A ka kryeministri kipc?

Jan 10, 2021 | 10:10
SHPËRNDAJE

Edmond-Tupja-1NGA EDMOND TUPJA
Ç’kuptim paska e nga na ardhka fjala “kipc”? Oh, të nderuara lexuese e lexues të nderuar të kësaj rubrike të përjavshme, mos ma drejtoni këtë pyetje; ju siguroj që kjo fjalë i përket mirëfilli gjuhës shqipe, çka e vërteton jo vetëm “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), por edhe “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2017) i Kolec Topallit, të cilët na mësojnë se kipc quhet një njeri që i ngjan një  tjetri, pra, dytëshori ose sozia e tij.

Fjalori i Kolec Topallit na informon gjithashtu se kemi të bëjmë me një fjalë krahinore të gegërishtes veriore e lindore, me prejardhje hungareze e futur në shqipe përmes serbo-kroatishtes.

Gjithsesi, le të hyjmë në temë. Historia na mëson se kryepushtetarët e shumë vendeve në epoka të ndryshme kanë pasur kipca, të cilët i zëvendësonin ata,  sa herë e lypte nevoja, në parakalime, në takime publike etj., ku kryepushtetarët mund të rrezikonin që të binin viktima të ndonjë atentati.

Sigurisht, ju, lexuese e lexues kureshtarë, pyetjes që i shërben si titull këtij shkrimi, mund t’ia bëni kryeministrin tuaj nëse keni marrëdhënie miqësore me të ose me të afërmit e tij, por ju mund të ma prisni shkurt e të më thoni përse e shtroj unë këtë pyetje. Ja, pa më të voglin ngurrim e pa pikë hipokrizie, përgjigjja ime e menjëhershme:

E shtroj këtë pyetje, sepse më dhimbset jashtëzakonisht kryeministri me emrin heroik Edi Rama, i cili po lodhet, këputet, rraskapitet e sfilitet, qysh kur ka lindur, për lumturinë e pafund të popullit tonë!

E shtroj këtë pyetje, sepse Ai më dhimbset jashtëzakonisht ngaqë opozita po i vë gurë, shkopinj, tela me gjemba në rrota për t’ia nxirë jetën e për t’ia zbardhur mjekrën, madje të gjitha qimet e trupit!

E shtroj këtë pyetje, sepse Ai më dhimbset jashtëzakonisht ngaqë i ranë për pjesë tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia  e kovidit-19 në vitin që sapo kaloi, duke qenë se ka shumë rrezik të na  pllakosin me radhë pas kovidit-20 (variantit kinez), kovidi-21 (varianti anglez), kovidi-22 (ndonjë variant amerikan) e kështu ndoshta çdo vit nga një variant i ri kovidi deri në vitin, kushedi, 2030, 2040, 2050?

E shtroj këtë pyetje, sepse Ai më dhimbset jashtëzakonisht ngaqë po bëhet copë e trokë duke shkuar sa andej, këndej anembanë botës për të siguruar mbështetje e fonde që t’u ndërtojë të pastrehëve shtëpi të pashkatërrueshme nga lëkundjet sizmike e të ëndërrta si vila parajse!

E shtroj këtë pyetje sepse Ai më dhimbset jashtëzakonisht tek e shoh të përpiqet pareshtur që bashkatdhetarët e tij të vuajnë sa më pak nga reumatizma shekullore, prandaj po ua lë detin e mallkuar, këtë burim mizor lagështie, grekëve bujarë, madje pse mos u lërë atyre edhe Gjirokastrën me Korçën; le t’ua lërë edhe italianëve Durrësin me Vlorën; le t’ua lërë edhe kroatëve Shkodrën:

Në fund të fundit, pse të mos hyjmë pjesë-pjesë në Bashkimin Europian, qar kemi, fitojmë kohë, sepse, me sa duken bathët (pa ndonjë germë tjetër në vend të “a”’-së), BE-ja po i thotë popullit tonë “Prit, o shqiptar, të mbijë bar!”, këtij populli që është gati të japë jetën për kryeministrin e tij legjendar (me “d” dhe aspak me ndonjë germë tjetër në vend të saj), për këtë udhëheqës të lavidshëm që Zoti ia bëri dhuratë për të zëvendësuar superdiktatorin Hoxha.

Për të gjitha këto arsye, pra, unë shtroj pyetjen “A ka kryeministri kipc?”. Nëse nuk ka, duhet që Partia Socialiste, Kuvendi, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes e Shërbimi ynë Informativ të kërkojnë me ngulm mbajtjen e një referendumi për të vulosur përfundimisht e përjetësisht pajisjen pa vonesë me një kipc të sigurt e besnik të udhëheqësit tonë të pagabueshëm me emrin e paharrueshëm Edi Rama, i cili kipc ta zëvendësojë atë sa herë dyshohet se dikush kërkon t’i bëjë atij atentat!

Oh, jam i sigurt që, me të përfunduar referendumi në fjalë, me mijëra shqiptarë, djem të fuqishëm si Herkuli dhe të ndershëm si Don Kishoti do të dalin vullnetarë për t’u trasnformuar fizikisht, falë kirurgjisë estetike, në kipca, dytëshorë apo sozi të kryeministrit tonë të pavdekshëm, të gjithë të gatshëm për të dhënë jetën e tyre në rast atentati kundër figurës të tij tashmë të ngritur në mit ( me “i”, kurrsesi me ndonjë zanore tjetër) duke u flijuar kështu në altarin e dashurisë së pakufishme për shtetin tonë ramajan, ramesk e ramist njëherazi!

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura