A është “Mini-Shenzheni/ Shengeni” i Grenellit Mitrovica me emër të ri?!

Jun 25, 2020 | 10:29
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR BIBERAJ  Aleksander-Biberaj

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun KosovëSerbi, ambasadori Grenell, duke folur në “Newsmax” për negociatat e ditës së shtunë në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, u shpreh se po punonte për një “minizonë Shenzhen”, por nga shqiptimi nuk u kuptuar qartë nëse e kishte fjalën për “minizonë Shengen” siç është elaboruar tashmë si ide nga Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama apo e kishte fjalën për “zonën Shenzhen” në Kinë, që ishte edhe zona e parë e veçantë ekonomike, njëkohësisht edhe një eksperiment i hapjes ndaj kapitalizmit nga shteti komunist kinez?! Sido që ta ketë thënë ambasadori Grenell, urojmë që “minizona Shengen/Shenzhen” të mos të jetë Mitrovica me emër të e ri, pasi ky do të ishte edhe një kurban shumë i madh për shqiptarët nga negociatat ekonomiko-komerciale të së shtunës. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të kishim një zhvillim tepër negativ dhe regresiv, do të kishim një kthim pas në kohë dhe do të cenohej shumë rëndë tërësia territoriale dhe integriteti i Kosovës.

Kjo situatë e re hipotetike mund të sillte destabilitetin e rajonit nëpërmjet një cikli krizash etnike pambarim, gjë për të cilën Rusia është e interesuar dhe do të ishte më se e gatshme për të sponsorizuar shumë për të arritur këtë qëllim. Ambasadori Grenell bën gjithashtu një ndarje të punëve ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, pasi, sipas tij, “SHBA-ja do të merret me çështje ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës, përmirësimin e klimës së investimeve, pra, me një bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa me çështjet politike ndërkohë do të merret BE-ja”?! Faktikisht, kjo është edhe një qasje krejt e re dhe krejt e ndryshme nga modeli i mëparshëm amerikan, që ka pasur gjithmonë prioritet strategjitë politike dhe ato të sigurisë, ndërsa strategjitë ekonomike kanë qenë prioritet i rajoneve respektive ku ndodhnin edhe krizat.

Kjo është hera e parë që ndodh një zhvillim i tillë në politikën e jashtme amerikane në kontinentin europian, pasi SHBA është marrë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore me çështjet politike dhe ato të sigurisë, përfshirë Doktrinën Truman, Planin Marshall, krijimin e NATOs dhe të BE-së. Në vazhdimësi, në të gjitha krizat e pasviteve ‘90 SHBA është marrë me çështjet politike dhe të sigurisë (Marrëveshja e Dejtonit, Kosova, Marrëveshja e Ohrit), duke i lënë BE-së fushën ekonomike.

Fokusimi te raportet ekonomiko-komerciale në negociatat e ditës së shtunë, Kosovë-Serbi, do të ishte edhe precedenti i parë, por edhe një pikë kthese në politikën e jashtme amerikane në Europë, dhe, pa dyshim, një zhvillim i ri në marrëdhëniet transatlantike, të paktën deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të këtij viti. Të ndodhë gjithë kjo përmbysje e modelit të politikës së jashtme amerikane, pikërisht tani dhe pikërisht për negociatat Kosovë-Serbi, duket çudi e madhe, gjithsesi le të mos e paragjykojmë dhe të shpresojmë se është e sinqertë dhe për të mirën tonë dhe të rajonit?! Ndonëse në të vërtetë, që pas mbarimit të Luftës në Kosovë, në vitin 1999, marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të liberalizuara dhe progresivisht të avancuara, kryesisht për eksportet serbe, me përjashtim të rasteve specifike si tarifa 100%, raste që kanë qenë më shumë vendime politike sesa ekonomiko-tregtare.

Problemi madhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është ekonomia dhe as shkëmbimet tregtare, por është problemi politik i njohjes reciproke, që është i lidhur ngushtë edhe me paqen dhe sigurinë rajonale. Negociatat do të fillojnë të shtunën në Uashington, në terma ekonomiko-komercialë, për të vazhduar pastaj në korrik në Bruksel me terma politikë. Negociatat e Uashingtonit do te eklipsojnë edhe më tej rolin dhe historikun e bisedimeve Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuara nga BE, bisedime të cilat lidershipi i ri i BE-së i ka përcaktuar si prioritet dhe që tashmë kanë filluar pas vizitës javën e kaluar në Prishtinë të të dërguarit të posaçëm të BE-së për rajonin, ish-ministrit të Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak. Ndonëse BE është investuar që në fillim në negociatat Kosovë-Serbi, ato kanë qenë shumë të ngadalta, pa rezultate konkrete dhe shpeshherë, fatkeqësisht, drejtues të BEsë kanë qenë të njëanshëm, duke u bërë palë me Serbinë.

Kosova vazhdon të jetë vendi i fundit në rajon, të cilit nuk i janë liberalizuar vizat me BE-në, dhe kjo është një përgjegjësi dhe moskorrektesë shumë e madhe nga ana e BE-së, e cila, ndonëse i kishte premtuar akoma, nuk ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Edhe negociatat paralele tregojnë më së miri raportet diskrete SHBA-BE, duke pasur një mungesë totale koordinimi transatlantik, aq i nevojshëm dhe i domosdoshëm për përparim në Ballkanin Perëndimor të pasviteve ‘90.

Këto raporte duket se kanë çaluar sipas medias europiane dhe asaj amerikane edhe për arsye të natyrës kontroverse të ambasadorit Grenell, i cili nuk arriti të konsolidojë marrëdhëniet me Gjermaninë dhe Francën si lider të BE-së, përkundrazi, i thelloi divergjencat duke përmbysur në mënyrë aspak demokratike dhe në kohë pandemie në Kosovë, në shkelje të hapur të Kushtetutës, një qeverisje legjitime, e cila gëzonte mbështetjen e BE-së, ndërkohë që i hapi rrugë një qeverisje ilegjitime, me qëllimin e vetëm që qeveria e re të ishte palë në negociatat Kosovë-serbi. Rezerva ka sipas opinionit ndërkombëtar edhe për presidentët e Serbisë dhe Kosovës, respektivisht Vuçiç dhe Thaçi, si drejtues autoritarë që kanë përkeqësuar të gjithë treguesit e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendet e tyre, si dhe për lidhjet e forta të Vuçiç me Putin dhe për mundësinë e ndërhyrjes ruse në Ballkan.

Akoma më keq, sipas analistëve amerikane, duket se ka pak koordinim mes të dërguarit të posaçëm amerikan, Grenell, dhe ekspertëve amerikanë për apo në rajonin e Ballkanit. Në këto kushte, arsyet për skepticizëm rreth bisedimeve të së shtunës janë të shumta, përfshirë mungesën e transparencës, urgjencën e thirrjes së tyre, por edhe zhurmën që po bëhet prej kohësh për të ashtuquajturin “korrigjim kufijsh” apo “shkëmbim territoresh”. Së fundmi, këto hipoteza janë pranuar edhe publikisht nga ambasadori Grenell, por jo si qëndrime të Presidenti Trump, por si filozofi dhe vizion i ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare i Presidentit Trump, John Bolton. Nëse kjo është e vërtetë dhe e sinqertë, atëherë duhet të jemi të qetë, pasi bashkë me Boltonin nga Shtëpia e Bardhë kanë ikur edhe idetë e “korrigjimit të kufijve” apo “shkëmbimit të territoreve” dhe kjo do të ishte garancia më e mirë për negociatat e së shtunës. Ndonëse John Boltoni në librin e tij shumë të debatuar, të dalë këto ditë për botim, “The Room Where It Happened”, Kosovën nuk e pamend fare.

E gjitha sa më sipër, ka rritur shumë frikën për shumë njerëz në Uashington, në Europë dhe Ballkan, se qëllimi primar i administratës së Trump-it është më shumë një spektakël publik në ceremoninë në “Kopshtin e Trëndafilave”, duke nënshkruar çdolloj marrëveshje ndërmjet palëve, sesa zgjidhja përfundimtare e konfliktit. Gjithsesi, le të presim të shtunën, për të parë realitetin, i cili, i lutemi Zotit, të mos jetë kundër shqiptarëve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura