A është opozita e dhunës dhe qeveria e paqes?

Dec 16, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE

ina zhupaINA ZHUPA

Opozita u akuzua se me protestën e 8 dhjetorit tregoi se ishte opozitë e dhunës, e vandalizmave. Sepse, protestuesit që u mblodhën për t’i dhënë mesazhin qeverisë, që nuk durohet më tirania e saj, zgjodhën që të shembnin bunkerin. Një simbol ky i lidhur fort me tiraninë. Po a është kjo opozitë e dhunës? Së pari, nëse kjo do ishte opozita e dhunës, do ta kishte treguar dhunën e saj me protestat e tjera që ka organizuar me kauza të ndryshme, që nga ardhja në pushtet e të majtës.

Opozita nuk është sot në ditën e saj të parë për ta gjykuar nga sot e tutje, por duhet gjykuar në tërësinë e funksioneve të saj në këto vite. Opozita është ajo që ka iniciuar amendime në ligje, që ka bërë kërkesa për çështje në Gjykatën Kushtetuese, është ajo që ka qenë e para që ngriti çështjen e dekriminalizimit dhe arriti një produkt, është ajo që merr pjesë në komisionin e përbashkët për Reformën në Drejtësi, në Këshillin Kombëtar të Integrimit.

Kjo opozitë e ka treguar veten që është e propozimeve dhe jo e dhunës. Aq shumë sa e kanë paragjykuar se nuk është e terrenit, pavarësisht se kryetari Basha dhe gjithë drejtuesit e kanë shkelur terrenin dhe kanë takuar qytetarët më shumë se çdo forcë tjetër politike në vend. Së dyti, nëse do të ishte dhuna rruga e opozitës, atëherë ato ishin përpara Kryeministrisë edhe do të kishin provuar që këtë dhunë ta bënin aty.

Sepse, nëse ka një burim zemërimi dhe zhgënjimi i qytetarëve për gjendjen që janë, është pikërisht puna në drejtimin e gabuar që bëhet nga ato zyra dhe të gjitha të tjerat në varësi të tyre. Por kjo nuk u bë, sepse nuk është dhuna identifikuesi i opozitës dhe luftës së saj politike. Aty u hodhën vezë si shenjë përbuzjeje dhe bojë e zezë për t’iu kujtuar që janë simboli që po ia ua nxin jetën shqiptarëve. Së treti, dhuna nuk mund të identifikohet me rrëzimin e një bunkeri të ndërtuar pa asnjë kuptim në mes të Tiranës, vetëm si një reminishencë e së shkuarës.

Bunkeri nuk mund të konsiderohet pasuri publike vetëm sepse është ndërtuar nga shteti. Pasuria publike është diçka e dobishme për të gjithë dhe të mund të aksesohet nga të gjithë. I tillë nuk është bunkeri i ndërtuar aty. Një bunker, që as historik nuk është, që nuk thotë asgjë për simbolikën sepse nuk është autentik, i ndërtuar në atë kohë komuniste që mund të tërhiqte turistë. Është një bunker, që tregon simbolikën e atyre që e ndërtuan, të cilët duan me çdo kusht që me simbolikë dhe me gjërat që bëjnë, të rikthehen në një tirani mbi popullin.

Kjo nuk është e pranueshme për një popull, i cili po me simbolikë u tregoi se do të shembë çdo lloj pushteti që tenton të jetë diktatorial. Sulmuan simbolikën dhe jo institucionet. Po ju rikujtoj që në mes të Tiranës është shembur busti i Enver Hoxhës edhe ai i ndërtuar nga shteti. A mund të konsiderohen ata që e rrëzuan që prishën një pasuri publike?!

Apo vallë duhet ta rindërtojmë edhe këtë për turistët dhe historinë?! Po nëse të gjitha këto nuk vlejnë dhe opozita është ashtu siç thotë Rama, atëherë më duhet të pyes a është qeveria e paqes dhe jo e dhunës? Studiuesi Galtung e përcakton dhunën si fyerje ndaj nevojave themelore të njeriut, dhe kur ul nivelin real të plotësimit të tyre nën atë të mundshmen. Kjo është dhuna strukturore.

Ne këtë kuadër, njeriu ka 4 tipa nevojash, shtypja e të cilave, ose bërja e pamundur e tyre, quhet dhunë. Këto janë: nevoja për mbijetesë, nevoja për mirëqenie, nevoja për identitet e kuptim dhe nevoja për liri. Nevojën për mbijetesë, qeveria Rama nuk ua ofron, por përkundrazi ia bën të pamundur qytetarit shqiptar. Sepse ne e dimë që qytetarët vranë veten sepse nuk paguan dot dritat, vranë veten sepse u pushuan nga puna. Vdesin si rasti i fundit i nënës nga Lezha nga i ftohti pa kushtet minimale për të jetuar, dhe qeveria i preu dritat si vetmja mënyrë për t’u ngrohur pak.

Ose rrezikojnë të vdesin nëpër spitale pa ujë, pa higjienë, pa ilaçe, pa kujdes minimal. Nevojën për mirëqenie, qeveria Rama nuk ua u ofron qytetarëve, por përkundrazi ua bën të pamundur. U mbyllën vetëm në muajt e fundit 73 mijë biznese, u mbush administrata me taksa e tatim mbledhës të paaftë dhe të korruptuar, u rritën gjobat dhe taksat, u detyrua fshatari të hidhte poshtë produktin dhe mundin e tij si rasti i mbjelljes së duhanit e shumë të tjerë.

Fshatarët sot kanë frikë edhe të dhurojnë ose të shkëmbejnë mall me njëri-tjetrin, sepse mund t’u dalë përpara dikush që u kërkon kupon tatimor. Nuk është bërë asgjë për vende të reja të punës, qoftë duke e lënë biznesin të rritet, qoftë duke ofruar vepra dhe shërbime publike. Asgjë nga këto. Nevojën për identitet e kuptim, qeveria Rama nuk ua ofron qytetarëve dhe ua bën të pamundur.

Azilkërkuesit janë shembulli më mirë, ku shqiptarët bëjnë çdo gjë për të ikur nga ky vend për të mos u identifikuar me këtë skamje dhe humbje shprese që po ndodh këtu. Ata nuk gjejnë më kuptim për jetën e tyre këtu dhe kërkojnë një identitet të ri europian dhe një kuptim të ri për jetën e tyre dhe të fëmijëve. Nevojën për liri, qeveria Rama nuk ua ofron qytetarëve, por, përkundrazi, e ka shënjestrën e preferuar.

Burgu është refreni i qeverisë për çdo kundërvajtje, për një qethje pa kupon, për një viç të shitur, për shpifje, për protestë, për gjithçka që nuk i pëlqen të tregon burgun. Liria është në çdo moment në rrezik sepse burgu nuk është më për kriminelet. por për çdo shqiptar, që nuk është ashtu siç e do qeveria.

Kjo tregon që qeveria Rama po ushtron dhunë çdo ditë te shqiptarët. Por kur shqiptarët bashkohen me opozitën dhe shembin një simbolikë, ata janë të dhunshëm dhe qeveria është paqësore. E mira është të shikohet e vërteta në sy dhe populli në sy, dhe t’ia japim fjalën sovranit. Ai le të vendosë se kush është i dhunës dhe kush është i paqes.

*Pedagoge UET

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura