A i duhet Shqipërisë një bankë për zhvillim?

Feb 26, 2020 | 10:20
SHPËRNDAJE

EDVIN LIBOHOVA edvin-libohova-665x450

Konferenca e Donatorëve dhe mesazhet që ajo përcolli te mbarë opinioni ndërkombëtar dhe te ne, më risollën në mendje një ide të hershme për Bankën e Zhvillimit, si një instrument efektiv për mirëmenaxhimin e fondeve madhore që vijnë nga jashtë.

Shtetet perëndimore me kohë kanë krijuar dhe mbështetur institucione të tilla, nëpërmjet të cilave kanë stimuluar segmente të caktuara të ekonomisë dhe kanë përshtatur politika specifike në etapa të ndryshme të zhvillimit të vendit. Një eksperiencë e tillë është përqafuar dhe aplikuar nga pothuajse të gjitha ish-vendet e Europës Lindore pas vitit 1990.

Kështu, ndonëse nën emërtime dhe struktura të ndryshme, të tilla banka u krijuan dhe vazhdojnë të funksionojnë në Slloveni, Hungari, Bullgari, Çeki, Rumani, Kroaci, Maqedoni etj., duke pasur si objektiv kryesor materializimin e politikave shtetërore në mbështetje të zhvillimit të sektorëve të caktuar (bujqësi, turizëm, eksport etj.) apo biznese të caktuara ( Micro, SME etj.).

Në përgjithësi, këto banka janë krijuar nga shteti dhe pjesa dërrmuese e kapitalit (në mos 100 %) është shtetërore.

Burimet e financimit të tyre, përveç kapitalit dhe fondeve të caktuara që shteti dedikon për zhvillimin e sektorëve prioritarë, janë edhe të gjitha fondet, grantet, kreditë apo linjat e financimit që shteti merr nga jashtë.

Një rëndësi të veçantë mori roli i tyre në periudhën që parapriu anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe që vazhdon edhe sot, pas anëtarësimit të tyre. Për ilustrim, le të shohim eksperiencat që na ofrojnë 2 shtete që ndodhen në statuse të ndryshme në marrëdhënie me BE-në – Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.

SLLOVENIA.

Slovenian Export and Development Bank (SID Bank) zotërohet 100 % nga shteti slloven dhe është bankë që promovon zhvillimin dhe eksportin në Republikën e Sllovenisë.

Ajo është krijuar në vitin 1992 si Slovene Export Corporation për të mbështetur sigurimin dhe financimin e eksporteve të kompanive sllovene.

Operacionet e SID Bank mbështeten në një strategji të qartë dhe në një model biznesi të bazuar në dokumentet e zhvillimit afatgjatë të Bashkimit Europian dhe të Republikës së Sllovenisë.

Përveç qindra milionë euro të kanalizuar në këtë bankë gjatë periudhës para dhe pas anëtarësimit në BE, së fundmi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë ka përzgjedhur SID Bank si manaxhues të Fund of Funds, nëpërmjet të cilit Sllovenia deri në vitin 2023 do të përfitojë 253 milionë euro nga Komuniteti Europian, për të mbështetur zhvillimin dhe sipërmarrjet.

MAQEDONIA E VERIUT.

Development Bank of North Macedonia (DBNM) është themeluar në vitin 1998 si Macedonian Bank for Development Promotion. Ajo është një shoqëri aksionere me kapital shtetëror, ku Republika e Maqedonisë së Veriut zotëron 100 % të aksioneve.

Misioni i saj si një bankë e zhvillimit dhe e eksportit në Republikën e Maqedonisë së Veriut është që të mbështesë krijimin e vlerave të reja bazuar në njohuritë, traditën kulturore dhe burimet natyrore të vendit, për një zhvillim të balancuar të të gjitha rajoneve anembanë RMV-së.

Banka ofron financime dhe mbështetje për: zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës për SME-të, sigurimin e kredive për eksport, zhvillimin rajonal etj.

Në periudhën e para anëtarësimit në BE, DBNM ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me shumë institucione ndërkombëtare, ku midis të tjerave dallohet linja e financimit me Bankën Europiane të Investimeve (European Investment Bank).  Faza e pestë e bashkëpunimit me këtë bankë është njoftuar në shtator 2018 me nënshkrimin e një kontrate të re me vlerë 100 milionë euro.

A mjaftojnë eksperiencat e këtyre 2 shteteve për të diskutuar alternativën e ngritjes së një banke për zhvillim?

Unë mendoj që po.

Ngritja dhe funksionimi i një strukture të tillë do të realizonte përqendrimin dhe menaxhimin e fondeve buxhetore me drejtim zhvillimin e sektorëve apo bizneseve prioritare (bujqësia, turizmi, SME-të etj.), si edhe të të gjitha financimeve që i vijnë shtetit nga jashtë (BE, institucionet financiare ndërkombëtare, donacione dhe financime shtetërore etj.).

Nëpërmjet një institucioni të tillë, menaxhimi i përqendruar i qindra milionë eurove do të ulte ndjeshëm kostot e financimit (kujtojmë që banka të tilla nuk kanë qëllim fitimin- sigurisht jo të dalin me humbje ), do të ofronte më shumë transparencë për donatorët dhe publikun, do të krijonte lehtësira shtesë te bizneset dhe individët e interesuar për t’i përthithur ato. Gjithashtu, kjo bankë, në bashkëpunim edhe me shoqëritë e sigurimeve, do të luante një rol të rëndësishëm në lëshimin e garancive për eksport, për linja financimi etj. Në programin ekonomik të qeverisë për periudhën 2013-2017 është parashikuar krijimi i një banke në dobi të zhvillimit bujqësor, por që deri më sot nuk ka pasur asnjë hap konkret në këtë drejtim.

Mendoj se ka ardhur momenti për të rihedhur në tavolinë idenë e një banke zhvillimi, opsion ky që mund t’i nënshtrohet një debati të gjerë me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të interesuar: politika, biznesi, ekspertët e fushës, institucionet ndërkombëtare etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura