A janë krisur marrëdhëniet me Izetin? Flet avokati Nikolla: Presim Apelin

Sep 7, 2018 | 19:20
SHPËRNDAJE

Avokati i Izet Haxhias, Bashkim Nikolla, në një prononcim për “Panoramën” hodhi poshtë zërat se ka përplasje me klientin e tij dhe bëri një lutje publike për palët e përfshira në debat, që të krijojnë një mjedis të paqtë, të denjë për një proces të rregullt ligjor për çështjen e klientit të tij. Përkundër akuzave që janë bërë në profilin e “Facebook” të Izet Haxhias nga e dashura e këtij të fundit, avokati thotë se ai ka kontakte të rregullta me Haxhian dhe se interesohet vetëm për procesin.

izet1

Nikolla, i cili mbrojti Haxhian në kërkesën për rivendosje në afat të ankimit, thotë për “Panoramën” se shumë shpejt, çështja në Apel do të dalë nga ngërçi pasi ligji dhe Gjykata e Lartë e kanë rregulluar edhe këtë aspekt të procedurës, kur dorëhiqen trupat gjykuese. “Unë kam lidhje direkte dhe marrëdhënie korrekte me Izet Haxhian. Ne komunikojmë direkt dhe nuk kam ndonjë koment për këtë çështje. Unë jam për procesin juridik dhe kaq. Unë pranoj të hesht në një kohë kur jepen shumë prononcime në media. Unë jam në mes të procesit dhe kjo më intereson. E respektoj fjalën e lirë dhe nuk mund të ndaloj askënd të flasë.

Unë jam avokati i Izetit dhe merrem vetëm me procesin dhe aspektin procedural. Për miqtë dhe personat që Izeti u jep autorizim të flasin në emër të tij nuk kam koment, është e drejta e tij. Unë i takoj vetëm mbrojtjes ligjore. Megjithatë, kam një lutje për të gjitha palët, që të na krijojnë qetësinë e duhur për të zhvilluar një proces të drejtë dhe ligjor, i cili, në fund të fundit, do t’u bëjë mirë të gjithëve”, tha avokati Nikolla. “Sa i përket procesit, ne po presim nga ana procedurale. Mekanizmat proceduralë janë të tillë që nuk lejojnë zvarritje të procesit dhe do të zgjidhet ngërçi dhe procesi do të vazhdojë normalisht. Mua nuk më shqetëson kjo gjë”, vijoi ai më tej.

“Jemi në pritje të vendimeve që kanë të bëjnë me hedhjen e shortit të trupës gjykuese të radhës dhe pas kësaj do të bëjmë përgatitjet tona për mbrojtjen juridike me besimin se do të bëhet drejtësi”, tha ai.

ANKIMIMI

Në materialin prej 20 faqesh, dorëzuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë, Izet Haxhia kërkon marrjen në shqyrtim të kërkesës së tij dhe prishjen e vendimit të Shkallës së Parë. Ai madje ka edhe një kërkesë të posaçme, që është ballafaqimi me ishKryeministrin Sali Berisha. Sipas Haxhias, ka qenë ky i fundit që e ka akuzuar atë drejtpërdrejt për vrasjen e Azem Hajdarit. Përveç Berishës, Haxhia kërkon edhe 39 dëshmitarë të tjerë, që të dëshmojnë përpara gjykatës në lidhje me rastin e tij. Më tej, në kërkesë, Izet Haxhia liston edhe 39 dëshmitarë të tjerë, të cilët janë deputetë dhe ish-deputetë, gazetarë etj.. Ndër ta përmendim ish-Kryeministrin Fatos Nano, ish-kreun e SHIK, Fatos Klosi, ish-deputeten Topalli, Jemin Gjana, Genc Pollo, Vili Minarolli, Spartak Poçi, Petro Koçi etj.. Gjithashtu, në listën e dëshmitarëve që kërkon Izet Haxhia janë edhe Nehat Kulla e Jaho Mulosmani.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura