A duhet mbështetur Presidenti Meta më 2 mars?

Feb 25, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

fitim zekthi

Gjykata Kushtetuese ësh të thelbi i gjithë garancive që sistemi politik i një vendi të mos bëhet tiranik dhe të shkatërrojë liritë dhe jetët e qytetarëve. Formalisht, gjykatat Kushtetuese kanë marrë jetë në Europë pas Luftës së Parë Botërore. Vendi i parë europian që u bë me Gjykatë Kushtetuese ishte Austria. Prej dekadash dhe shekujsh, në shumë vende të Europës kishte pasur elementë të ndarjes së pushteteve, të kontrollit të pushtetit të qeverisë, të vendimmarrjes së saj dhe të Parlamentit, por Gjykata Kushtetuese nuk kishte pasur (duke përjashtuar këtu SHBA-në).

Pas rënies së perandorisë Austro-Hungareze, mendimtarët, juristët, filozofët e ligjit dhe të politikës, të cilët ishin të shumtë në Austri, së bashku me klasën politike, ideuan dhe ngritën Gjykatën Kushtetuese të Austrisë. Në krye të njerëzve që u morën me këtë përpjekje ishte Hans Kelsen, një prej teoricienëve më të njohur të ligjit dhe të së drejtës, jo vetëm në kohën e tij. Vetë Kelsen u emërua pasi u ngrit Gjykata Kushtetuese në krye të saj.

Kur në Europë pak vite pas Luftës së Parë Botërore nisi të bjerë murtaja e fashizmit, kjo murtajë hyri edhe në Austri. Në fund të viteve 1920, Austria u mbërthye nga një qeveri fashiste (Musolini kishte që në 1922- shin në pushtet dhe në Gjermani Hitleri ishte bërë faktor i fuqishëm politik). I kërcënuar nga fashistët, Hans Kelsen la Austrinë, la Gjykatën Kushtetuese dhe iku në mërgim. Ai u shpreh se Gjykata Kushtetuese dhe fashizmi nuk mund të rrinë bashkë. Kjo bashkëjetesë nuk është e mundur.

Ajo që tha Kelsen atëbotë është sot e gjithë kohës piketa që udhëheq politikëbërësit dhe politologët apo studiuesit e politikës për të kuptuar rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe për të kuptuar natyrën e sistemit politik apo qeverisës të një vendi. Në qoftë se një vend ka Gjykatë Kushtetuese të pavarur, edhe po të jetë i varfër, edhe po të jetë i korruptuar, edhe po të jetë i qeverisur keq, ai nuk bie kurrë në tirani, qytetarëve nuk iu grabiten pronat dhe vota, qytetarëve nuk iu merren liritë dhe qeveria nuk mund të jetë kurrë padron i jetës dhe institucioneve.

Studiues të shumtë marrin si shembull të një vendi të varfër dhe me korrupsion, por që nuk bie dot në tirani, për shkak të një Gjykate Kushtetuese shumë të mirë dhe me gjyqtarë shumë të fortë, Pakistanin dhe Libanin. Pakistani dhe Libani kanë prodhuar Gjykata Kushtetuese shumë të fuqishme, të cilat kanë marrë vendime historike, duke kufizuar pushtetet e qeverive dhe duke moslejuar marrjen nën kontroll të institucioneve apo manipulimin e zgjedhjeve, ndonëse këto vende kanë qenë në kushte shumë të vështira. Këto gjykata kanë prodhuar mendim në fushën e të drejtës, të ndarjes së pushteteve, të rolit të Presidentit, etj., që merret si shembull apo përdoret edhe nga gjykatat Kushtetuese në vendet më të zhvilluara të Perëndimit.

Shqipëria ka dy vite pa Gjykatë Kushtetuese. Në këto dy vite, vendi nuk ka pasur asnjë garanci. Çdo liri ka qenë e rrezikuar, shumë të tjera i janë grabitur, shumë institucione janë kthyer në segmente të qeverisë. Është e qartë se jemi në kushtet e asaj që tha Kelsen kur u largua nga Austria. Pas dy vitesh pa Gjykatë Kushtetuese, nisi procesi i ngritjes së saj.

Procesi i ngritjes po tregon se Shqipëria nuk do të ketë një Gjykatë Kushtetuese të pavarur. Është e kotë të diskutohet një gjë e stërditur dhe e stërdiskutuar gjithë këto ditë. Ajo dorë, ajo mendje që e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese, po bën gjithçka që tani që do të kemi Gjykatë Kushtetuese, ta kemi atë nën kontroll të qeverisë. Pra, të mos kemi Gjykatë. Edhe vëzhguesi më i pavëmendshëm, edhe studenti më i dobët i vitit të parë në Shkenca Politike apo Drejtësi e kupton se ajo që po bën kryetari i KED-it, Ardian Dvorani, një ish-hetues i regjimit Komunist të Enver Hoxhës dhe shumë e shumë të tjerë (disa prej të cilëve ish-hetues të regjimit Komunist apo ish-oficerë të Sigurimit të shtetit) në KED, në Prokurori, në KLP, në KLGJ, synon marrjen nën kontroll nga Kryeministri Rama të Gjykatës Kushtetuese.

Ata që shpresojnë ose ata që besojnë se Rama apo Dvorani, nuk munden ta bëjnë këtë gjë apo se nuk po e marrin nën kontroll Gjykatën Kushtetuese, janë thjesht për të ardhur keq.

Në këto kushte, kur garancitë për një sistem politik që nuk bie në tirani, që nuk grabit institucione dhe nuk shkatërron liritë e njerëzve, po zhbëhen, atëherë qëndrimi përballë është e vetmja zgjidhje. Presidenti i Republikës Ilir Meta ka muaj të tërë që po e denoncon këtë turp dhe këtë krim kombëtar mbi të ardhmen e vendit. Pas mosreagimit të plotë dhe pas vazhdimit po me atë zell për të kapur Gjykatën Kushtetuese, Presidenti ka thirrur një protestë popullore në 2 mars.

Qeveria ka zgjedhur ta sulmojë Presidentin si njeri që bën lojën e opozitës, që është në opozitë apo që është opozita. Njerëz të saj në media thonë po të njëjtën gjë. Madje disa syresh thonë edhe që Presidenti kërkon të zbehë rolin e Bashës si kryetar i opozitës, kërkon protagonizëm si njeri i opozitës. Ata thonë se Presidenti bën lojë, ka qenë dikur me Ramën, është vetë përgjegjës, i ka votuar ligjet etj. Ka syresh që thonë se Presidenti ka frikë nga SPAK-u apo është i korruptuar etj. Në të vërtetë, debati i ndershëm që duhet të bënte sfera publike dhe shoqëria, duhet të ishte nëse po grabitet Gjykata Kushtetuese, nëse ka të drejtë Presidenti, nëse Dvorani, KED, KLP, KLGJ dhe sigurisht Rama po luftojnë të marrin Gjykatën.

Dy teoricienë të njohur, Maturana dhe Varela kanë ndërtuar një teori epistemologjike duke studiuar zhabat. Ata vunë re se zhabat shohin vetëm objektet e vogla që lëvizin shpejt. Zhabat nuk i shohin lopët, nuk i shohin buajt apo elefantët. Ato shohin mizat, mushkonjat etj. Sistemi i tyre viziv është konstruktuar në mënyrë që ato të shohin atë që duan për ushqim. Maturana dhe Varela thonë se mund të ndodhe që shumë njerëz të sillen si zhabat, të shohin instinktivisht atë që duan. Procesi i tyre konjitiv ndikohet nga rrethanat dhe është i tillë që i bën të shohin vetëm atë që u ushqen; epshin, dëshirat etj.

Kështu edhe qeveria, njerëzit e saj po përgjigjen në këtë mënyrë. Për ta nuk ka asnjë rëndësi elefanti apo lopa, ata nuk e shohin atë, ata as që duan të flasin për të. Ata shohin mizën dhe mushkonjat me të cilën ushqehen.

Në të vërtetë dhe kjo duket, Presidenti nuk mund të bëjë lojën e opozitës kurrë dhe as të jetë protagonist. Që në ditët e para të vjeshtës së 2013-ës, Rama dhe njerëzit nxorën tezën se LSI-ja do të bëhet e fortë, se PD-ja do të bëhet parti e tretë etj. Kjo gjë vijoi të qarkullojë për mjaft kohë dhe dështoi. Do të dështonte doemos. PD-ja nuk mundet kurrë të jetë parti e tretë, sepse ajo është alternativë e qeverisë. Ka shumë arsye pse është kështu, por e para lidhet me faktin që ajo u krijua për të qenë përballë Partisë së Punës, më vonë PS-së, dhe nuk rrëzohet kurrë në këto kushte. Vetëm në qoftë se bie PS-ja. Vetëm në qoftë se PS-ja bëhet copë-copë apo zhduket atëherë mund të bjerë e treta apo zhdukët PD-ja. Meta këtë e di mirë.

“Meta ka frikë nga SPAK-u”, është gjëja më e ligë që përdoret. Edhe kjo prej vitesh ka dalë si tezë nga PS-ja. Madje është thënë se frikë nga SPAK ka Meta, Berisha, Basha etj. Së pari nuk mund të ketë kurrë frikë nga SPAK-u, ai që është opozitë kur përballë ka një qeveri ekstremisht të korruptuar. Nuk mund të jetë objekt i SPAK dikush që ka 7 vjet pa pasur pushtet në tenderë, në mbjellje hashashi, në koncesione, në emërime në Polici etj. N.q.s. SPAK-u vërtet synon të hetojë Metën, Berishën, Bashën etj., dhe Rama, Tahiri, Veliaj etj., nuk kanë frikë, atëherë shqiptarët kanë shumë më tepër arsye të jenë në 2 mars në rrugë. Si mund të ndërtohet një Prokurori Speciale për të hetuar opozitën?

Thashethemet apo akuza se Meta ka qenë me Ramën, se ai ka përgjegjësi, sepse lejoi miratimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi në mënyrë të njëanshme, se ai nuk doli në opozitë dhe nuk shkoi në çadër, por bëri lojë të dyfishtë në pranverën e 2017-ës etj., nuk kanë asnjë sens të shihen si arsye për të mos dalë në protestë. Meta ka vërtet përgjegjësi që për katër vite lejoi shumë ligje t’i bënte Rama si të donte, që nga ai i Reformës Territoriale tek ato të Reformës në Drejtësi, por në qoftë se ai ka të drejtë sot, atëherë duhet të shkohet në protestë. Barry Goldwater, ish-kandidati republikan për President, në vitin 1964, thotë se mund të shkojë në luftë për atdheun edhe dikush me vese, edhe dikush me shumë gabime apo faje. Historia e botës e ka provuar këtë. Çfarëdo faji apo gabimi të ketë bërë Meta, ai mund të luftojë për vendin e tij dhe kjo nuk diskutohet.

Sa për akuzat se gjasme Meta kërkon të zbehë apo dublojë rolin e Bashës, këto janë qesharake. Basha është kryetari i PD-së dhe alternativa për kryetar qeverie. Këtë e njeh si fakt vullneti popullor, elektorati, e njohin mediat edhe pse shume nuk duan, e njohin miqtë tanë ndërkombëtarë. Këto shtatë vite kanë mjaftuar për të hedhur tej çdo budallallëk, që për hir të së vërtetës ka dalë nga PS-ja dhe nga njerëzit e Ramës në media mbi PD-në, mbi opozitën, mbi Bashën. Meta, më shumë se kushdo, e di këtë.

Kjo është një shigjetë e ndryshkur e hedhur nga Rama dhe asgjë më shumë. Rama është një njeri i varur nga planifikimet, skemat, kurthet, të cilat nuk bëhen dot pa shpifje dhe pa sajesa. Ai mendon se po të hedhë këtë budallallëk në qarkullim njerëzit e PD-së do të ndryshojnë mendim për Bashën apo për Metën, do të nisin të dyshojnë te Basha apo te dikush tjetër. Asgjë nuk ndodh. Opozita nuk është një fushë ku gjarpërojnë shumë rryma, por një lumë në të cilin derdhen shumë rryma. Meta sot është Presidenti i Republikës, një politikan i fortë, që po bën një betejë që askush në atë rol nuk do ta bënte. Ai po bën këtë betejë, sepse është i fortë.

Fashizmi ka vetëm një të mirë, i bën të gjithë bashkë kundër tij. Ne jemi në këto kushte, në kushtet për të cilat fliste Hans Kelsen, në 1930-ën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura