A ka vapë Skënderbeu?

Aug 13, 2017 | 11:31
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Nëse këtë shkrim do ta kisha titulluar “A kishte vapë Skënderbeu?”, me siguri që do të më duhej të dokumentohesha gjatë, gjerë e thellë, për të dhënat klimatologjike të vendit, kontinentit dhe planetit tim në shekullin XV që t’i jepja  një përgjigje pak a shumë të saktë pyetjes në fjalë, luks ky që nuk mund t’ia ofroj vetes në kuadrin e kufizuar të kësaj rubrike pa pretendime shkencore.

Gjithsesi, mund të pohoj se asokohe – pra, rreth gjashtë shekuj më parë – rruzulli tokësor me siguri do të ketë qenë shumë më pak i ndotur: revolucioni industrial do të imponohej vrullshëm vetëm nga mesi i shekullit XIX, fillimisht me përdorimin masiv të qymyrgurit, për të vijuar me atë të naftës gati një shekull më vonë, dy tipa energjish fosile këto tejet ndotëse; rrjedhimisht, në atë epokë fort të largët, pra, në kohën e Skënderbeut, planeti ende nuk e njihte dhe madje as mund ta përfytyronte ngrohjen globale, efektin serrë të disa gazrave e të tjera, dukuri karakteristike të periudhës së koklavitur që po jeton e përjeton njerëzimi sot.

Lexueset dhe lexuesit e vëmendshëm të kësaj rubrike të përjavshme e kuptojnë fare mirë se me pyetjen-titull “A ka vapë Skënderbeu?” unë kam parasysh jo eshtrat e heroit tonë kombëtar, por statujën e tij në sheshin me të njëjtin emër! Përse kështu? Sepse kam përshtypjen që ai sot ka shumë më tepër vapë, sesa një vit më parë.

Përse kështu? Sepse, përveç ngrohjes së përvitshme globale, qendrës qibare së Tiranës sqimatare po i shtohet këtë verë edhe ngrohja e përditshme e përshpejtuar nga njëri prej diamanteve të diademës së kryebashkiakut të kryeqytetit të përkryer shqiptar, të cilin fansat e tij më fantastikë e thërrasin me familjaritetin më të famshëm “Lali Eri”.

E kam fjalën për vetë sheshin “Skënderbej”, të ribërë si një zonjë apo, më saktë, si një traves ti, veçse jo me hormone, operacione e silikon, por me pllaka shkëmbi, të cilat, nën rrezet përvëluese të një dielli të pamëshirshëm, ngopen me nxehtësi gjatë ditës, pavarësisht rrëkezave mjeranë që e njomin atë koprracisht vende-vende dhe herë pas here, ndërsa në mbrëmje e lëshojnë atë nxehtësi për ata njerëz që kuturisin të shkelin mbi të. Kështu që, në vend të ishte i rrethuar me lëndina e pemë gjethegjera, Skënderbeu i shkret zhuritet në pisk të vapës mes pllakave burim nxehtësie për mjedisin, kalimtarët dhe shëtitësit e muzgut, e mbrëmjes, madje edhe të natës.

Sidoqoftë, populli ynë i urtë (nganjëherë, bile, më tepër se ç’duhet) ka një proverb fort interesant, për besë: Jo çdo e keqe vjen për të keqe. Sigurisht, ndokush mund të kërkojë të dijë se për çfarë e kam fjalën në këtë mes.

Po nxitoj, pra, të shpjegohem: Kur isha i ri, një spanjoll më pati thënë se në jug të vendit të tij, në një rrafshnaltë malore pa pikë bimësie, në zemër të verës dhe sa herë dielli kapte zenitin, temperatura arrinte deri në gjashtëdhjetë gradë celsius dhe aty “piqej veza në gur”.

Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, nuk do ta kritikoj kryebashkiakun që po ia than buzën Skënderbeut dhe kalit të tij (i cili, ashtu si ajo daullja që bie për ata që kanë veshë, hingëllin heshturazi për ata që kanë imagjinatë), sepse, mundësia për të pjekur vezë (dhe jo vetëm), pa shpenzime, nga ana e shqiptarëve kryeqytetas në pllakat shkëmbore të sheshit “Skënderbej” do të jetë një ndihmë e paanashkalueshme për ata, ngaqë do t’u japë zemër të pjekin apo të ziejnë atje, sidomos në mesditë, lloj-lloj gatesash, kështu që ata, falë paneleve njëherazi shkëmbore e diellore të sheshit përvëlues në qendër të Tiranës, do të gatuajnë ç’t’u dojë e bardha zemër, duke bërë njëkohësisht plazh, jo në rërë, por në shkëmb.

Megjithatë, jam i sigurt që kryebashkiaku i Tiranës do t’u vërë në dispozicion disa ambulanca për rastet e ndonjë të fikëti të paparashikuar, pushimi të përkohshëm zemre apo hemorragjie cerebrale cingëritëse që mund të pë- sojnë shqiptarët kryeqytetas tek presin plot optimizëm evolucionar radhën e gatimit falas, të gjithë skajshmërisht të lumtur që Bashkia e Tiranës do t’u krijojë kështu kushtet e domosdoshme dhe të lavdishme për të kursyer energjinë elektrike, pa harruar që ujin e nevojshëm për gatim e larje enësh ata mund dhe duhet ta marrin, sigurisht me tarif më të ulët, nga rrëkezat modeste aty rrotull, te të cilat mund dhe duhet (një rrugë e dy punë) të lajnë duart e të freskojnë fytyrën, madje – pse jo? – edhe trupin me gjithë gjymtyrët e organet e tjera, përfshirë edhe ato të padukshmet.

Së fundi, por jo më së paku, duke u frymëzuar nga fjalët e një arkitekti të vjetër para disa ditësh, Skënderbeu sot ka përherë e më shumë vapë sepse vendi ku i kanë ngecur potkonjtë kalit të tij nuk është më shesh, por ngjan si një kodrinë shkëmbore pa pikë bimësie që të kujton, larg e larg sigurisht, majën e asaj rrafshnalte spanjolle ku, në zemër të verës dhe sa herë dielli kap zenitin, temperatura arrin afro gjashtëdhjetë gradë celsius dhe ku “piqet veza në gur”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura