A është i mundur pajtimi 75 vjet pas çlirim-pushtimit?

Nov 28, 2019 | 10:50
SHPËRNDAJE

pirro-ahmetaj

NGA GJENERAL PIRRO AHMETAJ
Jemi në ditët e fundit të festi meve zyrtare të 75-Vjetorit të Çlirimit të vendit.

E gjej të padenjë dhe zhgënjyese njëherësh, që në vend që kjo ngjarje të shërbente për të mjekuar plagët, paqen sociale, harmoninë dhe pajtimin ndërmjet mbarë qytetarëve të stërmunduar, shoqëria (përfshi çuditërisht edhe 30-vjeçarët e lindur pas përmbysjes… së regjimit komunist!), vijon të mbetet e keqmbërthyer në një debat me ndasi ekstreme.

Për më keq, edhe pas 27 vitesh, kushdo që ka një këndvështrim ndryshe, etiketohet me histeri enveristësh si: “tradhtar i kombit, nuk e do mëmëdhenë; nuk respekton luftën, shkel mbi gjakun e 28 mijë dëshmorëve ….”, e të tjera broçkulla si këto. Fatkeqësisht, kjo “paradë bolshevike” demonstrohet çdo fund nëntori me banderola në bulevarde; garën për fjalime “të zjarrta institucionale”, paradë-ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve; shallin me yllin e kuq sovjetik rreth qafës, dekorata, grushtin e bashkuar lart dhe fotot e diktatorit/ve në rrugët e qyteteve etj.

Pavarësisht se ERTV.com dhe jo vetëm, këtë spektakël të mirëorkestruar u’a faturon “ca nostalgjikëve të rrjedhur”, të cilëve, për t’u “privatizuar votën” në mbrëmje, u shtrohen gosti dhe ngrihen dolli! Gjithsesi, kjo qasje inspirohet nga platforma e Katovicës (Poloni), pinjollët e Bllokut, si dhe ish-Sigurimi kriminal i Shtetit, që, ashtu siç e përcakton Kadareja: “monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar,… ndiejnë më shumë siguri sa herë që njerëzit e tij ngjiten në sipërfaqe … bëhen të suksesshëm, të kafshojnë si dikur”.

Në fakt, nuk janë vetëm në sipërfaqe, por … Do lutesha të isha gabim, po me keqardhje gjej se riciklimi 27 vjet rresht në këto beteja (ku lindën dhe u farkëtuan kjo farë udhëheqësish legjendarë!), kjo qasje përçudnuese nuk ka të bëjë aspak me nderimin e Luftës Çlirimtare, as “mos bëhet ujë gjaku i të rënëve”, por sponsorizohet nga lufta “brenda establishmentit politik të dështuar” për të “kapur dhe kapitalizuar tregun e votuesve”, si dhe për të frymëzuar ushtrinë e nostalgjikëve, militantëve dhe sekserëve në betejat elektorale të radhës, për të mbrojtur (mbajtur) pushtetin nga kundërshtarët politikë: “armiqtë e brendshëm, të jashtëm ose koalicion armiqsh” .. dhe duhet pranuar se “so far” ia kanë dalë jo pa sukses! Për ta ilustruar, para një viti mora pjesë në nderimet zyrtare për çlirimin e Tiranës (foto b/l). “U neverita sinqerisht”, që 27 vjet pas përmbysjes së komunizmit, 10 vjet mbas anëtarësimit në NATO, një udhëheqës shume i ri (raising star) i krahasonte demonstruesit e lirë para bashkisë me: “fashistët kur lanë Tiranën”, ndërsa një politikan/zyrtar mitingjesh, në lidhje me debatin moral (a duhet kërkuar falje për krimet e komunizmit?), e “menderosi fare i ziu” duke iu kërkuar “kolaboracionistëve” të “ngriheshin nga varret ku i varrosi të gjallë regjimi i Hoxhës” dhe t’u kërkonin falje vrasësve ..!! Si gjeneral, me funksione të larta brenda dhe jashtë vendit (NATO), gjithsesi do të keqparagjykohem nga përfshija në këtë “debat të nxehtë”.

Edhe pse “jam në paqe me vetveten”, se e kundërta fare, kontributi për pajtimin kombëtar mbetet qëllimi i vetëm i këtij opinioni. Ndërsa për “nostalgjikët e verbër të diktatorit vrasës”, i lutem Zotit “t’i falë se nuk dinë se çfarë bëjnë”. Nuk po bëj as historianin, as analistin e gjithëdijshëm, thjesht po përpiqem të “zgjoj vetëdijen e shoqërisë për të vërteta që na bashkojnë” dhe kështu, shpresoj të kontribuojnë modestisht për “mjekimin” e pajtimit mbarëshoqëror në raport me këtë ngjarje/ çlirimin dhe jo vetëm. Thënë këtë, ndërtimi i masave të pajtimit kombëtar dhe harmonisë mes vedit/shqiptarëve, stabilitetin demokratik të shoqërisë, paqen sociale, solidaritetin dhe tolerancës mes mbarë qytetarëve nuk e gjej të pamundur, por një mision fisnik, detyrim shtetëror dhe qytetar njëherësh. Në të njëjtën kohë, besoj edhe më fort se ilaçi më i mirë për pajtimin dhe harmoninë është të mos lodhemi së reshturi të “eksplorojmë” të vërtetat që e bashkojnë shoqërinë.

Pikërisht, qëllimi i këtij opinioni është të sjellë në dritë një paketë të vërtetash (sipas meje), të cilat më tej mundet të shërbejnë edhe si “recetë ilaçesh” të një “Platforme të mirëbesimit reciprok” për sa i përket:”çlirimit të vendit nga okupatorët”,  çështjet e sigurisë mbarëkombëtare etj. E vërteta (ilaçi) nr.1: Pavarësisht kundërshtive për rreshtimin, pikëpamjet, detajet për ditën, natën, datën, orën, numrin e të rënëve etj., çlirimi i vendit nga fashizmi mbetet një ngjarje me vlerë kombëtare, që kurrsesi nuk i ndan, por i bashkon mbarë shqiptarët. Prandaj, pa mëdyshje meritojnë nderim, lufta e drejtë, sakrificat sublime dhe kontributet e popullit tonë gjatë Luftës II Botërore. Po ashtu, meritojnë përuljen “emër për emër dëshmorët e atdheut”, si dhe respektin për të gjithë brezin e veteranëve, që pa dallim feje, bindjesh politike, krahine dhe ideje, iu bashkuan koalicionit antifashist dhe me sakrificat e tyre shkruan një histori lavdie për vendin dhe kombin tonë.

Duke pranuar këtë të vërtetë, duhen refuzuar, dënuar dhe mëshiruar inspiruesit e mohimit të luftës, denigrimin e luftëtarëve/partizanëve (si terroristë!!), duke nënvizuar fort që ky “keqshtrembërim” është i pavërtetë, për më keq, minon shumë rëndë përpjekjet për paqe, harmoni dhe pajtim kombëtar. E vërteta (ilaçi) nr. 2: Mbetet krenari legjitime një e vërtetë e njohur botërisht, që vendi ynë u rreshtua në koalicionin antifashist (me fitimtarët), “Shqipëria u vetëçlirua pa çizmen e Ushtrisë së Kuqe sovjetike” si dhe numrin e të rënëve, i vulosur në tabelën e viktimave të Luftës II Botërore. Përtej propagandës, na duhet ta “besojmë si të vërtetë” se kjo shifër (edhe pse shumë e ekzagjeruar) është”fix-ed” për të rritur peshën e luftës dhe bashkë me të, masën e dëmshpërblimit që e meritonin shqiptarët për sakrificat dhe kontributet në këtë luftë. Pastaj, gërmimin e detajeve “për shifrat etj.”, nuk e shoh pragmatikisht “të mençur”, pasi si të gjitha kombet, edhe ato të vogla kanë nevojë jetike të “skalisin” ngjarje, data dhe simbolika lavdie në historinë e tyre kombëtare.

E vërteta (ilaçi) nr. 3: Përjetimi patriotikofolklorik i historisë së shkruar nga diktatori- Hoxha mbi peshën botërore të Luftës Nacionalçlirimtare, sasinë e forcave, brigadave, armatave; ekzagjerimi i numrit të të rënëve në luftime të përgjakshme, “denigrimi” deri në banalitete i kundërshtarëve politikë të kohës (p.sh Ballit Kombëtar) “të paditur si p.sh, Mid’hat bej Frashëri (!); frikacakë ordinerë, të uritur sa vidhnin pulat e fukarenjve”, si dhe përgjatë 45 vitet në vijim: vrasja, burgosja dhe persekutimi çnjerëzor i pothuajse të gjithë drejtuesve të lartë ushtarakë në zinxhirin e komandimit të Luftës Çlirimtare, e poshtëron luftën, i përçmon të rënët dhe i përdhos sakrificat e papërshkruara të shqiptarëve. Përtej “lajthitjeve” në veprat e Hoxhës, na duhet të pranojmë se çlirimi i Shqipërisë nuk erdhi vetëm si pasojë e luftës, qoftë edhe heroike të shqiptarëve, pasi rikthyer në rrethanat gjeopolitike të luftës, çlirimi nuk ishte një ngjarje e izoluar, apo jo? Vetëm të përmendim se bisha hitleriane, mbas Stalingradit, Kurskut etj., kishte marrë tatëpjetën. Kështu, në shtator 1943, njësitë gjermane kishin për mision: “të kapnin me çdo kusht venddislokimet, bazat, infrastrukturat dhe armatimet e Italisë së kapitulluar”. Më tej, në nëntor 1944: “të siguronin rrugëkalimet në kushtet e një tërheqjeje strategjike (për kundërgoditje finale) të të gjithë ushtrisë naziste”. Thënë këtë të vërtetë, nuk mohohet lufta, as nuk bëhet “ujë gjaku i të rënëve”, as politizohen dhe as privatizohen sakrificat e shqiptarëve.

E vërteta (ilaçi) nr. 4. Na duhet ta pranojmë se vendet e vogla si ne, do vijojnë ta kenë të pamundur të jenë aktorë që të vetëpërcaktojë fatet gjeopolitike të ngjarjeve historike. Siç e përshkruan “mrekullisht” Presidenti Kissinger në librin “Diplomacy”, fatkeqësisht rreshtimi i Shqipërisë në kampin lindor (nën sundimin stalinist), nuk u realizua nga prezenca fizike e Ushtrisë se Kuqe, as nga e drejta e vetëvendosjes dhe as nga fuqia e udhëheqësve lokalë të kohës, por nga dakordësia e të mëdhenjve (fuqive të mëdha). Dhe besoj, të pranohet gjerësisht fakti se falë këmbënguljes së UK-së (Çurçillit) mbas një lufte civile (inspiruar nga pangopësia e Rusisë për të zgjeruar influencën gjeostrategjike në Mesdhe), fatmirësisht Greqia mbeti në pjesën perëndimore, duke shpëtuar në të njëjtën kohë edhe një opsion fatal të ndarjes territoriale të Shqipërisë. E parë në këtë këndvështrim, rreshtimi në Lindje (pushtimi nga djajtë e kuq) as i jep kredite, as i “mitizon”, as i “denigron”, as i shfajëson aktorët e kohës. Pra, çlirimi, përtej vlerave të pamohueshme të luftës, në themel ishte vepër e aktoreve të mëdhenj, koalicionit antifashist Rusi-SHBAUK.

Dhe kështu, shpresoj të bihet dakord qetësisht që kontributi i Shqipërisë ishte modest në pikturën e madhe (big picture). Me fjalë më të thjeshta, nëse Shqipëria do të kishte aplikuar një “përqasje me të mençur” (opsioni politik i Ballit Kombëtar), sidomos mbas kapitullimit të Italisë, potencialisht nuk do të kishte vuajtur pasojat e një lufte me të vrarë, plagosur, shkatërrime etj., dhe do ishte çliruar gjithsesi jo më vonë se 9 maji 1945, apo jo? E vërteta (ilaçi) nr. 5: Me definicion ndërkombëtar: “Dita zyrtare e çlirimit të një vendi është data kur është ulur flamuri i pushtuesit në kryeqytet dhe institucionet qendrore dhe në vend të tij është ngritur zyrtarisht flamuri kombëtar”. Parë kështu, debati banal: “më tha axh/xha filani mua se në datën kaq dhe orën aq kishte parë një ushtar nazist, që kapërceu kufirin në këmbë ose me zvarritje në Hanin e Hotit…” etj., nuk bëhet për të respektuar luftën, por vetëm për të frymëzuar dhe shtrënguar radhët e votuesve militantë dhe kamikazë rreth partisë dhe udhëheqësit/ve të dështuar. Ndërsa duhet shtuar se e gjej cinike këmbënguljen për datën e 29 nentorit, e cila pas 27 vitesh tregoi se vijon t’i mbajë ende të ndarë shqiptarët.

Për më keq, kjo datë, qoftë edhe rastësisht (unë mendoj djallëzisht) mbart simbolike antishqiptare, pasi ishte një “provë” e luftës për pushtet dhe vasalitetit të E. Hoxhës, per të njehsuar ditën e çlirimit të Shqipërisë me festen kombetare te Federates së Jugosllavisë (shpallur nga Marshalli Tito në Jajce, me 29 nentor 1943). Thënë këtë, besoj se data 17 nëntor 1944 (çlirimi i Tiranës) do kishte gjetur një konsensus të gjerë dhe do kishte kursyer energji për nderimin e paqes, harmonisë, bashkimit dhe pajtimit kombëtar. E vërteta (ilaçi) nr. 6: përtej llogarive meskine të oligarkëve të ditës, pas 30 vitesh duhet të pranohet gjerësisht se mbas çlirimit nga fashizmi në nëntor 1944, njësoj, ndoshta më barbarisht se çdo pushtues, regjimi komunist në Shqipëri: “U mori jetën, pronën, të drejtën e fjalës dhe besimit shqiptarëve”.

Mos të bëjmë sikur vijmë nga Marsi! Pa pranuar qetësisht këtë të vërtetë kritike, pa shprehur respekt, keqardhje, pendesë, ndjesë njerëzore dhe solidaritet mbarë shqiptarësh për viktimat dhe vuajtësit e “skalionit të parë”, ndërtimi i paqes dhe pajtimi kombëtar “mes sho-shoqit” mbetet mision i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kështu, duhet lexuar pa “verbëri biografike” e vërteta se pas çlirimit nga fashistët, përgjatë 45 viteve, “djajtë e kuq të Tiranës zyrtare” kryen dhjetëra mijëra vrasje makabre, qindra e mijëra burgosje dhe internime të qytetarëve të pafajshëm. Ishin apo jo bashkëpunëtorë të fashizmit, më tej, ishin apo jo “agjentë të imperializmit amerikan, revizionizmit sovjetik, tradhtarë të partisë dhe udhëheqësit të ndritur!!”, ishin lodra fjalësh, statistikë, “vendi në radhë rresht” dhe koha/kur do të “vërviteshin për të ushqyer makinerinë e krimit”. Produkti/ shembulli, besoj më i pamohueshëm dhe trashëgimia e këtij pushtimi ishte Shqipëria e vetizoluar, shqiptarët e rraskapitur të viteve 1990, si dhe kjo elitë politike e konsumuar, e korruptuar dhe e deformuar.

E vërteta (ilaçi) nr. 7: Megjithatë, për hatër të së vërtetës, duhet “rikthyer shiriti i kujtesës”, se aplikimi i “modelit bolshevik” të diktaturës së proletariatit (të gjitha pushtetet sovjetëve/fitimtarëve), sigurisht nuk ishte vetëm në dorën e aktorëve lokalë të Partisë Komuniste. Kështu, diskutimet e historianëve: “sikur Balli të kishte bashkëpunuar me partizanët.. .. sikur Mukja të ishte e suksesshme ..?!” dhe përralla të tilla, as do kishin ndryshuar rreshtimin e Shqipërisë në Lindje, as “ndarjen e pushteteve” dhe njëherësh, as nuk do të kishte ndryshuar fatet e pushtimit nga diktatura e proletariatit. E vërteta (ilaçi) nr. 8: Shpresoj të njihet gjerësisht fakti se, në shumicën dërrmuese të vendeve të sunduara (pushtuara) nga “modeli stalinist” u aplikua dënimi i krimeve të komunizmit, i personazheve dhe aktorëve të kohës: “Sekretarëve të Parë, anëtarëve të Byrosë Politike, drejtuesve të Hetuesisë dhe Sigurimit kriminal të Shtetit”. Afërisht, këtë “qasje” besoj shpalosi edhe shkrimtari, i ndjeri Dritëro Agolli në 1991, në Kongresin e transformimit (rilindjes) së Partisë Socialiste nga ajo e Punës! Besoj, me të drejtë, Shqipërisë, në rrethanat e një vendi të vogël iu imponua një qasje tjetër, ku e ku më e butë nga rasti i Rumanisë etj.!!. Pasojat do ishin fatale për vendin, vëllavrasja nuk do t’i shërbente askujt. Gjithsesi, mësimi i përbotshëm i historisë është se ngjarjet makabre që lihen në harresë, që nuk dënohen, rrezikojnë të përsëriten.

(Forgive, but do not forget). Në përmbledhje, “lavdia e ekzagjeruar e luftës, privatizmi i ngjarjeve, nëntor 1941/1944/, dhjetor 1990; anëtarësimi në NATO, BE, etj.”, thirrjet për rikthimin tek armët, mitizimi i udhëheqësve, shërben si kalë beteje i luftës së “oligarkëve të pangjyrë dhe mendjedhjamosur”, por nuk i shërben aspak misionit të ndërtimit të paqes, harmonisë dhe pajtimit mbarëkombëtar. Besoj, më mirë herët se vonë, qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të zgjohen dhe me fuqinë e “votës së lirë”, të ndeshen, ta përbuzin, ndalin dhe tejkalojnë këtë “status quo donkishotësh”, të dalldisur dhe të mbaruar njëherësh. Në këtë logjikë, “ilaçi më i mirë janë të vërtetat që i bashkojnë, jo që i ndajnë shqiptarët”. Por, për të qartësuar keqkuptimet dhe qetësuar (nëse ka) të lënduarit nga ky këndvështrim, dëshiroj të përsëris përuljen më të thellë (u heq me respekt kapelën) për të gjithë ata/o bij/a nënash, që dhanë (apo ua morën padrejtësisht) jetën, për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e dy pushtimeve (fashizmit dhe komunizmit), si dhe nderimin më të sinqertë për të gjithë ata/o miliona nëna, baballarë, vëllezër dhe motra, shqiptarë që kontribuuan me sakrifica, ndershmëri dhe përkushtim të keqshpërblyer.
* Ish-këshilltar ushtarak për dy presidentë të republikës; Zëvendës SHSHPFA & Përfaqësues Kombëtar në NATO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura