A duhet rishkruar historia?

SHPËRNDAJE

NERITAN CEKA neritan ceka

Në një mënyrë të përgjithshme, unë do të përgjigjesha jo! Së pari, sepse pyetja për një histori alternative, që duhet shkruar nga e para, është retorike, ngaqë shkrimi i historisë, ndryshe nga letërsia artistike, është një krijimtari shkencore, që zhvillohet në dekada, pa thyerje të vazhdueshme rrymash dhe shkollash novatore. Periudha tridhjetëvjeçare pas përmbysjes së komunizmit është karakterizuar nga diskutime pjesore, kryesisht për periudhën e Luftës II Botërore, por nuk e ka ndryshuar strukturën historike të krijuar nga studimet pas asaj lufte. Veçori pozitive e kësaj periudhe është një zgjerim i hapësirës gjeografike të këtij diskutimi, ku përfshihen gjithë trevat shqipfolëse, por edhe diaspora. Në fushën e arkeologjisë, që shpjegon rrugën e krijimit të popullsisë ilire dhe kalimit të saj te shqiptarët, si dhe historinë kulturore të asaj periudhe, përpjekjet për riinterpretim modern “jo nacionalist”, kanë qenë po aq të pasuksesshme, sa edhe një rikthim te romantizmi pellazgjik. Me botimin e plotë të veprave të Frano Prendit, mbetet i konsoliduar interpretimi i tij historik i materialeve arkeologjike, që dëshmojnë fillimin e procesit të formimit të popullsisë ilire menjëherë pas dyndjes së parë indoeuropiane të viteve 2100 p. Kr., pra, në një periudhë paspellazgjike. Po kaq e vërtetë dhe e dëshmuar katërçipërisht nga kërkimet e Hasan Cekës e Skënder Anamalit, është kalimi nga ilirët te shqiptarët si një proces gjeneze krahas popujve të një moshe si grekët nga helenët apo italianët nga latinët.

Së dyti, është pyetja se kush do ta shkruajë historinë. Vlerësimi i saj është fushë e lexuesve, e të apasionuarve, eruditëve, por studimi historik është një proces i organizuar, që kërkon specialistë të fushave, institucione arkivore, institute shkencore dhe një koordinim të tij përmes një forumi autoritar shkencor. Duhet të pranojmë se në fushën e Albanologjisë nuk është arritur, jo më të kalohet niveli i Eqrem Çabejt, Aleks Budës, Shaban Demirajt etj. dhe autoritetet e sotme janë nxënësit e tyre. Kjo vlen edhe në fushën e arkeologjisë, ku jemi në një gjendje letargjie dhe po shkojmë drejt shuarjes së stafit të specializuar dhe gërmimeve arkeologjike. Këtu nuk është çështja e mungesës së financimit nga qeveritë shqiptare, pavarësisht nga ngjyra, por fonde shumë më të mëdha se të periudhës së komunizmit shkojnë në thasët e shpuar të Ministrisë së Kulturës e të Arsimit dhe kthehen në vende pune të emëruara politikisht. Gërmimet arkeologjike financohen vetëm nga bashkëpunime me universitete të huaja, që sjellin fonde rreth 20-30.000 euro për një ekspeditë dhe u paguajnë ushqimin dhe fjetjen arkeologët tanë, që nuk marrin dieta, as shpenzime transporti nga shteti. Ky lloj bashkëpunimi lypsarësh ka qenë një oksigjenim i përkohshëm, por po kthehet në një asfiksim të kërkimeve programatike në fushën e arkeologjisë ilire, si dhe modifikim të tezave themelore mbi karakterin e kulturës ilire dhe origjinën e popullit shqiptar. Në artikujt e bashkëpunëtorëve të huaj për gërmimet e përbashkëta, koncepti qytetërim antik ilir është zëvendësuar me qytetërim helenistik apo kultura e hershme mesjetare shqiptare me kulturë sllavo-avare.

Natyrisht që kjo histori nuk mund të quhet krijim i vetvetes, por shpërbërje e saj. Nuk mund të ketë histori korrekte pa kërkim shkencor, pa autoritet shkencor dhe pa financim. E ashtuquajtura reformë e Akademisë së Shkencave ka qenë një akt i nxitur nga paragjykime të ashtuquajtura moderniste që e konsideronin atë institucion si të tipit lindor, sovjetik. Në të vërtetë, ideatorët e Akademisë së Shkencave ishin Eqrem Çabej dhe Aleks Buda, në modelin austriak apo austro-hungarez, që vepron sot me efikasitet të plotë në Austri. Për fat të keq, pseudoreforma u sanksionua edhe një herë nga ligji i ri mbi Akademinë e Shkencave, si një institucion privat me financim shtetëror, ku marrin paga dhe shpërblime të njëjtët profesorë që nuk kanë shkruar asnjë libër dhe nuk kanë sjellë asnjë kontribut shkencor. Po ky model është kodifikuar përmes ndikimeve politike edhe në universitetet shtetërore, që janë privatizuar sipas modelit ku dekani bëhet zv.dekan dhe përsëri dekan dhe ku preokupimi i fundit është veprimtaria shkencore.

Ajo që na duhet për një ndryshim europian të gjendjes është një Akademi Panshqiptare e Shkencave, që të bashkojë autoritetin shkencor me energjinë e organizimit dhe të progresit shkencor, që të nxisë karrierën shkencore dhe kërkimet programatike, që të sjellë në këto kërkime njerëz të dijes me dashuri për shkencën e atdheun, që të bashkojë e koordinojë trurin panshqiptar. Dhe kjo nuk është Akademia e ligjit të fundit.

Po ku do të sigurohen mjetet financiare për një Akademi të re? Në radhë të parë, nga buxheti i shtetit, që shpërdoron fonde të mëdha duke filluar nga pseudoakademikët e deri te klientët partiakë të emëruar në institucione buxhetore të karakterit shkencor. Së dyti, nga burime që mund të krijojnë vetë këto institucione, nëse i jepet statusi i autonomisë sipas modelit perëndimor. Po ju jap rastin e Butrintit, të krijuar nga breza të tërë arkeologësh dhe që jep një milion euro në vit. Dhe a e dini se sa është buxheti vjetor i kërkimeve arkeologjike në terren: 60.000 euro!!! Dhe a e dini se çfarë po përgatisin burokratët e Ministrisë së Kulturës? Duan ta kthejnë Butrintin në një PPP të administruar nga Fondi Shqiptar-Amerikan. Sepse paska bashkëfinancuar rifreskimin e Pazarit të Tiranës. Unë kam parë edhe si kanë punuar ata në Pazarin e Gjirokastrës, me mjete me zinxhirë mbi kalldrëmet e vjetra, duke shkatërruar gjurmët më të hershme të kalldrëmeve, kanalizimeve dhe banesave të shek. XIV-XVII. Dhe rezultati në fund të këtij “restaurimi” ishte përmbytja e pazarit në shirat e fundit. Gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Janë po këta burokratë që trajtuan fondin prej 830.000 euro të dhënë bujarisht nga Delegacioni i BE për Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke mos pranuar me ngulm arkeologët shqiptarë dhe francezë për të qenë bashkëpunëtorë dhe monitorues të realizimit të këtij projekti. Dhe a e dini se çfarë kemi në Apoloni pas këtij investimi? Një depo të madhe uji mbi murin rrethues me shtrirje hidrantësh midis monumenteve, ku bari korret vazhdimisht dhe zjarri nuk ka rënë dhe nuk mund të bjerë asnjëherë. Kemi edhe një parkim një kilometër larg qendrës muzeale, ku duhej ndërtuar edhe një urë, si dhe një rrugë përmes zonës arkeologjike. Ndërkohë, taksapaguesit europianë që kanë dhuruar atë fond, presin në shi e në diell para biletarisë, ku nuk mund të ndërtohej një strehë, ecin nëpër përrenj të krijuar në rruginat e parkut dhe nuk kanë as edhe një banjë gjatë itinerarit të parkut. Kaq të pangopur ishin, sa nuk ndërruan as kutitë e mbeturinave dhe as tabelat e çngjyrosura nga dielli.

Janë po këta burokratë që kërkojnë të marrin në dorë edhe menaxhimin e një fondi edhe më të madh për Parkun Arkeologjik të Bylisit, përsëri nga Delegacioni i BE, me të njëjtën procedurë që përjashton krijuesit e këtij parku, arkeologët dhe restauratorët shqiptarë, me të njëjtat studio, kontraktorë dhe nënkontraktorë si ata të Apolonisë. Dhe unë do t’ju pyesja. Për një qendër të kulturës qytetare si Bylisi, ku prej katër dekadash, që nga viti 1978, shteti shqiptar ka investuar të paktën 40 milionë euro me gërmime restaurime, botime, kërkime shkencore e veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, a mund t’i themi BE-së, tempullit të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë midis popujve të Europës, ose investoni atë fond në respekt të historisë, kulturës e artit të Bylisit, si dhe kualitetit shkencor të specialistëve shqiptarë që e formësuan atë, ose nuk ua duam fare paratë?!

Dhe Bylisin mund ta bëjmë edhe vetë, ashtu siç mund të bëjmë edhe shumë punë të mira për kulturën, shkencën dhe artin, nëse Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës (FSHZHD) e kthejmë në përbërës të një Fondacionin Panshqiptar për Kulturën, Artin dhe Shkencën, që ruan përmes Parlamentit varësinë nga Ministritë e Diasporës, Integrimit, Arsimit e Shkencës e Kulturës, por menaxhohet nga borde autoritare e profesionale. Jam i sigurt një Fondacion i tillë do të financohej nga burime të shumëfishta nga ato shtetërore të sotme dhe në mënyrë të veçantë nga shqiptarët e diasporës, nëse manifeston në programin e tij aspiratat dhe dashurinë e tyre për atdheun. Si një nga aktet e tij të para, do të propozoja hapjen e një numri llogarie për një Teatër Kombëtar të ri, jo atje ku është dhe aq më pak si një lëmoshë apo allishverish me oligarkët e ndërtimeve. Sepse ai vend është pjesë e një kompleksi historik, që nuk duhet prekur më tej dhe ku bëjnë pjesë Xhamia e Ethem beut, Sahati, dy sarajet e Toptanasve, Kalaja e Tiranës, Pallati Mbretëror, selia e qeverive shqiptare para 1939, sot Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë që mund të jetë nesër Muzeu i Parlamentarizmit, por edhe kompleksi i ministrive. Teatri Kombëtar është një institucion prestigji, që kërkon hapësirë kundrimi dhe aksesi, ashtu siç janë Muzeu Kombëtar Historik, Biblioteka Kombëtare, Opera Kombëtare apo Banka e Shqipërisë. Për një vepër të tillë duhen arkitektë shqiptarë që e duan qytetin e tyre, si dhe para e pastër shqiptare.

Dua ta mbyll artikullin tim duke perifrazuar idenë se historia kombëtare është sfida e krijimit të vetvetes, një sfidë që kërkon të studiojmë e të reflektojmë me seriozitet, profesionalizëm e dashuri atë që ka ngjarë te shqiptarët, për të kuptuar atë që po ngjet dhe për të projektuar një të ardhme më të mirë.

*Kumtesë e mbajtur në Takimin XIV, të organizuar nga Instituti Alb-shkenca dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës (FSHZHD)

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.