A do tërhiqet nga tubimi i 6 dhjetorit pas refuzimit të lejes nga policia? Berisha: Do të jetë protesta më e jashtëzakonshme që kanë parë shqiptarët

Nov 27, 2022 | 12:12
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi këtë të diel se protesta e lajmëruar nga Partia Demokratike më 6 dhjetor do të mbahet në ambientet përpara kryeministrisë, pavarësisht se policia nuk e ka miratuar një leje të tillë.

berisha 555

Në një prononcim për media në përfundim të mbledhjes së Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, Berisha tha se më 6 dhjetor, do të mbahet protesta më e madhe që kanë njohur ndonjëherë shqiptarët.

“6 dhjetori do të jetë protesta më madhështore që kanë parë shqiptarët. Dhe ata do të ngrihen në emër të idealeve evropiane për të drejtat e tyre.

Ajo protestë do të mbahet përpara kryeministrisë. I them bashkisë të mos përzihet se nuk ka forcë në botë që e ndalon. Unë e di që Edi Rama kërkon të ketë dhunë.

Bën mirë që atë ditë dhe ato dyert e kryeministrisë të mos i blindojë se do bëhet lajm botëror.

Ne jemi në protestë ndaj Edi ramës dhe pro Bashkimit Evropian.

Kur pyes veten se a më dëmtuan a më ndihmuan me “non-gratën”, them se më ndihmuan. Sepse më hapën një mundësi për të mbrojtur interesat e vendit tim”, tha Berisha.

Ai shtoi: “Rama është njeriu që po shkatërron më shumë se kushdo tjetër materien, identitetin kombëtar të shqiptarëve. Me politikat e tij ai ka dëbuar 27% të popullsisë. Në këtë kontekst ai meriton urdhërin e artë të Vaso Çubrilloviç, pasi ka zbatuar të gjithë platformën e tij me përpikmëri për largimin dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.

Edi Rama është hajduti më i madh i të gjitha kohërave. Mjafton të përmendim aferën e portit të Durrësit që kalon dhe çdo shfrytëzim që mund të bëhej dhe nga një kolonizator.

Sot është një ditë kushtrimi për të gjithë shqiptarët që të qëndrojnë kundër këtij armiku të egër të çështjes komëntare, të shpopullimit të Shqipërisë që i ktheu shqiptarët në një komb gomonesh.

U largova për të përfaqësuar poplin opozitar dhe qytetarët e Kosovës që ndihen të tradhëtuar nga kryeministri shqiptar.

Edi Rama prej më shumë se 4 muajsh nuk lejon kalimin e rezolutës për dënimin e genocidit serb në Kosovë. Të gjitha këto janë arsyet që unë nuk mund të pranoja ligjëratën e një njeriu që po dëbon shqiptarët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura