A duhen ndaluar reklamat e ushqimeve të pashëndetshme? Analiza e DW: Sa ndikim kanë tek mënyra e ngrënies së fëmijëve

Mar 29, 2023 | 7:44
SHPËRNDAJE

Një në gjashtë fëmijë në Gjermani peshon më shumë se duhet. Ministri i ushqimit, Cem Özdemir, kërkon të ndalojë reklamat e ushqimeve të pashëndetshme. Por industria e prodhimeve të ëmbëlsirave kundërshton.

 ushqime

Një bonbon çokollate me krahë, këmbë dhe syze super të mëdha lëshohet me vrull nga treni i lodrave dhe bie poshtë. Oh ç’kënaqësi thotë një zë që tregon më pas për një lojë ku mund të fitosh hyrje falas në një park argëtimi për fëmijë. Kjo reklamë për prodhime sheqeri transmetohet në programin e pasdites të televizionit gjerman.

Sikur të kishte qenë për Cem Özdemirin e të Gjelbërve, kjo reklamë do të ndalohej pas pak kohe. Ministri gjerman i Ushqimit kërkon që nga ora 6:00 deri në orën 23:00, në televizon, radio dhe internet të mos tregohen reklama për ushqime të pashëndetshme, që synojnë të tërheqin vëmendjen e fëmijëve.

Kjo gjë duhet të vlejë edhe për Influencer në Youtube ose Tiktok. Përveç kësaj, rreth shkollave, kopshteve të fëmijëve dhe këndeve të lojrave në të ardhmen duhet të jetë tabu ngjitja e pllakatave që bëjnë reklama me ngjyra të ndezura për ushqime të ëmbla, të yndyrshme ose të kripura.

Ne duhet të kujdesemi që fëmijët tanë të rriten më të shëndetshëm, thotë Özdemir gjatë prezantimit të planeve të tij në Berlin. Kjo është vendimtare në luftën kundër mbipeshës dhe sëmundjeve të tjera, që lidhen me mënyrën e të ushqyerit. Është dëshmuar se reklamat për ushqime të pashëndetshme kanë ndikim tek mënyra e ngrënies së fëmijëve, thotë ministri më tej.

Treg miliardash

Por që ndalimi i reklamave të pengojë mbipeshën, kundërshtohet nga përfaqësues të industrisë së ushqimit në Gjermani. Kështu përshembull Carsten Bernoth, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës gjermane të industrisë së produkteve të sheqerit, (BDSI). Për të zhvilluar një intervistë me Deutsche Wellen, ai ulet në tavolinë në sallën e konferencave të BDSI, në Bon. Në tavolinë nuk ka biskota apo karamele, por vetëm disa shishe me ujë.

Ndalimi i reklamave nuk do të bëjë që fëmijët të hanë më pak produkte sheqeri, thotë Bernoth: “Reklama është e rëndësishme në ekonominë e tregut. Ajo funksionon në mënyrë që t’u merren të tjerëve pjesë të tregut. Prodhuesit e konfeteve në Gjermani patën vitin e kaluar një volum biznesi prej 14 miliardë eurosh. Dhe rreth një miliardë euro ata e japin për reklamat.

Bernoth trembet se planet e Özdemirit do të bëjë që në sektorin e tij të ketë ndalim komplet të reklamave. Sepse edhe reklamat që synojnë të shihen nga të rriturit, mund të shihen nga fëmijët, kështu që edhe ato mund të futen tek ndalimi i planifikuar i reklamave. “Ne kërkojmë që konsumatoret dhe konsumatorët të jenë të lirë të zgjedhin, thotë Bernoth. “Ata duhet të marrin vendime të ndërgjegjshme. Informacioni dhe njohuritë janë çelësi për këtë gjë. Dhe nuk i takon shtetit, që të bëjë specifikime, të bëjë ndalime.

Shembull pozitiv Kili 

Po si është e vërteta: a mund të mbrojë ndalimi i reklamave fëmijët nga përdorimi i ushqimeve të pashëndetshme, apo jo? Marrim në telefon Anette Buyken, profesore për ushqimin publik “Public Health Nutrition” në Universitetin e Paderbornit. Të dhënat për këtë pyetje nuk janë sa duhet, thotë ajo për DW. “Problemi kryesor është se ka pak vende që marrin masa dhe i shoqërojnë ato me studimin e efekteve që kanë.”

Si shembull pozitiv ajo përmend Kilin. Atje, që prej vitit 2016 janë vendosur rregullat më të ashpra në botë për përdorimin e reklamave për produket e sheqerit që i drejtohen fëmijëve. Krahas ndalimit të reklamave, ushqimet e pashëndetshme duhet të kenë edhe shenjën paralajmëruese, siç bëhet tek cigaret. Në paketim shkruhen të dhëna për efektet apo dëmetqë mund të kenë këto ushqimeve. “Kështu shihet, se në këtë mënyrë ka ndryshuar zgjedhja e ushqimeve që përdoren”, thotë Buyken.

Tani janë duke u bërë përpjekje për të parë nëse në afat të gjatë në këtë mënyrë përmirësohet shëndeti. Për këtë gjë nuk duhet bërë fokusimi vetëm tek mbipesha. Më e rëndësishmja është të fillohet, të vëzhgohet dhe në rast nevoje të bëhen përshtatjet e nevojshme. Ne kemi dëshmi të mjaftueshme nga përvoja me Kilin dhe vende të tjera, se si mund të bëhet një gjë e tillë.

Në shumë vende është rritur shumë numri i fëmijëve dhe fëmijëve me mbipeshë. Sipas Institutit Robert Koch në Gjermani, një në gjashtë fëmijë është me mbipeshë ose i dhjamosur. Në moshën 11 deri 13 vjeçare shifrat janë madje një në pesë.

Pandemia e koronës e ka shtuar tendencën 

Prindërit e fëmijëve të tillë janë ata që kanë marrë në telefon Andrea Gerschlauerin dhe i kanë kërkuar ndihmë. Që nga viti 2018 ajo punon si specialiste për çështjet e ushqimit. Në zyrën e saj të këshillit në një ambulance mjekësore në Bon, është varur certifikata e Shoqatës Gjermane të të ushqyerit (DGE), në qoshe ndodhet një kuzhinë lodër për fëmijët, në tabelë është ngjitur një piramidë e të ushqyerit: baza e piramidës është me shumë pije të pasheqerosura, shumë perime dhe fruta, prodhime të vlefshme drithërash dhe patate, qumësht me masë, mish, peshk dhe vezë dhe krejt në majë: pak të ëmbla dhe të yndyrshme.

Gerschlauer vendos mbi tavolinë kartonin me pijen “Durstlöscher” që ka në dorë. Sipas figurës kjo limonadë të shuan etjen. Më thoni sa sheqer përmban kjo pije, pyet Gerschlauer dhe e jep vetë edhe përgjigjen: “18 lugë. Kjo nuk shuan vetëm etjen. Ky është premtimi, që kërkon të më hedhë hi syve mua si konsumator.

Gerschlauer shpreson që ndalimi i reklamava për ushqimet e pashëndetshme të vijë shpejt në Gjermani. Që prej pandemisë së Coronës ajo ka vërejtur se disa fëmijë kanë shtuar relativisht shumë peshë në një periudhë të shkurtër, thotë ajo. “Unë shoh të ekzistojë një lidhje, sepse fëmijët kanë parë më shumë televizor. Kur shihet televizor shpesh edhe hahet. Dhe kur vijnë edhe reklamat, atëherë fëmijët e kanë të vështirë, që të mos mendojnë për ëmbëlsira.” Më shumë të prekur janë fëmijët nga familje me dobësi sociale.

Gerschlauer bën dallimin midis faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, që bëjnë që njeriu të marrë vendim për të ngrënë. Një rol të madh luan natyrisht ambienti, pra kryesisht familja, këtu si shembuj merren prindërit që kanë përgjegjësinë e përditshme duke qenë shefa të ofertës. “Por unë jam e bindur, se pikërisht truri i fëmijëve të vegjël mund të ndikohet edhe nga reklamat. Unë vetë jam tani në gjendje të them sllogane nga periudha e femijërisë, që ka qenë para 50 vjetëve. Gjëra të tilla mbeten në mendje.

Mbas ndalimit të reklamave duhet të merren masa të tjera, thotë Gerschlauer. Përshembull taksim i lartë i ushqimeve të pashëndetshme, siç është bërë për cigaret. Ose ulje e taksës mbi vlerën e shtuar për ushqimet që kanë efekt më të shëndetshëm si perime, fruta, produkte me miell integral dhe bishtajat. “Përndryshe pas 30 vjetësh ne do të hasim një problem të madh. Kur këta fëmijë që janë me mbi peshë të arrijnë moshën e rritur, atëherë ata do të jenë me sëmundje të zemrës dhe qarkullimit të gjakut, diabetit të tipit 2, tensionit të gjakut dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me mënyrën e ushqimit. Kështu që do të përballemi me shumë vuajtje dhe kosto të larta.

Kundërshtim nga liberalët 

Por ndalimi i reklamave që është propozuar nga Özdemiri do e ketë të vështirë të marrë votat në parlament, megjithëse qeveria e koalicionit ka rënë parimisht dakord në kontratën e qeverisjes që të ndalojë reklamat për ushqime të pashëndetshme në emisionet dhe formatet e moshave nën 14 vjeç. Nga fraksioni i partnerëve të koalicionit, liberalët e FDP, Özdemiri është duke marrë kundërshtime për propozimin e tij. Sepse ai do të thotë më shumë burokraci, më shumë ndalime, më pak inovacione dhe më pak kualitet jete, shkruan Gero Hocker në Twitter, zëdhënësi për çështjet agrare të FDP, në parlament.

Po çfarë mendojnë fëmijët dhe të rinjtë në Gjermani për ndalimin e planifikuar të reklamave? Kur pyet fëmijët në moshën e kopshtit dhe të shkollës fillore, ose fëmijët e tu, atëherë të krijohet përshtypja se takon një lobi të fortë sheqeri. Por edhe shumë të tjerë më të moshuar nuk pëlqejnë t’u jepen rregulla në çështjet e të ushqyerit.

Ëmbëlsirat si ushqim dreke për nxënësit e shkollës 

Kështu për shembull disa të rinj adoleshentë, që shijojnë pushimin e drekës në këtë ditë me diell marsi në lagjen jugore të qytetit të Bonit. Ata lëshohen me vrap në oborrin e shkollës, kalojnë në anën tjetër të rrugës dhe futen në dyqan. Pak më vonë dalin nga andej dhe kthehen duke mbajtur në dorë biskota, limonata me kanaçe dhe ëmbëlsira.

Noah, 18 vjeç, ndahet nga grupi dhe shkon në qoshe, ai nuk ka ëmbëlsira me vete. Unë mendoj se reklamat për ushqime të pashëndetshme duhen ndaluar, thotë ai për Deutsche Wellen. “Njeriu duhet të hedhë sytë dhe të shohë sa njerëz janë sot me mbipeshë, unë e shoh këtë gjë përditë në shkollë. I riu me xhaketë të zezë nuk ka kohë, mësimi fillon sërish. “Unë merrem me sport. Unë mundohem t’i shmang të ëmbëlat, thotë ai për Deutsche Wellen. Për shembull bombonet me çokollata si ato të reklamave. Sepse ato shijojnë mbase si kënaqësi, por përbëhen nga 52 përqind sheqer. /DW/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura