A duhet t’i besosh ‘Tjetrit’?

Nov 2, 2015 | 12:37
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR KOCANI

    Është një pyetje e arsyeshme që praktikisht ia bën vetes çdo individ në një shoqëri të caktuar. Përgjigjja ndryshon nga individi në individ, nga një shoqëri në një tjetër dhe në kohë të ndryshme. Megjithatë ka disa faktorë që ndikojnë fuqishëm në përcaktimin e përgjigjeve që i jepen kësaj pyetjeje në kohë, shoqëri dhe individë të ndryshëm. Ndër to më i drejtpërdrejti është perceptimi që kanë ata lidhur me kërcënimin potencial për sigurinë e tyre fizike që mund të përbëjë një i panjohur, “Tjetri” për ta.

Sigurisht këtu ndërthuren sa përjetimet individuale, aq edhe shkalla e garantimit të sigurisë fizike për individët nga një shoqëri e caktuar, shkalla e maturisë dhe forcimit të shtetit të saj. E gjitha kjo “përkthehet” në një sistem vleror që përcakton botën shpirtërore dhe veprimin e tyre social sa të individëve të veçantë, ashtu edhe të grupimeve të tyre dhe të mbarë shoqërisë. Thuhet se këta aktorë socialë kanë një profil të caktuar vleror, i cili bën të mundur që “ta shohin” botën nën një “filtër” specifik vleror, duke u orientuar në këtë mënyrë në qartësimin se çfarë ata duan praktikisht në jetë, në përcaktimin e qëndrimeve të tyre në situata të caktuara dhe të veprimit të tyre si aktorë socialë.

Në lidhje me besimin apo mosbesimin ndaj “Tjetrit” ka dy qëndrime të kundërta, që kushtëzohen nga dy këndvështrime krejt të ndryshme vlerore për botën. Njëri që inspirohet nga këndvështrimi vleror i quajtur “materialist” nga Ronald Inglehart, të shtyn që, të paktën, të jesh i kujdesshëm ndaj këtij “Tjetri”. Dhe maksimalisht të mos i besosh aspak atij. Kjo sepse një nga karakteristikat themelore të këtij këndvështrimi vleror është perceptimi i një kërcënimi të përhershëm të mundshëm ndaj sigurisë fizike nga të huajt, të panjohurit, nga ata që janë ndryshe, domethënë, nga “Tjetri”.

Zakonisht në shumicën dërrmuese të rasteve sindroma e “difidencës” ndeshet në shoqëritë e traumatizuara nga lufta ose një regjim i egër diktatorial, si dhe në shoqëritë në tranzicion që kanë edhe një nivel të ulët të zhvillimit demokratik dhe ekonomik. Kurse qëndrimi tjetër që mbështetet në këndvështrimin vleror të emërtuar nga Inglehart si “post-materialist”, është mjaft tolerant dhe dashamirës ose, minimumi, jo mosbesues ndaj këtij “Tjetri”. Ky është qëndrimi karakteristik i shoqërive të zhvilluara nga pikëpamja social-ekonomike dhe kulturore.

Në to hyjnë edhe shoqëritë e vendeve të zhvilluara perëndimore.
Shoqëria shqiptare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë i përket grupit të shoqërive që karakterizohen nga një tranzicion i vështirë dhe problematik nga një regjim diktatorial drejt një regjimi demokratik i tipit perëndimor. Si një shoqëri e një vendi ish-komunist, ajo karakterizohej në zanafillën e këtij tranzicioni, siç e thekson R.Inglehart, nga një sistem vleror i quajtur “i mungesës”, i cili duhet thënë se, praktikisht, ka qenë një sistem vleror i tipit materialist me tipare tepër të theksuara. Pritmënia ishte që, me kalimin viteve të para të vështira të tranzicionit dhe ngjarjeve tragjike të vitit 1997, ky sistem vleror “materialist” i skajshëm “të zbutej” gradualisht, duke u lënë gjithnjë e më shumë “hapësirë” vlerave “post-materialiste”.

Por nuk ndodhi kështu. Nga studimet e sistemit vleror të shoqërisë shqiptare në tranzicion, që filluan që në vitin 1998 në Departamentin e Filozofi-Sociologjisë dhe Shkencave Politike pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në UT dhe që u shpeshtësuan duke filluar sidomos mbas vitit 2004, del se treguesit kryesorë që përcaktojnë natyrën e sistemit vleror të shoqërisë shqiptare sa vinte dhe po u largoheshin gjithnjë e më tepër vlerave që karakterizojnë një profil vleror post-materialist dhe po u afroheshin masivisht vlerave që paraqet një profil vleror materialist.

Një ndër këta tregues të profilit vleror materialist është dhe shkalla e mosbesimit që tregohet nga individët e kësaj shoqërie ndaj atyre që konsiderohen apo perceptohen si “Tjetri”. Në rastin më të mirë, shumë vite më parë, ky tregues ka qenë në nivelin e afro 70%. Por më tej ka ardhur duke u rritur dhe këto 5 vitet e fundit nuk ka zbritur asnjëherë poshtë 90%. Vitin që shkoi ai kapi shifrën e 95%. Që do të thotë se 95% e të anketuarve, pyetjes “A duhet me u besu të tjerëve?”, i janë përgjigjur në rastin më “të butë” se duhet me qenë i kujdesshëm, ose, në rastin më “ekstrem” se nuk duhet me i besu askujt. Sigurisht që nëse do ta shtrijmë këtë për të gjithë personat adultë të qytetit të Tiranës, në rastin e supozimit se është bërë një gabim matjeje minimal, atëherë shifra e mësipërme do të duhej të korrigjohej me një faktor afërsisht ± 5%.

Nëse më tej do të kërkonim ta shtrinim këtë vlerësim nga qyteti i Tiranës (që përmban afro një të tretën e popullsisë së vendit dhe në të përfaqësohen pothuajse të gjitha nën-kulturat e vendit), do të duhej t’i bënim një korrigjim të dytë me një faktor diçka më shumë se ± 5%. Kështu që afërsisht mund të themi se deri në vitin që shkoi shkalla e mosbesimit ndaj tjetrit në rang vendi mund të vlerësohet afërsisht 95% ± 10-11%. Që do të thotë se vlera e pritshme e këtij indikatori do të ndodhet në diapazonin e [84%, 100%]. Shihet se edhe në këtë rast bëhet fjalë për një shkallë relativisht mjaft të lartë të difidencës në shoqërinë shqiptare brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Meqë nxitje për të shkruajtur këtë artikull u bë artikulli i z. Feraj i botuar para disa ditësh në gazetën “Panorama”, “Ia kam dhanë besën Serbisë”, natyrshëm që do të ishte me vend që të pyetej se si qëndron puna me shkallën e difidencës në shoqërinë shqiptare në Republikën e Kosovës, sepse aty ka një referencë te ky tregues. Personalisht nuk kam ndonjë informacion mbi ndonjë studim për sistemin vleror të shoqërisë shqiptare në Republikën e Kosovës dhe, për këtë arsye, e kam të pamundur që të ndërtoj një argument në kuadrin e një qasjeje shkencore.

Ajo që mund të bëj, bazuar nga informacionet e ndryshme (jo të siguruara në rrugën e një vëzhgimi shkencor!), është e shumta që të hamendësoj se me gjasë cilësisht profili vleror i shoqërisë shqiptare në Republikën e Kosovës është i tipit materialist. Nëse do të pranohej (nga e keqja se nuk ka një supozim shkencor) ky hamendësim, atëherë do të vihej një pikëpyetje në vlerësimin e qëndrimit të klasës drejtuese politike në Republikën e Kosovës në pranimin e projektit “Zajednica” thjesht si një lloj detyrimi moral që kushtëzohet nga dhënia e fjalës. Kjo sepse në kuadrin e hamendësimit të propozuar, kjo klasë politike në përgjithësi do të karakterizohej nga po ai profil vleror materialist që hamendësohet se skicon shoqërinë shqiptare në Republikën e Kosovës.

Dhe në këtë kuadër, më e pritshme do të ishte që qëndrimi i saj ndaj pranimit të këtij projekti të frymëzohej ose nga difidenca ndaj Serbisë (si “Tjetri” që ka kryer genocid, vrasje, përdhunime, dëbime masive etj., mbi shqiptarët në një të shkuar sa të afërt, aq edhe të largët) dhe, për rrjedhojë, të mos pranohej ky projekt; ose pranim i tij që vjen nga një marrëdhënie përfitimi (sipas skemës “më jep, të jap”), apo një detyrimi të mëparshëm (por me shumë gjasë jo moral, sepse ky i fundit është element i profilit vleror post-materialist!). Në këtë kuadër është e kuptueshme që vlerësimi që i bën z. Feraj qëndrimit “tolerant” ndaj projektit të “Zajednicës” nga udheqësia politike aktuale në Republikën e Kosovës si “dhënie e besës ndaj Serbisë” nuk mund të merret ndryshe veçse si një metaforë ironie me përdorimin e institucionit të “dhënies së besës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura