A e ndërtojmë dot BE-në në Shqipëri?

Apr 18, 2018 | 10:45
SHPËRNDAJE

lutfi dervishiLUTFI DERVISHI

Nëse ke qenë student në dhjetor të vitit 1990-të dhe ke dalë në protesta për rrëzimin e regjimit komunist me parullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ka shumë të ngjarë që këtë ëndërr ta shohësh të realizuar ditën që merr librezën e pensionit. Nëse një polaku iu deshën 15 vjet të shihte vendin e tij anëtar të BE-së, një bullgari 17 vjet, një kroati 13 vjet dhe një finlandezi vetëm 5 vjet, për shqiptarët tashmë kanë kaluar 28 vjet! Në një rast fatlum duhen së paku edhe 10 vite të tjera.

Pra, afërsisht 40 vjet. Ndërkohë që BE-ja këtë vit feston 60- vjetorin e krijimit. A ia ka vlejtur kjo pritje e gjatë? Në mungesë të një rruge më të mirë- BE mbetet e “vetmja rrugë”. Durimi nuk është një nga veçoritë më të spikatura tonat. Shqiptarët nuk kanë pritur. E kanë zgjidhur individualisht “integrimin në familjen europiane”. Qindra mijëra emigrantë përgjatë 3 dekadave tashmë janë qytetarë të vendeve të BE-së! 67.500 shqiptarë përfituan shtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian në vitin 2016-të. Çfarë mbetet për të bërë?

Sot është një ditë e rëndësishme, në rrugëtimin e gjatë drejt BE-së. Komisioni Europian ka rekomanduar sërish (pas tetorit të 2016-ës) hapjen e negociatave/bisedimeve të Shqipërisë me Unionin. Do të jetë Këshilli i Ministrave të BE-së që në qershor do të thotë se kur do të hapen negociatat! Çfarë do të thotë: hapje negociatash? Dhe çfarë do të negociohet. Në të vërtetë, a ka gjë për të negociuar apo thjesht duhen bërë detyrat e shtëpisë?! Momenti hapjes së negociatave është dhe nisja e transformimit total të vendit. Janë 35 kapituj që “negociohen”: lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve, kapitalit, bujqësia, transporti, konkurrenca, mjedisi, pronësia intelektuale, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e konsumatorit etj.

Me dy fjalë: vendosje standardesh! Ligjërimi deritanishëm ka qenë: Do të shkojmë në BE. Ajo që kërkohet dhe ajo që pritet të ndodhë është: ndërtimi i BE-së në Shqipëri. Nëse do të shënjohej me disa ngjyra, gjendja në të cilën ndodhemi në 35 kapitujt, pjesa më problematike ku nuk kemi pothuaj fare përputhje me standardet e BEsë, është mjedisi. Në kapitujt e tjerë kërkohet shumë punë. Ndryshe nga zgjerimet e mëparshme, procesi nuk është çel e mbyll (kapitujt), mund të ketë kushtëzime të reja edhe në mes të rrugës. Përafrimi i indeksit të ngjyrave nuk ka të bëjë me fasadë, por me ndryshim rrënjësor të gjendjes. Marrja e rekomandimit (për herë të dytë) për hapjen e negociatave është lajm i mirë, por nuk ka arsye për festë.

Do të kërkohet shumë punë, mund, djersë, dhimbje e sakrifica për të bërë transformimin e madh. Mbështetja për procesin e anëtarësimit në BE mbetet e lartë te popullsia, por tashmë që po afron momenti hapjes së negociatave është koha për të shtruar pyetjen: a ka interesa politike, ekonomike, burokratike kundër politikave të BE-së? Pyetja, a jemi gati për të qenë anëtar të BE-së e ka përgjigjen negative brenda. Kur do të bëhemi gati – varet shumë nga vullneti politik dhe vendosmëria për reforma.

Anëtarësimi në BE është një proces që ka tejkaluar e tejkalon jo vetëm mandatet e qeverive, por po tejkalon edhe dekada dhe gjenerata. Një axhendë e përbashkët integrimi duket larg. Ajo që shihet në horizont është ping-pongu akuzave për përgjegjësitë për dekadat e vonesës. Nëse do të hiqnim dorë nga “vajtja” në BE dhe të ndërtonim BE-në këtu, atëherë Shqipëria do të bëhej si Zvicra (plus dy detet) dhe ndoshta do t’i thoshim Brukselit: anëtarësim?! Faleminderit, por jo …faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura