A duhen pranuar “lojërat” me sondazhet?

Mar 26, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR KOCANI

aleksander kocani

Fjala është për emisionet në kanalet e ndryshme televizive, të cilat me panele analistësh diskutojnë dhe interpretojnë rezultate të anketimeve të zhvilluara me elektoratin shqiptar në vend.

Këtu është përdorur termi “lojëra” për të treguar që, në thelb, këto emisione përbëjnë “lojëra” mediatike, të cilat synojnë të manipulojnë opinionet e pjesëve të caktuara të elektoratit në vend. Kjo duket edhe nga maskimi i tyre nën imazhin e debateve publike të specialistëve. Në to sillen teknicienë të sondazheve dhe të llogaritjes së mandateve të mundshme të deputetëve nga përqindjet që raportohen nga sondazhet në favor të partive të ndryshme.

Midis tyre shkëmbehen mendime lidhur me interpretimin e mundshëm të rezultateve të raportuara nga të ashtuquajturat “sondazhe” (duke i marrë ato arbitrarisht si të mirëqena), të cilat emisionet në fjalë përpiqen t’i “shesin” si “debate profesionale”, apo “të nivelit teknicist”. Por, po të ishin të tilla, siç mund të ndodhë, për shembull, në aktivitetet shkencore në institucionet akademike, debati në fjalë do të niste nga diskutimi i besueshmërisë dhe vlefshmërisë së të dhënave të ofruara nga këto sondazhe (apo anketime).

Kjo, sepse është, siç thuhet, “alfa” e kërkimit shkencor që të jepen garancitë që të dhënat e propozuara nga anketimet janë të pranueshme për interpretim ngaqë plotë- sojnë kushtet e të qenit të besueshme dhe të vlefshme dhe jo të merren pa qëndrim kritik si të tilla. Pa këto garanci, as që mund të fillohet të diskutohet për domethënien e këtyre të dhënave.

Do të ishte, në thelb, njësoj sikur t’i kërkohej një inxhinieri konstruktor godinash që të ngrejë një godinë sipas një projekti mbi një themel të gatshëm, për të cilin nuk disponohen të dhënat teknike (të cilat përcaktojnë, midis të tjerave, edhe se sa kate dhe më çfarë peshe mundet të mbajë ky themel etj.) dhe nuk kërkohet që të bëhen matje për to. Nga sa i kam ndjekur këto emisione të tipit të “debatit për sondazhet”, rrallë kam parë ndonjë panelist që të thotë diçka, edhe këtë disi shkarazi, pa këmbëngulur në të, lidhur me nevojën e garancive për besueshmërinë dhe vlefshmërinë e të dhënave që furnizonin sondazhet në fjalë.

Besoj se pjesa dërrmuese e panelistëve teknicienë të thirrur në këto emisione, nëse diskutimi i të dhënave të këtyre sondazheve do të bëhej në kuadrin e ndonjë aktiviteti shkencor (seminar, konferencë, workshop etj.) në mjedise akademike, nuk do të hezitonte që të niste diskutimin nga vënia në pikëpyetje e legjitimimit apo konsiderimit si të mirëqena të të dhënave në fjalë. Por, po ashtu, dyshoj se shumica e tyre mendon se një diskutim i tillë nuk është i pëlqyeshëm për drejtuesit e medias që i ka thirrur dhe, prandaj i shmangen atij.

Ky ndryshim sjelljeje vjen mbasi që në aktivitetet akademike, rezultatet e debateve nuk kanë efekte, nga të cilat mund të përfitojnë aktorët politikë. Kurse në emisionet me panele, vënia në pikëpyetje e vetë besueshmërisë të të dhënave të servirura nga anketimet (apo, sondazhet), “hedh në erë” pritshmëritë e financuesve të tyre për të ndikuar nëpërmjet tyre pjesën “gri” të elektoratit. Kjo pjesë është në përgjithësi e vendosur që do të marrë pjesë në votime, por ende “nuk e ka ndarë mendjen” se kujt subjekti do t’ia japë votën.

Ajo do të vendosë, siç thotë literatura shkencore e anketimeve, në prag të votimeve dhe shumica e saj do të votojë në mënyrë të pavetëdijshme për subjektin që e kanë bindur se do të jetë fituesi. Si të thuash, sipas shprehjes popullore, “do të shkojë mbas berihait”. Pikërisht këtu shfaqet edhe roli ndikues i emisioneve të tilla diskutimesh të sondazheve. Ato realizojnë nëpërmjet mekanizmit të “kompetencës profesionale” krijimin e bindjes në opinion se cili nga subjektet ka më shumë gjasë të jetë fitues. Kaq duhet! Pjesën tjetër e kryejnë mekanizmat e proceseve të pavetëdijshme. Këtu dalin në skenë problemet e etikës profesionale.

A është e moralshme që të ndikohet në pjesën e pavendosur të elektoratit për të krijuar bindjen se cili është subjekti fitues? Apo, më e pranueshme është që të lihen votuesit e pavendosur që të krijojnë vetë bindjen se cili subjekt e meriton që të votohet prej tij, nisur nga fushata elektorale, nga ballafaqimi midis fjalëve dhe veprave të secilit subjekt kryesor politik, nga serioziteti i angazhimit të tyre dhe jo nga premtimet boshe etj. Moraliteti i përpjekjeve për të ndikuar opinionin e elektoratit “gri” është i diskutueshëm edhe në rastin kur tregohet me argumente shkencore se anketimi është bërë duke ndjekur kritere rigoroze shkencore për nxjerrjen e rezultateve.

Kjo, si për rastin kur të dhënat e besueshme dhe të vlefshme dukshëm favorizojnë njërin nga subjektet politike (parti apo koalicion), ashtu edhe kur subjektet politike kryesore dalin aty-aty, ose me një avantazh jo të madh për njërin prej tyre. Në rastin e parë, ushtrimi i ndikimit në elektoratin “gri” do të sjellë si pasojë rritjen artificiale akoma më shumë të “kuotave” të subjektit të avantazhuar, duke i dhënë atij pa meritë më shumë “fuqi elektorale” (i jep, për shembull, numrat e nevojshëm për të ndërmarrë veprime, kur të vijë në pushtet, pa përfillur mendimin e pjesës opozitare).

Në një kuptim figurativ, elektoratit “gri” i “është grabitur” delegimi që ai jep me votë në vendimmarrje. Ndërsa, në rastin e dytë, kur të dhënat e besueshme dhe të vlefshme të anketimeve ose nuk favorizojnë asnjë nga subjektet kryesore, ose avantazhojnë relativisht disi njërin prej tyre, kemi dukurinë që Karl Popper te “Mjerimi i historicizmit” e quante prodhim apo shkaktim të dukurisë që parashikohet (të llojit që, po u parashikua që një bankë do të falimentojë, me shumë gjasë ajo do të falimentojë me siguri, sepse depozituesit e alarmuar do të tërhiqnin depozitat e tyre, duke shkaktuar në këtë mënyrë vetë falimentimin e saj).

Ndikimi që bën paraqitja e të dhënave të besueshme dhe të vlefshme të anketimeve te pjesa “gri” e elektoratit, në këtë rast sjell që balanca e rezultateve të votimit të anojë nga ana e subjektit të avantazhuar, duke “prodhuar” kështu fituesin. Formalisht, votimi do të konfirmojë parashikimin e dhënë nga anketimi. Por, siç thekson Popper, ky nuk përbën një vërtetim sipas kritereve shkencore, sepse atij i mungon objektiviteti. Aktorët socialë që marrin pjesë në këtë proces parashikimi, nuk veprojnë në mënyrë të paanshme (ndryshe, me objektivitet), por përkundrazi në mënyrë të vetëdijshme, qëllimore ushtrojnë ndikim për manipulimin e sjelljes votuese të elektoratit “gri”.

Si të thuash, “e çojnë atë pa e ditur” në vathën e fituesit të paracaktuar. Dhe kjo mënyrë sjelljeje, që nuk përputhet me objektivitetin, nuk është e pranueshme për etikën e kërkimit shkencor! Nëse do të konsideronim tani rastet kur i “serviren” opinionit publik të dhëna të anketimeve që nuk argumentohen se janë të besueshme dhe të vlefshme, atëherë, përveç problemit të mësipërm etik, kemi edhe një problem të rëndë moral shtesë: Mashtrimin e opinionit publik duke i shitur atij sapunin për djathë.

Domethënë, duke i paraqitur si të dhëna shkencore të siguruara me anketim, disa të dhëna që nuk kanë garanci të besueshmërisë dhe vlefshmërisë. Në këtë rast, manipulimi është relativisht i madh, sepse prodhon në mundësi një fitues që, në një rrjedhë normale (pa ndikimet manipuluese), nuk do të dilte i tillë. Pra, do të prodhonte një përmbysje të rezultatit, që do të dilte nëse procesi elektoral nuk do të manipulohej me të dhëna sondazhesh. Tani, lidhur me pyetjen e bërë në fillim të artikullit, përgjigjja nuk është vështirë që të kuptohet se është një JO.

Për më tepër, kushdo që do të reflektonte sadopak në argumentin e shtjelluar më sipër, do të kuptonte më thellë përhapjen dhe arsyet e fshehta të modës aktuale të sondazheve të servirura në mediat televizive. Kështu që, ndonëse e hamendësoj anatemimin që do të vijë nga financuesit dhe sondazhbërësit ndaj këtij artikulli, e megjithatë, si studiues i metodologjisë së shkencave sociale dhe filozofisë, i qëndroj thënies latine “Dixi e animi salvi” (“E thashë dhe shpirtin e shpëtova!”).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura