A ishin çamët kolaboracionistë? Libri i Arben Llallës sjell faktet për të kundërtën

Jun 23, 2017 | 20:59
SHPËRNDAJE

UET-Press në bashkëpunim me Shoqatën Çamëria promovoi sot në UET librin KOLABORACIONI DHE GENOCIDI NË ÇAMËRI/ 1944-1945” me autor gazetarin Arben Llalla

thumbnail_kopertina Llalla

Me disa foto të marra nga arkivat greke gazetari dhe studiuesi Arben Llalla provon se popullsia shqiptare e Çamërisë u shpërngul nga trojet e saj dhe u masakrua nga forcat e ushtrisë greke vetëm për t’iu marrë pronat dhe jo sepse kishte fakte se ata ishin kolaboracionistë të nazistëve, siç pretendohet.

Në fakt e kundërta është e vërtetë; ishin politikanër grekë, kleri dhe ushtria që bashkëpunuan me nazistët, ndërsa çamët luftuan me forcat partizane greke.
Ky libër sjell foto të rralla nga lufta e dytë botërore që tregojnë politikanët grekë, klerin e Kishës Greke dhe komandantë të ushtrisë greke me oficerët nazistë të ushtrisë Gjermane.

Studiuesi Llalla mbron argumentin se çamët u shpërngulën për t’iu sekustruar pronat, të cilat dhe sot e kësaj dite nuk arrijnë t’i marrin trashëgimtarët që jetojnë në Shqipëri.

Libri, botim i UET-Press në bashkëpunim me shoqatën Çamëria, në vazhdën e një projekti shkencor për të thënë të vërtetën historike, u promovua sot në UET.

nikoloa

“Së bashku me Shoqatën Çamëria, Fondacionin Çamëria ne kemi botuar së paku deri tani 2 vepra, një vepër tjetër është në plan, për Çamërinë si projekt shkencor, ose si e vërteta shkencore e Çamërisë. Libri i Arben Llallës, gazetar, publicist, aktivist, historian ndoshta edhe pak anon, e domosdoshme, universitare është një ndriçim, nga ato ndriçime për të cilat kemi nevojë vazhdimisht se koha kalon dhe harresa është shumë e madhe. Genocidi dhe kolaboracioni, genocidi mbi Çamërinë në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe në përgjithësi, është një nga të vërtetat e dhimbshe ndaj të cilës ne nuk duhet të pushojmë së dëshmuari, nuk duhet të pushojmë së kërkuari, nuk duhet të pushojmë së foluri, nuk duhet të pushojmë së botuari”- tha Henri Çili, administrator i UET-it.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi , vlerësoi bashkëpunimin mes kësaj partie, shoqatës Çamëria dhe UET-it, si një rrugë për të folur për historinë në mënyrë shkencore dhe me fakte.

nikoloa8

“Është nga rastet më pozitive se si ne kemi arritur si shoqëri, si shoqatë dhe si qytetarë të çamërisë në një stad tjetër të arritjes së qëllimit të fitimit të të drejtave të këtij komuniteti. Se si kemi kaluar tashmë nëpër auditore, nëpër punime shkencore me historianë. Ju kujtoj që ne kemi botuar disa vepra në Universitetin Europian të Tiranës, dhe prandaj do doja që të bëja një vlerësim dhe falenderim publik për mundësi shumë të madhe, të hapur, të një ndër universiteteve më presitigjozë do thoja të Ballkanit dhe është një rrugë e nisur për të plotësuar hartën identitare të kombit shqiptar edhe në kët pjesë të mozaikut që është Shqipëria, me emrin Çamëria”- tha Idrizi.

Historiania Nevila Nika drejtuese e projektit të UET “Çameria si çështje shkencore” vlerësoi punën e autorit duke e cilësuar një vlerë të shtuar në zbulim të së vërtetës.

“Është kënaqësi që në këtë universitet, në këtë tempull të dijes, kemi të tilla projekte që mbështesin hapjen e syve dhe të zemrave të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë. E kemi nisur me Çamërinë, shpresoj do ta vazhdojmë edhe me krahina të tjera, jo për të kërkuar ndryshime kufijsh, për këtë jemi të qartë besoj që të gjithë, por për t’i mësuar brezave të rinj se sa e domosdoshme është të dijmë se çfarë ka ndodhur me neve”- tha ajo.

nikoloa800

Autori Llalla tha se kishte bërë një punë studimore me fakte të cilat nuk mund t’i hedhë poshtë askush. “Nëse gjejnë grekët një dokument, një fotografi për kolaboracionizmin e çamëve me nazistët unë jam dorëheqjen si studiues, si historian”- tha ai.

Llalla tha se i kishte gjetur fotot nga arkivat greke, por jo në mënyrë zyrtare, për shkak të pengesave që kanë studiuesit shqiptarë për këtë çështje në shtetin fqinj.

nikoloa809990

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura