A i dini gabimet që bëni kur hidhni Lotarinë Amerikane? Specialisti i vizave flet për detajet

Oct 18, 2017 | 21:39
SHPËRNDAJE

Në një intervistë për Arena në Ora News, Lorenc Mansaku, supervizor specialist për vizat pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, tregon procedurat që duhet të ndiqni për Llotarinë Amerikane.

20-12

Ndër të tjera, Lorenc Mansaku, shpjegon procedurat që do të ndiqen, si edhe gabimet që duhet të evitoni.

Arena Ora News: Dua ta nis me shqetësimin kryesor të shqiptarëve, përse u kërkua që të ribëhet edhe njëherë Llotaria Amerikane, cilat ishin arsyet?

Lorenc Mansaku: Arsyeja ka qenë, se pati një difekt teknik, i cili bëri që aplikimet e kryera nga data 3 tetor të mos jenë më të vlefshme. Prandaj të gjitha ato aplikime që janë bërë, duhet të ribëhen.

-Sot nis zyrtarisht ribërja e aplikimit për Llotarinë, çfarë ka ndryshuar, cilat janë procedurat që do të ndiqen?

Lorenc Mansaku: Procedura është e njëjtë, duke filluar që sot, nga data 18 tetor, deri më 22 nëntor 2017, në orën 17:00, personat e interesuar mund të bëjnë aplikimin e tyre online në faqen e internetit www.dvlottery.state.gov.

Kërkesat janë të njëjta, është kërkesa e arsimit, e shkollës së mesme me kohë të plotë, ose kërkesa mbi përvojën e punës.

-Për sa i përket aplikantëve të cilët kanë paguar, duhet të ripaguajnë?

Lorenc Mansaku: Aplikimi për lotarinë është falas. Ne i sugjerojmë të gjithëve që të aplikojnë vetë, të shohin udhëzimet në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane.

Nëse ju nuk jeni në gjendje që të aplikoni vetë, mund të përdorni ndihmën e një miku apo të familjarëve.

-Pra, çdo person që e ka bërë aplikimin deri në datën 15 tetor, duhet ta ribëjë, pasi nuk vlen?

Lorenc Mansaku: Është shumë e rëndësishme të theksojmë që çdo person i cili e ka bërë këtë aplikimin përpara datës 18 tetor, duhet ta ribëjë. Sepse ai aplikim nuk është i vlefshëm. Pra, nga data 18 tetor, ora 18:00 rifillojnë nga e para aplikimet për DV-2019.

 -Cila është pyetja që ju kanë bërë më shpesh këto ditë?

Lorenc Mansaku: Një nga pyetjet që shtrohet shpesh në Facebook është, ‘mund ta ripërdor fotografinë që përdora gjatë aplikimit nga data 3 tetor 2017 e në vazhdim?’ Ata munden ta përdorin të njëjtën fotografi. Si edhe, ‘a digjem unë se po bëj një aplikim të dyfishtë?’ Por, përderisa ato aplikime janë të pavlefshme, nuk është asnjë problem. Duhet patjetër të bëjnë një aplikim të dytë.

-Cila janë gabimet që bëjnë zakonisht shqiptarët gjatë aplikimit për Llotarinë Amerikane?

Lorenc Mansaku: Një nga gabimet ka qenë mospërfshirja e një fëmije, ose bashkëshortit/bashkëshortes, në momentin e aplikimit. Gabim tjetër në vitet e shkuara ka qenë mosvendosja e fotografisë së duhur. Këtë vit është mundësuar, që në momentin e bërjes së aplikimit, të mund të shohësh fotografinë që ke vendosur. Pra, ky gabim mënjanohet. Tjetër është që nuk lexohen rregullat se kush kualifikohet dhe kush jo, para se të aplikojnë.

Në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane, gjenden lehtësisht kriteret e kualifikimit. Të cilët janë dy, ose shkolla e mesme me kohë të plotë, ose përvoja e punës. Duke qenë se te përvoja e punës, shumë pak profesione kualifikohen, ne i vëmë theksin arsimit. Shkolla e mesme me kohë të plotë, këtu përfshihen gjimnazi, ose shkolla profesionale.  Një pyetje që na vjen është nëse janë me korrespondencë dhe kanë vazhduar studimet e larta. Por, nëse ky universitet njihet nga Ministria e Arsimit, sigurisht edhe ata kanë të drejtën e kualifikohen.

-Sa shqiptarë aplikuan deri në datën 15 tetor?

Lorenc Mansaku: Nuk kemi një numër në lidhje me aplikantët që kanë aplikuar, për shkak të problemit teknik.

 

Ambasada SHBA: 15 mijë shqiptarë kanë vizë të përhershme amerikane

Omer Medina, Zv/Konsull pranë Ambasadës Amerikanë në Tiranë, në një intervistë për Arena në Ora News, thotë se ndër vite numri i aplikuesëve shqiptarë për Lotarinë Amerikane, është i qëndrueshëm.

Zv/Konsulli tha për Arena se kuota e përcaktuar nga Kongresi për të marr vizën amerikane është 50 mijë, ndërkohë ende nuk dihet sa përqind e saj do të jenë fitues nga Shqipëria.

Arena Ora News: Kur ka filluar për herë të parë Lotaria Amerikane, cili është historiku i saj?

Omar Medina: Me Aktin e Emigrimit në 1990, u vendos nga Kongresi që të niste aplikimi në 1995. Si një përpjekje mbarë botërore, për të tërhequr emigrantët, kryesisht nga shtete të cilat nuk emigronin në Amerikë.

-Po në Shqipëri, kur filloi aplikimi dhe pse lindi nevoja të aplikohej?

Omar Medina: Shqipëria ishte një nga vendet e para, që filloi aplikimin, pra në 1995.  Siç e përmenda, donim të tërhiqnim qytetarë nga ato shtete të cilat nuk emigronin në Amerikë, e Shqipëria ishte një prej tyre.

-Sa shqiptarë kanë përfituar nga Llotaria Amerikane?

Omar Medina: Në 10 vitet e fundit, rreth 15 mijë shqiptarë kanë përfituar vizën. Këto janë viza të përhershme, për të jetuar në Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet Lotarisë Amerikane.

-Sa është numri i fituesve në vit, nga secili shtet, ka ndryshuar?

Omar Medina: Nuk e kam këtë informacion. Por, sa i takon Shqipërisë, numri i aplikuesëve është i qëndrueshëm dhe nuk ka pasur ndryshime drastike, përgjatë viteve.

-A ndikon kombësia për të fituar Lotarinë Amerikane?

Omar Medina: Kjo është një pyetje e mirë. Çdo vit, zyra www.travel.state.gov , publikon shtetet të cilat kanë të drejtë të aplikojnë. Pra, bën diferencë, pasi shtetasi duhet të jetë nga një prej këtyre shteteve. Në këtë mënyrë, ke mundësi të aplikosh për të marrë vizën nga Llotaria Amerikane. P.sh., shqiptarët kanë të drejtë të aplikojnë për këtë program, shtete të tjerë mund të mos kenë mundësi.

-Po në Shqipëri ka preference qyteti? Korça është qyteti i llotarisë, themi ne.

Omar Medina: Sapo erdha në Shqipëri, edhe unë e kam dëgjuar këtë gjë. Por, është një mit i pabazë, nuk ka asgjë të vërtetë në të. Realiteti është që programi administrohet në Kentucky dhe selektimi bëhet nga një program kompjuterik, në mënyrë të rastësishme. Nuk ka asnjë të dhënë për personat, kombësinë e tyre, rajonin.

-Sa është kuota pranuese për shqiptarët?

Omar Medina: Nuk jam i sigurt për numrin ekzakt, nuk e di nëse e kemi të disponueshëm atë numër tani. Por, di që bazuar në limitin nga e gjithë bota, i cili është 50 mijë, përcaktuar nga Kongresi, për të marrë vizën amerikane. Nga ky numër, vendoset një përqindje e ndryshme për rajone të ndryshme. Por, specifikisht për Shqipërinë, ende nuk i kemi të dhënat.

-A do të ketë ndryshim të politikave për llotarinë Amerikane, në Presidencën e z.Trump dhe premtimeve të tij për ashpërsimin e politikave emigratore?

Omar Medina: Siç e përmenda më parë, ky program është nisur nga Kongresi dhe nuk ka asnjë ndryshim sa i takon programit. Unë nuk mund të spekuloj për të ardhmen e programit, ndaj tani për tani, nuk ka ndryshime. Për sa ne dimë, çdo gjë vazhdon njësoj.

-A do të ketë një politikë selektive në të ardhmen, që do të favorizojë moshat e reja dhe ata me shkollim universitar specifik si doktorët, programuesit IT, etj?

Omar Medina: Kjo është një pyetje të cilën nuk ia di përgjigjen,  as se çfarë do të sjellë programi në të ardhmen. Pasi kjo është diçka që e vendos Kongresi, në vitet që do të pasojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura