A është e frikshme rënia e euros?

Jun 5, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

ErjonGjoci2ERJON GJOCI*

Duke filluar nga viti 2009 deri më sot, leku si monedhë ka demonstruar stabilitet dhe kjo ka bërë që shumë investime në lekë, të mos kenë humbje në vlerë. Ata punonjës që jetojnë me një rrogë bazë dhe paguhen në lekë, kanë pasur mundësinë që të bëjnë plane për të ardhmen dhe njëkohësisht llogaritë e tyre të mos humbin vlerë. Ndërsa euro ka pësuar rënie konstante në kursin e këmbimit kundra lekut në pesë muajt e parë të vitit 2018.

Siç është parë gjatë këtij viti, nga janari 2018 një euro këmbehej me 133.7 lekë, ndërsa në fund të muajit maj 2018 këmbehej me 125.2 lekë, që do të thotë 6.3% më pak. Për çdo person që ka pasur një llogari në EURO nga janari 2018, sot ka 6.3% më pak fuqi blerëse. Për një biznes që është i bazuar në eksporte dhe ka lidhur kontrata afatgjata, të ardhurat e këtij biznesi kanë pasur rënie deri në 6.3%. Thënë në një mënyrë më të thjeshtë, shumë biznese që janë eksportuese nuk e kanë më marzhin e fitimit që kishin planifikuar dhe ka raste që mund të dalin edhe me humbje.

Nëse e marrim në aspektin makroekonomik, kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë, duke e ditur se jemi një vend që importojmë dy herë më shumë sesa eksportojmë. Grafiku më poshtë shpjegon qartë vlerën në miliardë lekë për katër muajt e parë te këtij viti. Totali për katër muajt e parë tregon se bizneset shqiptare kanë eksportuar 101 mld lekë dhe kanë importuar 198 mld lekë. Bazuar në këto të dhëna, gjatë sezonit turistik, me rënien e euros parashikimet janë se eksportet do të kenë një rënie te vogël ne vlerë dhe importet do kenë një rritje të lehtë në tre muajt e verës (qershor, korrik, gusht). Të dhënat nga INSTAT-i demonstrojnë se për Shqipërinë historikisht tregtia me jashtë ka diferencën më të madhe gjatë muajve të verës.

Për më tepër, shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së të publikuara nga INSTAT-i për katërmujorin e parë të vitit 2018, zënë 67,7 % të gjithë tregtisë. Në periudhën janar – prill 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 78,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 62,3 % të importeve gjithsej. Ky informacion e rrit nevojën që tregu shqiptar ka për mbarëvajtjen e kursit të këmbimit EURO vs. Lekë. Teorikisht, rënia e euros ka një impakt pozitiv në importe dhe negativ në eksporte. Thënë ndryshe, me rënien e vlerës së euros, importet janë relativisht me të lira dhe kjo duhet të rezultojë në çmime më të arsyeshme për tregun shqiptar.

grafik import-export

Përsa u përket eksporteve, e njëjta sasi produktesh do të kishte më pak vlerë nga rënie e euros. Por siç shihet nga grafiku më sipër, kjo nuk ka pasur ndikim të rëndësishëm në eksporte. Arsyeja për këtë është se bizneset eksportuese në Shqipëri, si për eksportet ashtu edhe për marrëdhëniet tregtare brenda vendit, monedhë kryesore kanë euron. Madje, disa prej këtyre kanë edhe plane afatgjate, që shikojnë euron si monedha e së ardhmes dhe nuk bazohen në kursin e këmbimit. Kostot nga kjo gjendje janë më shumë për punonjësit që paguhen në euro dhe familjet që jetojnë bazuar në remitanca, që vijnë nga vende të ndryshme të BE-së.

Një shtresë tjetër që po humbet gjatë kësaj periudhe janë ato familje shqiptare, që duke mos pasur besim në stabilitetin e lekut, një pjesë të kursimeve të tyre i kanë këmbyer në euro për shërbime afatshkurtra. Arsye kryesore për rënien e euros janë politikat që Banka Qendrore e Europës, ECB, ka ndjekur duke filluar nga muaji mars 2015 dhe pritet që të përfundojë nga fundi i këtij viti. Një politikë e ngjashme me atë të ndjekur nga Banka Qendrore në SHBA që nga viti 2008.

Përsa i përket kursit USD vs. Euro: usd ka pasur rritjen më të madhe kundra euros në dhjetor 2016, ku 1 euro këmbehej me 1.05 usd dhe vlerën më të ulët në janar 2018, ku 1 euro këmbehej me 1.24 usd. Banka Qendrore në SHBA ka filluar rritjen e normës së interesit në vitin 2016, duke e rritur me 0.25% çdo vit. Momentalisht, norma e interesit është 1.75% (federal funds rate) dhe parashikohet të shkojë deri në 3% në vitin 2020. Një politikë të ngjashme pritet që Banka Qendrore e Europës të fillojë nga fundi i 2018-s ose në fillim të vitit 2019.

Ngaqë të dyja bankat po ndjekin metoda të ngjashme, kursi i këmbimit midis tyre do të ndikohet më shumë nga politikat fiskale sesa ato monetare. Ne këtë mënyrë, luhatjet midis dy monedhave më të rëndësishme do të vijojnë edhe në periudha afatgjata. Duke qenë se 78.3% e eksporteve shqiptare shkojnë drejt vendeve te BE-së, kjo ka bërë që euro të ndikojë më shumë në Shqipëri dhe ndjekja e politikave të Bankës Qendrore të Europës është esenciale për tregun shqiptar.

Politika Monetare: Banka Qendrore e Europës ka blerë bono thesari te bankat e nivelit të dytë dhe kjo ka rritur sasinë e euros në treg. Duke qenë se bankat e nivelit të dytë kanë në dispozicion më shumë euro, kostoja e huamarrjes për investitorët është shumë më e lirë dhe kjo ka rezultuar në rritjen e nivelit të investimeve në Europë dhe qarkullimin e euros në tregun ndërkombëtar. Edhe njëherë, kjo politikë e ndërmarrë nga Banka Qendrore e Europës pritet të përfundojë këtë vit dhe kjo do të rezultojë në rritjen e kostos së huamarrjes, që çon në tkurrjen e sasisë se eurove në treg dhe përfundimisht rritjen e vlerës së euros.

Një tjetër arsye për rënien e euros në Shqipëri është se tregu shqiptar është tejmbushur me euro, nga të cilat një pjesë e madhe e tyre janë jashtë kontrollit të sistemit bankar dhe burimi i tyre është ende i paditur. Përtej kësaj sasie të lartë të eurove që qarkullon, duke pasur parasysh se ndodhemi dhe në prag të sezonit turistik, sasia e eurove në treg pritet që të rritet edhe më shumë.

Kjo do të bëjë që rënia e vlerës së euros të thellohet edhe më tej në muajt në vijim. Rënia e mëtejshme e euros pritet të ketë një impakt negativ edhe në turizëm, pasi vlerësimi i lekut i bën pushimet më të kushtueshme për turistët e huaj apo dhe ata shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit dhe vendosin të kalojnë pushimet në Shqipëri. Shumë shqiptarë apo turistë të huaj që duan të vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht në muajt korrik dhe gusht, do t’iu duhet të planifikojnë më pak ditë për pushime ose të reduktojnë shpenzimet e tyre. Kjo nuk do të thotë se do të ketë rënie në numër të turistëve, por turizmi shqiptar nuk do të arrijë numrin optimal.

Këshillë për vendimmarrësit përsa i përket kursit të këmbimit: përpara se të merret ndonjë vendim për ndryshimin e llogarive nga Euro në Lekë, apo Lekë në Euro, duhen ndjekur më nga afër politikat e Bankës Qendrore të Europës gjatë muajve në vazhdim për të parë impaktin në tregun ndërkombëtar dhe jo vetëm të bazohemi në tregun shqiptar.

Nëse Banka Qendrore e Europës do vazhdojë të njëjtën metodë për më shumë se edhe një vit, atëherë euro do ishte e frikshme për t’u mbajtur apo përdorur. Në artikullin e ardhshëm do të shtjellohen politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë për të balancuar nivelin e kredive dhe depozitave në lekë dhe monedha të huaja.

*Lektor i Ekonomisë, EPOKA University

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura