A do të votojnë të infektuarit me Covid-19 në Shqipëri? Pas deklaratës së Rakacollit flet kreu i KQZ-së: Nëse partitë dhe Parlamenti…

Feb 25, 2021 | 12:00
SHPËRNDAJE

Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi foli sot lidhur me qasjen në votime të personave të prekur me Covid-19 në Shqipëri.

“Ne nuk kemi asnjë lloj mundësie për tu krijuar mundësinë për të votuar atje ku banojnë”, theksoi Celibashi. 

“Në vlerësimin tim situata është e tillë, nëse qytetarët janë të pamundur për të dalë nga shtëpitë e tyre për arsye të Covid-it apo arsye të tjera, ne nuk kemi asnjë lloj mundësie për tu krijuar mundësinë për të votuar atje ku banojnë. I vetmi përjashtim ka të bëjë me qendrat e posaçme si burgjet apo spitalet, kur ka jo më pak se 15 zgjedhës. Duhet qasur në mënyrë institucionale dhe ligjore. Nëse partitë dhe Parlamenti dakordësohen mund të bëjnë ndryshime në ligj, por personalisht e shoh të vështirë të kemi një zgjedhje tjetër. Të shpresojmë që situata nuk do jetë kjo me Covid-i, dhe numri i atyre që nuk mund të ushtrojnë të drejtën e votës të jetë i papërfillshëm”, u shpreh më herët Celibashi.

I pyetur nëse ka pasur konsultime me Ministrinë e Shëndetësisë dhe qeverinë për këtë çështje, Celibashi tha: “Nuk kemi (konsultime),  por është një çështje jashtë KQZ. Do të bënte kuptim për shkak se KQZ është përgatitëse e sistemit zgjedhor mund të merret një opinion, por për rregullin është qeveria, Parlamenti në bashkëpunim me partitë politike”, tha ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura