A është kjo Shqipëria që donit?

Nov 16, 2018 | 12:01
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ÇIPI/

Kastriot Çipi
Kastriot Çipi

I nderuar z. Ambasador! Javën e shkuar, mediat shqiptare njoftuan se, sipas “Gallup”, 79% e të rinjve shqiptarë të grupmoshës 15-29 vjeç duan të braktisin pa kthim Atdheun e tyre. Po, sipas “Gallup”, kjo ishte shifra më e lartë në botë. Me këtë rekord, Shqipëria kishte lënë pas edhe diktaturat, edhe vendet aktualisht në luftë. Meqë delegacioni i KE-së në Tiranë nuk e ka komentuar këtë sondazh, unë kam dëshirë t’ju pyes që në fillim: A është kjo Shqipëria që ju, burokratët e KE-së donit?

Për t’jua bërë më të lehtë përgjigjen, po ju rrëfej një histori të vërtetë dhe personale, personazhe të së cilës jemi unë dhe im bir, atëherë 10 vjeç (të dy jashtë grupmoshës së sonduar nga “Gallup”), si edhe “shërbëtorët publikë”, që paguhen me taksat tona dhe asistencën e KE-së për të zbatuar ligjin dhe për të bërë drejtësi në këtë vend.

Më 8 nëntor 2016 jam denoncuar nga ishbashkëshortja, se kisha takuar djalin tonë jashtë orarit të takimeve të caktuar nga Gjykata. U thirra në telefon nga polici Gjergji Tola për të dhënë sqarime, në Komisariatin nr.2 të Tiranës. U paraqita vullnetarisht. Polici kërkoi që unë të sillja djalin në Komisariat. Unë kundërshtova duke argumentuar se e ëma ishte e lirë ta merrte kur të donte, por djali nuk kishte pse hynte në mjediset e frikshme të Komisariatit, për më tepër pa praninë e psikologut. Në fund të fundit, prania e tij në Komisariat nuk kishte si ta ndihmonte hetimin, për sa kohë unë po pohoja se ai ndodhej në shtëpinë time dhe disponoja prova, video dhe mesazhe telefonike, që vërtetonin se takimi ishte kryer me kërkesë të fëmijës dhe me dijeninë dhe miratimin e së ëmës.

Por polici i rilindur nuk donte të dëgjonte argumente, as të administronte prova. Ai urdhëroi izolimin tim në qeli, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime për veprën penale “veprime në kundërshtim me vendimet e Gjykatës”. E njëjta vepër penale që kishte kryer shefi i tij, Saimir Tahiri, duke shitur makinën në të zezë, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës që e detyronte të paguante një dëmshpërblim për shpifje.

Nuk m’u dha një formular deklarimi, përmes të cilit të deklaroja kontaktet e avokatit tim, ose të kërkoja një avokat të caktuar nga shteti. U mbajta katër orë në qeli. Më thoshin se askush nuk ishte paraqitur si avokat për të më mbrojtur. Avokatit tim, ndërkohë, i thoshin se unë nuk e kisha deklaruar emrin e tij në formularin përkatës. M’u refuzua edhe ndihma mjekësore, pasi pata rritje të tensionit. Gardiani madje tallej e thoshte se do të më çonin në spital, nëse do të isha duke tundur këmbët.

Pas katër orësh më dërguan edhe një herë në zyrën e policit Gjergji Tola, ku më kishin rezervuar edhe surprizën më të poshtër që mund t’i bëhet një babai: përballjen me fëmijën! Im bir 10- vjeçar qante me dënesë. I kishin thënë se ai, fëmija, kishte shkelur ligjin dhe për këtë arsye, babai i tij kishte hyrë në burg dhe se do të dilja nga burgu vetëm nëse ai shkonte tek e ëma dhe nuk e përsëriste më gabimin e takimit me mua. Pas kësaj torture ndaj tim biri, polici Gjergji Tola më tha se kishte ndryshuar mendim dhe më cilësonte thjesht “person që ka dijeni për ngjarjen”. U ndava prej tij, duke i premtuar se nuk do ta lija me kaq. I kërkova Komisariatit nr.2, në bazë të ligjit, dosjen e shoqërimit tim. E mora vetëm pas gjashtë muajsh. I kërkova dosjen Prokurorisë. E mora vetëm pas katër muajsh, bashkë me vendimin e mosfillimit të procedimit penal. Iu drejtova Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pranë Ministrisë së Brendshme. Ata “hetuan” gjashtë muaj dhe arritën në përfundimin se e gjithë procedura ishte konform ligjit(!). Iu drejtova edhe Avokatit të Popullit. Ata “hetuan” për tre muaj dhe më sollën si përfundim vetëm opinionin e Komisariatit nr.2: Asnjë shkelje procedurale.

Askush nuk më tha se në cilin ligj bazohej tortura psikologjike ndaj fëmijës, në mjediset e Komisariatit, pa praninë e psikologut. Askush nuk më tha se në cilin ligj bazohej mungesa e formularit për deklarimin e personit të shoqëruar në lidhje me avokatin e kërkuar.

Iu drejtova emisionit investigativ “Stop”. Ata e morën dosjen me dokumentet. Pas një jave, gazetarja nuk hapte më telefonin dhe nuk përgjigjej me sms. Iu drejtova emisionit investigativ “Boom”. Ata e hetuan seriozisht, bënë intervistë me djalin, me mua e të tjerë. Bënë edhe xhirime me kamera të fshehta. Ditët e para të qershorit kronika u planifikua për transmetim, por përplasja me fushatën zgjedhore bëri që të transmetoheshin vetëm disa minuta. Më pas kronika u hoq nga struktura e programit. Nuk u transmetua më kurrë. Shkova te “Ora News” dhe kërkova materialet video, të paktën intervistën time dhe të tim biri. As ato nuk m’i dhanë. Më thanë nën zë vetëm se transmetimi ishte anuluar me urdhër të pronarit, i cili kishte marrë një telefonatë nga Fatos Klosi, ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Vetëm atëherë e kuptova guximin e një polici me kokë si kërcu. Ai polic nuk kishte frikë as nga zinxhiri i eprorëve të tij, deri në Ministri e SHÇBA, as nga Avokati i Popullit, as nga Gjykata e Prokuroria, e madje as nga media! Tashmë e kisha kuptuar, djalin nuk ma kishte torturuar një polic kriminel apo psikopat, por një sistem i tërë mafioz, që shtyp përditë qytetarin e thjeshtë dhe i hap rrugën mafiozëve me imunitet.

Ndërkohë, Kuvendi miratoi me 100% të votave të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, të hartuar nga Fondacioni Soros dhe të mbështetur fort nga paraardhësja juaj Vlahutin dhe ambasadori amerikan Lu. Falë kësaj “reforme”, ne sot jemi i vetmi vend në botë pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe me Kryeprokurore “të përkohshme” të zgjedhur me 69 vota, në kundërshtim me Kushtetutën, por me bekimin e Vlahutin dhe Lu! Në këta dy vjet, ne kishim një ministër që është ende në hetim për trafik droge, pastaj një tjetër, vëllai i të cilit sot vuan dënimin për trafik ndërkombëtar droge në Itali dhe pritet të kemi nesër një të tretë, që ka qenë këshilltari i Kryeministrit për sigurinë kombëtare në pesë vitet e fundit, pra, ndërkohë që kishim dy ministrat e parë dhe në Shqipëri filloi trafiku i drogës me avion dhe radarët e marinës fikeshin sa herë duhej të kalonin anijet me drogë. Unë e besoj sondazhin e “Gallup”, sepse nuk i kam harruar fjalët që i thashë tim biri, në sy të sadistit Gjergji Tola: “Ngrije kokën bir dhe mos qaj. Shikoje mirë këtë kafkë! – i tregova me gisht kërcurin prapa monitorit të kompjuterit – Kjo është fytyra e shtetit që nuk merret me trafikantët dhe vrasësit, por me ne, që takohemi me njëri-tjetrin! Prandaj të them mëso mirë në shkollë, që të bëhesh i zoti për vete, të ikësh nga ky vend e të mos kthehesh më kurrë këtu!”

I nderuar z. Ambasador!

Shpresoj shumë të më përgjigjeni. Sa për mua, përgjigja ime është negative: Nuk është kjo Shqipëria që dua! Nuk është kjo Europa që dua! Nuk është kjo ajo që kisha ndërmend, kur thërrisja bashkë me shokët e mi studentë, në dhjetor 1990: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura