrumentet e statistikës deskriptive, e cila prodhonte tabela të frekuencave dhe grafikë që ekspozonin përqindjet e përgjigjeve sipas pyetjeve të pyetësorit të përdorur në intervistat. Mbi këto përqindje bëheshin interpretime, në thelb subjektive, të cilat shprehnin opinionet e anketimbërësve dhe të cilat shpesh paraqiteshin si përfundime të anketimit. Në këtë skemë anketimi me përjashtim të përpunimit statistikor të të dhënave, i cili kërkonte njëfarë kompetence në fushën e statistikës dhe mjeteve të saj, elementet e tjera (si zgjedhja e një problemi për anketim, hartimi i një pyetësori, bërja e intervistave ballë përballë etj.) konsideroheshin si të thjeshta dhe të realizueshme pothuajse nga kushdo. Vetëm për përpunimin e të dhënave e, ndoshta edhe për hapjen e një baze të dhënash, do të duhej të kërkohej ndihma e specialistëve të statistikës. Pra, kushdo mund të zgjidhte një problem për anketim, të formulonte disa pyetje, më tej t’i përdorte ato në intervista dhe të krijonte një bazë të dhënash, pa u shqetësuar fare se për të gjitha këto shkenca ka krijuar një metodologji përkatëse që bën të mundur kalimin logjik nga problem i zgjedhur, te propozimi i zgjidhjes së tij dhe më tej (në hallkën e fundit) në skicimin e pyetësorit, duke ndjekur rregulla rigoroze logjiko-metodologjike. Partizanët e sondazhomanisë nuk e dinë se pyetësori, në përgjithësi, përdoret si instrument për të mbledhur të ashtuquajturat “të dhëna domethënëse”, me të cilat testohen empirikisht në mënyrë rigoroze zgjidhjet e propozuara të problemit në fjalë. Dhe vetëm bazuar në rezultatet e ballafaqimit të parashikimeve teorike (të nxjerra logjikisht nga zgjidhja e propozuar për problemin), me të dhënat e furnizuara nga anketimi mund të nxirren përfundimet për anketimin dhe jo duke interpretuar sipas qe jfit të gjithsecilit disa të dhëna të siguruara në mënyrë amatoreske.

Mentaliteti amatoresk i sondazhomanisë u zhvillua me kohë, derisa 10-vjeçarin e fundit (kujtoni sondazhet e kompanisë “Zogby”) njohu një zhvillim në formë “bumi”. Kjo është një dukuri shqetësuese dhe, nga pikëpamja shkencore, kërkon një shpjegim. Mendoj se në këtë mentalitet ka një ndikim “mbetës” nga e kaluara e regjimit komunist që nuk reduktohet vetëm në jashtësimin në veprim të psikozës se “kushdo e njeh filozofinë” (që u zëvendësua në fillim të viteve ‘90, me homologen e saj “kushdo e njeh sociologjinë”), por edhe në ndikime të mbetura nga veprimi i propagandës së regjimit komunist se edhe të ashtuquajturin “Revolucion tekniko-shkencor” do ta bëjnë masat e gjera. Propaganda dhe institucionet partiako-shtetërore të regjimit u kërkonin të gjithë punonjësve që të merrnin pjesë në këtë revolucion kudo në çdo fushë të aktivitetit shoqëror (në fabrika e uzina, në kooperativa dhe ferma bujqësore, në shkolla, spitale, reparte ushtarake etj.), duke u përfshirë në “vrullin revolucionar” për krijimin e inovacioneve dhe shpikjeve teknike. Sigurisht që konsiderimi i krijimit të inovacioneve dhe shpikjeve teknike si aktivitet shkencor përbënte, në fakt, një thjeshtim apo vulgarizim të aktivitetit shkencor në atë tekniko-teknologjik. Këto dy aktivitete janë të lidhura ngushtë midis tyre, por nuk janë e njëjta gjë. Veprimtaria në fushën e teknikës dhe teknologjisë bazohet në veprimtarinë shkencore, por vetëm si një zbatim i saj në fusha të caktuara. Në literaturë shkencore njihet dhe theksohet dallimi midis tyre. Por, për propagandën e regjimit komunist ishte e rëndësishme që në rrafshin ideo-politik të paraqitej se revolucioni shtrihej në të gjitha fushat e jetës, pra, edhe në shkencë dhe ai kishte karakter masiv. Kështu që u krijua slogani që edhe revolucionin në shkencë e bëjnë masat, gjë që ka shpënë në krijimin e psikozës se veprimtaria shkencore ka karakter masiv.

Nga ana tjetër, supozoj se në procesin e krijimit të kësaj psikoze që me shkencë mund të merret kushdo (në dallim nga kërkesa e regjimit të mëparshëm që me të duhej të merreshin të gjithë), ka ndikuar edhe ngatërresa midis mundësisë së “të bërit” (filozofi, sociologji dhe shkencë) dhe asaj të “të zbatuarit” të refleksioneve përkatëse në nivelin e individëve të veçantë. Logjikisht është e drejtë dhe shoqërisht është e dobishme që t’i kërkohet individit që ai të reflektojë për veten e tij (Kush është ai? Përse ka ardhur në këtë botë? A ka ai një mision për të kryer në këtë jetë? Cilat janë vlerat që e udhëheqin atë në jetë etj.). Apo, për vendin që zë në shoqërinë aktuale shqiptare dhe ndërgjegjësimin për detyrat dhe të drejtat që lidhen me të, a ndjehet ai pjesë e një bashkësie të caktuar shoqërore? A i zbaton ai detyrimet që rrjedhin nga kjo përkatësi? A lufton për të realizuar të drejtat që burojnë nga qenia anëtar i bashkësisë apo edhe shtetas, qytetar i vendit? Po ashtu, mund të pyetet se sa i kanë vlejtur për zbatim në jetën e përditshme njohuritë shkencore që ka marrë gjatë shkollimit (A i janë dashur njohuritë matematike, fizike, kimike etj. gjatë veprimtarisë së tij të përditshme në punë, në familje etj.) Me një fjalë, a është në gjendje Ai që të zbatojë në këtë ose atë shkallë njohuri të caktuara që ka marrë gjatë periudhës së shkollimit të tij? Ndryshe, në sistemin e shkollimit, a ka marrë Ai formim apo kryesisht është informuar nga njohuritë që i janë dhënë? Në zhargonin e përditshëm thuhet nëse ‘e ka parë Ai shkollën, apo shkolla e ka parë atë’.

Por, angazhimi i refleksionit individual në drejtimet e lartpërmendura ka të bëjë me atë që në filozofinë e lashtë greke e quanin praksis. Domethënë, me praktikën, me zbatimin konkret në jetë të njohurive dhe jo me refleksionin e thellë, në nivel teorik që prodhonte dijen e vërtetë (epistemën). Kështu, ndryshe është që të bësh filozofi, duke propozuar një teori apo qoftë edhe një koncept të argumentuar, si zgjidhje origjinale të një prej problemeve të shumta që shtron mendimi filozofik. Dhe, ndryshe është që në kuadrin e një këndvështrimi të caktuar teorik filozofik (që buron nga zgjidhje të tilla origjinale, teorike), t’u japësh përgjigje pyetjeve që lidhen me nevojat që ka çdo individ në veprimtarinë e tij jetësore, në përditshmëri si qenie “e trefishtë” (biologjike, sociale dhe shpirtërore). Pra, tjetër gjë është të “prodhosh ide” filozofike, që përbën një aktivitet teorik me vlerë disi më “universal” dhe tjetër t’i zbatosh ato në nivel veprimtarie individuale apo bashkësie “të ngushtë”, që ka një vlerë disi më “lokale”.

Një situatë e përafërt është edhe kur krahasojmë veprimtarinë praktike, ku zbatohen njohuritë shkencore me atë teorike, ku sillet kontribut dhe pasurim i njohurive shkencore. Kështu, të realizosh një studim empirik të një problemi shoqëror bazuar në një anketim, kërkon që të zbatosh në mënyrë korrekte një sërë njohurish nga fusha të ndryshme të shkencave sociale dhe matematike. Fillimisht duhet të krijosh një model konceptual (të tipit shpjegues, ose përshkrues), kryesisht cilësor, që lidh faktorë të ndryshëm që kanë të bëjnë më problemin në studim. Dhe ky përbën një kontribut modest në fushën e Metodologjisë së Shkencave Sociale. Më tej, modeli, kryesisht cilësor, duhet transformuar (apo, me gjuhën shkencore, “operacionalizuar”) në një skemë që lidh variabla apo madhësi kryesisht sasiore. Për ta kontrolluar empirikisht këtë skemë, lypset që të ndërtohen instrumentet e nevojshme për grumbullimin e të dhënave që duhen për testimin empirik në fjalë. Këtu futen skicimi i kampionimit të anketimit, ndërtimi i skemës logjiko-metodologjike që bën kalimin nga zgjidhja e problemit, e cila propozohet në modelin kryesisht cilësor, në implikimet-parashikim që lejojnë kontrollin e drejtpërdrejtë empirik, te hartimi i draftit të pyetësorit që do të sigurojë të dhënat e nevojshme (me gjuhë shkencor, “domethënëse”) për testim. Le të analizojmë këtu dy prej elementeve të lartpërmendura. Kështu, skicimi i kampionimit ka të bëjë sa me përcaktimin e “madhësisë” së tij (domethënë, të numrit të njësive, për të cilat do të mblidhet informacion me anketim), aq edhe me atë të cilësisë së tij (llojit të njësive, tipit dhe strukturës së tij). Këtë punë nuk mund ta bëjë një individ që nuk ka njohuri në fushën e metodave të kërkimit dhe nuk di të përdorë njohuritë demografike bazuar në instrumente statistikore. Dhe, shumica dërmuese e atyre që i ka përfshirë sondazhomania, nuk i kanë këto kompetenca shkencore. Nga ana tjetër, edhe hartimi i një pyetësori për të bërë anketim, kërkon krahas njohurive në Metodat e kërkimit, edhe njohuri në Psikologjinë sociale, në Gjuhësi dhe në fushën ku është identifikuar problemi ku fokusohet studimi me anketim. Le të marrim te hartimi i pyetësorit elementin më të thjeshtë, atë të formulimit të një pyetje. Për këtë ka rregulla në metodat e kërkimit. Ajo nuk duhet të jetë as shumë e gjatë dhe as shumë e shkurtër, në mënyrë që të sigurojë informacionin e nevojshëm, por duke përdorur një qasje formulimi “neutrale” (dhe josugjeruese apo sugjestionuese) që të mos ndikojë opinionin e të intervistuarit që kërkohet të matet.

Apo, pyetja duhet të ketë strukturë të tipit “monolit” dhe jo “dyjar” (dy pyetje të përfshirë brenda njërës). Pyetja, po ashtu, nuk duhet të përbëjë një strukturë dy mohimesh, por vetëm një pohim. Kuptohet që edhe për këtë element, shumica dërmuese e sondazhbërësve “nuk ia ka idenë”, siç thuhet me gjuhën popullore. Mjafton qoftë edhe vetëm një nga këto elemente të përmendura më lart të mos realizohet korrekt sipas rregullave shkencore, që i gjithë anketimi të mos ketë kurrfarë vlere shkencore që ai pretendon.

Prandaj, tani mund të thuhet se jo kush do mund të merret me sondazhe apo anketime, ashtu siç jo kushdo mund të operojë një pacient apo të ndërtojë një kompleks industrial apo edhe banimi etj. Del këtu që kompetenca profesionale (e bazuar kryesisht në formimin shkollor profesional dhe në përvojën e zbatimit të njohurive të fituara gjatë shkollimit) është e domosdoshme që secili të kryejë, po të përdorim këtu termin e dhënë nga Platoni, “funksionin” e vet (domethënë, këpucari të bëjë këpucë, mjeku të kurojë pacientët, ushtaraku të mbrojë qytetin). Ngatërrimi i këtyre funksioneve, sipas Platonit, prish ekuilibrat socialë dhe cenon rendin. Atëherë, të themi, ç’është nevoja që gazetari të merret me sondazhet, kur fare mirë ai mund të bëjë atë që ka për detyrë dhe ta bëjë me kompetencë profesionale: Të luajë rolin e mbrojtësit apo “avokatit” të interesit publik, duke investiguar shkeljet dhe abuzimet e mundshme të qeveritarëve. Në Shqipëri, këto dy vitet e fundit pati dy fatkeqësi të mëdha: tërmetet dhe pandemia e Covid-it. Për to u fol në media se nga institucionet ndërkombëtare u dhanë fonde të konsiderueshme, të cilat nuk dihet se si u përdorën, sepse mungon transparenca e domosdoshme e qeverisë ndaj publikut për mënyrën se si u menaxhuan këto fonde. Këtu është tamam “fusha e betejës” së gazetarëve (në se ata nuk janë “të blerë” nga pushteti!). Ata, në emër të interesit publik, duhet t’i kërkojnë llogari qeverisë pse nuk e bën transparencën përkatëse që e ka të detyruar me ligj. Apo, shikojmë që zyrtarë të ndryshëm të lartë po bëjnë aktualisht aktivitete që i shërbejnë në mënyrë të paligjshme fushatës elektorale. Për të mos folur pastaj për skandalin e skandaleve: Vjedhjen dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale të mbi 900,000 shtetasve me banim në Tiranë. Me këto le të merren dhe duhet të merren gazetarët (nëse duan të bëjnë detyrën) dhe jo me publikimin dhe analizën e rezultateve të sondazheve, sepse, edhe sikur këto të jenë kryer me kompetencë profesionale, ato, me ndikimin e pamoralshëm që kanë, dhunojnë lirinë themelore për demokracinë, atë të votuesve për të bërë zgjedhjen e tyre në votim.

Si përfundim, mund të thuhet bazuar në atë që u parashtrua më lart, se jashtë skemave ideologjike dhe psikozave të masivizimit të aktiviteteve intelektuale, shkenca, ashtu si dhe filozofia, apo çdo disiplinë tjetër, nuk mund të bëhen nga individë që nuk kanë kompetencën e duhur profesionale të marrë me shkollim dhe përvojë të zbatimit të profesionit. Prandaj, mania për të bërë sondazhe, si pjesë e manisë për të bërë shkencë, është e gabuar dhe joproduktive. Në thelb, ajo përbën një nga “ndikimet mbetëse” të propagandës komuniste, që i kemi trashëguar nga regjimi i kaluar i PPSH-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura