A janë më të sigurta liritë dhe të drejtat e qytetarëve

Jun 6, 2018 | 11:17
SHPËRNDAJE

Çlirim GjataÇLIRIM GJATA

Në lajmin e “Panoramës” pak ditë më parë, mbi survejimin që Policia po i bën drejtuesit të opozitës Lulzim Basha dhe familjes së tij, të bën përshtypje se survejimi kryhet nga e ashtuquajtura Policia “Operacionale”. Nëse ky informacion është i vërtetë, sikurse duket se është(“Panorama” nuk është shquar ndonjëherë si media spekulative), mund të themi se jemi në kufijtë e një diktature, ose të paktën në një paranojë pushteti, po aq të frikshme sa dhe vetë një diktaturë zyrtare.

Kur them paranojë pushteti e kam fjalën në argumentin më të thjeshtë logjik: pse “Policia Operacionale” i hyn një aventure të rrezikshme dhe antiligjore, kur drejtuesi i opozitës të gjitha çfarë ka i deklaron në media publikisht. Ti kthehesh këtyre formave antiligjore, antikushtetuese, por edhe donkishoteske, për të frikësuar kundërshtarin politik dhe shantazhuar opozitën, tregon se pushteti e ka humbur ekuilibrin dhe po sillet si një klikë e inkriminuar dhe mbi ligjin.

Një shtet demokratik dallon nga ai diktatorial pikërisht nga mënyra si Policia sillet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Nëse Policia keqpërdoret për qëllime private të pushtetit dhe si mekanizëm kriminal për të shantazhuar kundërshtarët politikë, atëherë vendi kalon në një regjim diktatorial. Por pa shkuar aty, le të logjikojmë. Për atë Zot, çfarë dreqin shpreson Policia Operacionale në këtë survejim, të kapë drejtuesin e opozitës në një pozitë inkriminuese, si fjala vjen dy ministrat e Brendshëm njëri pas tjetrit? A ka dikush që t‘ia sqarojë shefit të Qeverisë se kjo formë policore është jo vetëm antikushtetuese, edhe pse ai nuk dëgjon nga ajo anë, por edhe joproduktive. Ku ka mbetur arsyeja dhe mendimi këtu? “Nër egërsirat paske ikur, o gjykim, dhe njerëzit e paskan humbur arsyen!”,— thotë Shekspiri.

Dhe kjo ndodh kur qeveria i drejtohet armës së fundit, dhunës. Por a po vepron qeveria thjesht pa vetëdije, apo duke qenë se nuk i ka mbetur rrugë tjetër pas skandaleve që plasin për ditë dhe mjerimit ekonomik të vendit, kjo është e vetmja gjë që i ka mbetur? A është ky rezultati i pritshëm i një Qeverie që bashkëpunon me bandat, bie nën diktatin e bandave dhe që i kërkohet të sillet si e tillë. Sepse dallimi mes një bande dhe Qeverisë është fakti se banda nuk njeh ligjin, po kur edhe Qeveria shkel ligjin me koshiencë të plotë, atëherë çfarë dallimi mund të ketë nga një bandë?

Qeveria nëpërmjet institucioneve të saj, përfshi Policinë, ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar, por kurrsesi të përdorë Policinë për të intimiduar opozitën, që denoncon veprimtaritë kriminale të krimit të organizuar. Kjo metodë kriminale është mesazhi më i mirë i bashkëpunimit midis qeverisë dhe krimit të organizuar. Si mund të shkojë qeveria, të kërkojë hapjen e negociatave me BE-në në fund të qershorit, kur në fillim të këtij muaji shtypi vlon me lajme për survejim antikushtetues të drejtuesit të opozitës dhe familjes së tij, këtë vështirë ta shpjegojë dikush.

Megjithatë, le të presin për një shpjegim. Por deri tani, kur skandalet qeveritare shpërthejnë më shpejt e më furishëm se shirat në këtë verë, Qeveria vetëm për shpjegime logjike e të argumentuara nuk është shquar. Por le të shpresojmë akoma se jemi në demokraci dhe si e tillë, t’i drejtohemi argumentit themelor që vlen në një demokraci. Argumentit të ligjit. A është ligjor ky veprim i Policisë Operacionale? Është antiligjor, por edhe antikushtetues. Sepse duhet të kalojnë një sërë procedurash ligjore, nga të cilat spikat më kryesorja, mungesa e një vendimi gjykate.

Mungesa e këtyre procedurave e bën totalisht antikushtetues këtë ndërmarrje të qeverise. Them të qeverisë sepse nuk ka shqiptar që ta besojë se Policia Operacionale ka vepruar pa urdhër, në kuptimin që Kryeministri dhe ministri i Brendshëm nuk dinë gjë, dhe Policia e ka bërë në kokë të vet. Ky monitorim dhe keqpërdorimi i Policisë së Shtetit për hakmarrje private nga ministri i Brendshëm, është një akt i paprecedentë, që të kujton metodat e Sigurimit të shtetit. Kryetarit të opozitës mund t’i ofrohet mbrojtje nëpërmjet Gardës së Republikës, por kurrsesi nuk mund të monitorohet nga Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit, detyra e të cilave është lufta ndaj krimit të organizuar dhe individëve me rrezikshmëri shoqërore.

Ka ndodhur këtu e kudo në botë, që një kundërshtar politik është survejuar nga shërbimet e fshehta për llogari të Qeverisë (megjithëse këto forma nuk përdoren më në Perëndim si anakronike, por vazhdojnë me sukses në vende si Rusia, Bjellorusia, vendet e Kaukazit etj.). Por nuk kemi dëgjuar që kjo të bëhet nga Policia. Në asnjë vend serioz, madje edhe jodemokratik, nuk është Policia ajo që kryen shërbime te tilla, por Agjencitë e Inteligjencës. Mund të them se është rasti i parë që Policia ndërhyn në këtë fushë. Dhe pikërisht kjo Polici që varet nga një njeri, të cilit opozita i ka hapur një çështje jo të vogël përgjegjësie. Po gjithashtu mund të themi se është një veprim antikushtetues i Policisë Operacionale.

Së pari, Policia si kudo në botë është organ i centralizuar ushtarak, madje rreptësisht i centralizuar dhe për pasojë asgjë nuk mund të bëhet pa dijeninë dhe urdhrin e eprorëve deri te drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe natyrisht edhe në nivel politik deri te ministri i Brendshëm dhe Kryeministri. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me survejimin e një politikani të lartë, deputet, drejtuesit të opozitës me familje. Së dyti, ku mund të ankohet drejtuesi i opozitës për këtë shkelje flagrante të të drejtave të tij, kur nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese? Cila prokurori do të merrte në shqyrtim këtë shkelje flagrante të ligjit nga Policia dhe do të inicionte një hetim serioz??

Prokurorja e Përgjithshme e Qeverise, Prokurorja e Krimeve të Rënda e emëruar në mënyre antiligjore nga Prokurorja e Përgjithshme, pra po nga Qeveria, apo Prokurori i Tiranës që punon edhe në orën 23:00 për Qeverinë?? Prokuroria ka për detyrë ta hetojë këtë rast dhe të vërë përpara përgjegjësisë abuzuesit dhe çdo punonjës policie, që keqpërdor funksionin për qëllime private dhe kriminale të Qeverisë apo kujtdo. Mirëpo, sa kohë drejtues defacto i Prokurorisë është vetë Qeveria, nuk pritet të ketë asnjë zhvillim në këtë drejtim.

Një gjë është e qartë, që gjithë këto veprime antiligjore dhe antikushtetuese po bëhen për të mbrojtur pozitën e ministrit të Brendshëm, tepër e kompromentuar këto kohë si pozitë, i cili duhej të kishte dhënë dorëheqjen me kohë. Cila gjykatë sot, në këto kushte që jemi, do të gjykonte me pavarësi dhe paanshmëri Policinë-Qeverinë për veprimet e tyre antikushtetuese, kur çdo gjyqtar tmerrohet nga vetingu, që e ka në dorë po qeveria? Të gjitha këto i dinë të gjithë. Atëherë logjikisht argumentohet se, Qeveria po vepron me vetëdije të plotë, por problemi më i rëndësishëm nuk është ky.

Ajo që të frikëson nga e gjithë kjo ngjarje, është fakti se kur drejtuesi i opozitës ndodhet në këtë situatë pa armë mbrojtëse demokratike, kushtetuese dhe ligjore, po qytetari i thjeshtë, në çfarë situate ndodhet? Asnjë qytetar shqiptar nuk është i sigurt në liritë dhe të drejtat e veta në këto rrethana. Çdo qytetar mund të përgjohet e survejohet nga Policia Operacionale apo kushdo, pa urdhër dhe vendim gjykate, mund të arrestohet pa ligj, mund t’i mohohet e drejta e mbrojtjes me avokat e njëmijë e një shkelje te tjera. Dhe nuk ka se ku të ankohet, nuk ka se si të mbrohet, sepse Qeveria ka marrë Kushtetutën dhe ligjet me vete dhe për vete.

Le të marrim vetëm disa shembuj të ditëve të fundit. Një qytetar në Korçë i vdekur nga dhuna në Polici; një tjetër në Shkodër i vetëvarur për shkak të presionit policor mbi një vepër që nuk e kishte kryer(askush deri sot nuk ka mbajtur ndonjë përgjegjësi); kemi katër kuksianë dy muaj në burg për miting të paligjshëm (pse nuk dërgohen në gjyq të paktën); apo tre të akuzuar për vrasje të kryer para kamerave, të liruar nga prokurori pas dhjetë muajsh), etj., etj., e sa të tjera, që nuk i dimë e mbase nuk do t’i dimë kurrë. Atëherë çfarë duhet bërë, çfarë mund të ndodhë?

Duhet reaguar, nga drejtuesi i opozitës i pari, por edhe nëse ky i fundit nuk reagon, pra, nëse nuk e merr shumë seriozisht këtë që ka ndodhur, duhet të reagojnë vetë qytetarët, ndoshta jo aq për drejtuesin e opozitës, por për fatin e tyre, për të drejtat dhe liritë e tyre, për privatësinë dhe familjet e tyre. Ndërsa po bëja këtë shkrim, më kaluan parasysh vitet ‘89-‘90 bashkë me dhjetorin. Po si dreqin jemi kaq të aftë t’i kthejmë gjërat gjithmonë në pikën e nisjes?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura