A ka personalitete si Naimi politika? Akademiku Sabri Hamiti: Dijetarët të nevojshëm, por…

Oct 21, 2020 | 12:02
SHPËRNDAJE

Për akademikun Sabri Hamiti, në 120-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit rilindës, është e vështirë që të veçojë veprën më të mirë naimiane. Kjo, siç ai shpjegon, edhe prej natyrave të ndryshme të tyre. “Patjetër, që ai lindi si poet lirik.

sabri hamiti

Nisur nga një këndvështrim i tillë, të menduarit të çon te ‘Lulet e Verës’, por variacionet të çojnë te çështjet identitare si ‘Historia e Skënderbeut’, apo jeta identitare si ‘Bagëti e Bujqësi’. Është një lepezë e tërë e mënyrave të tij të artikulimit që krijoi atë që quhet sistem i tij. Unë e konsideroj si lirik të kulluar, që artikulohet te ‘Lulet e Verës’, i përqendruar te bukuria, që është kryevepra e tij”, thotë shkrimtari. Sa i përket Naimit e biografisë së poetit që Hamiti prek në librin e tij “Naim Frashëri”, akademiku e sjell rilindësin fëmijë me një shëndet të ligshtë, çka e bën edhe më të tërhequr si natyrë. Ai përshkruan përciptazi jetën e tij mes kurimeve jashtë vendit, si dhe ditët e fundit përmes dëshmisë së nipit, Mid’hat Frashërit. “Për biografinë e tij shkruaj pak, se kush është marrë me të, ka lënë pas pak shënime. Nga ana tjetër, është një filozofi e të menduarit që dikton se ai e ka projektuar veprën e tij kaq mirë sa nuk ka nevojë për biografi. Megjithatë, kemi dëshminë e vdekjes, të cilën unë e analizoj. Aty gjej shënime biografike që bëhen esenca të jetës së tij. Madje, gjatë sëmundjes, në fund të jetës ndodh edhe shpërthimi i hatashëm i tij sa u përket veprave që ka shkruar në 13 vite”, thotë më tej.

A KA PERSONALITETE SI NAIMI POLITIKA?

Akademiku i pytur nga “Panorama” nëse skena politike sot ka figura si vëllezërit Frashëri, ai përgjigjet: Po më pyesni nëse ka format të vëllezërve Frashri që implikohen sot në politikë?! Tani jemi në dy kohë. Ai është treshi i Frashërve që përfshin dy fusha, fondamentale të identitetit të një populli. I pari veprimin, më i madhi, që është një prej krerëve të Prizrenit. I dyti, Naimi, që është frymëzimi, pa të cilën nuk bën. Edhe i treti, më i mesmi, nëse e shohim filozofikisht, Samiu që krijon edhe enciklopedi, edhe traktatin nacional “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është edhe ç’do të bëhet”. Por, shqiptarët vështirë e kapur diskursin në kohë të Samiut, i ka pushtuar ndjesia e Naimit. Nëse i shohim këto tri elemente, që kemi në këto tri figura të një familjeje, që rrallë ndodh, pak si vështirë është që të shikojmë njeriun sot në këto tri dimensione. A janë të vlefshëm dijetarët, njerëzit e shpirtit, për zhvillimet politike? Po! A janë aty? Jo!”, thotë akademiku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura