A ka një shoqëri dhe shtet i tërë të drejtë të vetëmbrohen?

Nov 19, 2021 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA REDI SHEHUredi shehu

Ngjarja makabre, e ndodhur në fshatin Grecalli të Fierit, ndezi si një vullkan të gjithë opinionin publik shqiptar lidhur me domosdoshmërinë e kthimit të dënimit me vdekje. I gjithë ky vullkan, që për hir të së vërtetës vlonte prej kohësh te ne, u shkaktua prej as më shumë e as më pak, por prej vrasjes çnjerëzore të fëmijës 8-vjeçar me emrin Mateo nga fqinji i tij 38-vjeçar. Pasi i kishte dhënë biçikletën që ky i fundit të bënte një xhiro, vrasësi e kishte tërhequr në oborrin e shtëpisë së tij dhe më pas e kishte goditur me lopatë pas kokës, duke e lënë të vdekur. Më pas, kishte gërmuar një gropë të cekët dhe e kishte mbuluar me baltë. Vetëm ardhja e uniformave blu pas denoncimit të prindërve për zhdukjen e fëmijës, kishte bërë të mundur që ngjarja e tmerrshme të zbulohej me të gjithë perversitetin e vet. Një fëmijë i pafajshëm që vritet nga një njeri me precedentë penalë, i dënuar për dhunime të mëparshme dhe i cili në mënyrë të vazhdueshme kërcënonte banorët e fshatit, pleq dhe fëmijë.

Tronditje, tërbim, turbullim, janë e pakta e ndjenjave që secili nga ne ndjeu kur u zhvarros e vërteta mbi vrasjen e një fëmije, i cili në pak ditë nuk po resht së qenuri fëmija i të gjithë neve. Kjo luftë me neveritjen, e cila përzihet së bashku me pafuqinë për të ndryshuar gjërat, na bën akoma më të dobët dhe akoma më të pashpresë. Nuk po reshtim së konstatuari se e gjithë kjo farsë, e cila na vërtitet përditë rrotull shqisave, lidhur me pushtetin i cili buron prej popullit, përfaqëson popullin dhe është për popullin, nuk është tjetër vetëm se një program i madh pragmatizmi i pafytyrë, i cili në emër të arritjes së parajsës materiale po ua kthen në skëterrë jetën shqiptarëve.

Është e pafundmja herë që shoqëria shqiptare ngjyroset nga akte makabre dhe reagimi ndaj tyre ndahet në dy nivele. I pari është niveli masiv popullor, i cili në mënyrë instiktive kërkon vënien e drejtësisë në vend duke i ekzekutuar kriminelët. Niveli i dytë është niveli i elitave politike dhe mediatike, të cilat ngjashëm me kapakun e një tenxhereje me presion, përpiqen të mbajnë nën trysni revoltën popullore, duke argumentuar se dënimi me vdekje, nuk ka efekt apo se atë nuk e do Evropa. Heqja e dënimit me vdekje nga qeveria shqiptare, e cila u bë për të respektuar protokollin numër gjashtë të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe lirive themelore e aprovuar në Strasburg në prill të 1983-shit, është bërë pa referendum në kundërshtim të hapur me vullnetin dhe moralitetin popullor.

Alibia ka qenë dhe vazhdon të jetë “për një të mirë të madhe po ju heqim një të mirë të vogël”, pra, për integrimin në BE po heqim dënimin me vdekje. Ndërkohë që e mira e madhe (integrimi) akoma nuk po dihet se si do t’i shkojë halli dhe me sa duket as që do realizohet, e “mira e vogël” është bërë tani nevojë për të keqen e madhe e tonën. Në këtë dilemë pas pothuaj tri dekadash nga ky hap, jemi në pikën e fillimit ku mbi 90% e popullsisë e kërkon me ngulm rivendosjen e dënimit me vdekje si zgjidhësi jo vetëm i së drejtës publike për ekzistencë, por edhe si balsam psikologjik për të mos hapur konflikte të tjera zinxhir.

Që nga fillesat e saj, shoqëria njerëzore ka qenë bashkudhëtare me dënimin me vdekje. Ka qenë mjeti i ruajtjes, pastrimit si dhe parandalimit të erozionit social drejt kriminalitetit, dhunës dhe humbjes së dinjitetit shoqëror. Papritur, këto katër dekadat e fundit, vendet europiane, zbuluan se i gjithë njerëzimi përgjatë historisë së vet e kishte pasur gabim dhe përmes nocionit të “dinjitetit njerëzor”, u lanë pa ekzekutim kriminelë të rrezikshëm. Këtu ka një problem, sepse kuptimi “dinjitet njerëzor” fatkeqësisht është konceptuar vetëm për të gjallët, ndërsa dëmi i shkaktuar me pasojë vdekjen të një apo më shumë ish-anëtarëve të shoqërisë, nuk prevalon dhe “dinjiteti njerëzor” në këtë rast është varrosur së bashku me viktimat.

Kur një njeri vret me të padrejtë një njeri tjetër, ai automatikisht ka hequr dorë nga liritë dhe të drejtat njerëzore që gëzonte para aktit. Domethënë, ai ka braktisur dinjitetin njerëzor të tijin në momentin që i ka marrë jetën dhe për pasojë dinjitetin dikujt tjetër. Kështu, u la që krimi të mos përputhej me dënimin dhe kur krimi nuk merr dënimin në një shkallë të duhur proporcionaliteti, atëherë deformimi sa vjen e merr udhë dhe përfundon pas disa shkallësh ankimi dhe “sjelljeje si kriminel i mirë”, në liri të parakohshme. Drejtësia bazohet mbi proporcionalitetin, kur ajo e humbet këtë tipar, atëherë ajo kthehet nga drejtësi në padrejtësi.

Ata, të cilët janë në oponencë me dënimin me vdekje, kanë pa dyshim probleme me konceptin e drejtësisë. Ndjenja e drejtësisë është një ndër ndjenjat më natyrale dhe të pastra që lind me njeriun është në softin e tij, është mekanizmi i cili aktivizohet sa herë që dhuna, anarkia, kriminaliteti nxjerrin krye në rrafshin individual por edhe atë kolektiv. Nuk është primitivitet t’i dënosh me të njëjtën masë ata që shkatërrojnë pasurinë më të madhe që kemi, të drejtën për jetë si dhe qetësinë publike. Drejtësia individuale është pararendëse e drejtësisë kolektive, e cila formësohet mbi bazën e një kuadri ligjor. Problemi fillon kur ky kuadër hartohet në kundërshtim me drejtësinë e natyrshme të individit.

Prototipi i kriminelit është prototipi, i cili del kundër konsensusit të të gjithëve për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të sigurt, duke u kthyer kështu në rrezik primar. Dënimi me vdekje në këtë rast është shërbesa më e mirë ndaj shoqërisë, sepse garanton zvogëlimin domethënës të kthimit të këtij rreziku eminent në hapësirat publike. Por, ajo çka është më e rëndësishme, është një mesazh i fortë për kontingjentet potenciale të krimit, të cilat fekondohen rehatshëm në një shoqëri e cila merr përsipër të garantojë edhe “dinjitetin e vrasësit”. Dënimi me vdekje vërtet merr një jetë, por, ama, jep shumë jetë të tjera.

Çfarë kuptimi ka që Policia të rreshtohet duke mbrojtur kriminelin nga familjarët e Mateos, në emër të dinjitetit njerëzor? Po dinjiteti i familjes, fshatit, qytetit dhe njerëzve në përgjithësi që ndihen të poshtëruar nga ky akt? Çfarë kuptimi ka kur një ruajtës i rendit mund të vrasë një kriminel gjatë një operacioni, kurse një shtet i tërë nuk mund ta ekzekutojë një kriminel vetëm se po respekton dinjitetin njerëzor? Një ruajtës i rendit mund të vrasë një kriminel proporcionalisht në emër të vetëmbrojtjes, po një shoqëri dhe një shtet i tërë a nuk kanë të drejtë të vetëmbrohen përmes proporcionalitetit ligjor?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura