A do të paraqiten provat që çuan në bastisjen e rezortit të Donald Trump në Florida? Mbahet seanca e posaçme në gjykatë

Aug 18, 2022 | 23:30
SHPËRNDAJE

Një gjykatë shqyrtoi të enjten nëse do të bënte publike të dhënat që përmbajnë prova të paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për të justifikuar kontrollin në shtëpinë e presidentit Donald Trump në Florida javën e kaluar, një rast ky që i vendos mediat përballë prokurorëve federalë.

MAR A LAGO

Mediat po përpiqen të bindin një gjykatës federal se publiku ka të drejtën të njihet me provat që janë përdorur për të siguruar miratimin e gjykatës për kontrollin në rezidencën Mar-a-Lago të ish-presidentit.

Por Departamenti i Drejtësisë e ka kundërshtuar zbulimin e dokumentit që përmban prova, të cilat u dhanë hetuesve arsye të mundshme për të besuar se ishin kryer krime në shtëpinë e zotit Trump në Palm Beach të Floridas.

Jay Bratt, kreu i seksionit të kundërzbulimit të departamentit, i tha gjykatësit të enjten se zbulimi i dokumentit nuk është në interesin publik sepse mund të dëmtojë hetimin që po vazhdon.

“Ekziston një tjetër interes publik që rrezikohet dhe ky është interesi publik që hetimet penale të mund të ecin përpara pa pengesa”, tha ai.

Kontrolli ishte pjesë e një hetimi federal nëse Trump mori ilegalisht dokumentet kur u largua nga detyra në janar të vitit 2021 pasi humbi zgjedhjet presidenciale nga demokrati Joe Biden.

Departamenti i Drejtësisë po heton shkeljet e tre ligjeve, duke përfshirë një dispozitë në Ligjin e Spiunazhit që ndalon mbajtjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe një statut tjetër që e bën krim shkatërrimin, fshehjen ose falsifikimin me vetëdije të të dhënave me qëllimin për të penguar një hetim.

Avokatët e disa mediave, duke përfshirë “The New York Times”, botuesin e “Wall Street Journal”, “ABC News” dhe “NBC News” i kërkuan gjykatësit, Bruce Reinhart të enjten që të zbulojë dokumentin në fjalë dhe materiale të tjera që janë dorëzuar në gjykatë, duke thënë se e drejta e publikut të dihet dhe rëndësia historike e kërkimit tejkalon çdo argument për të mbajtur të dhënat e mbyllura.

“Publiku nuk mund të kishte një interes më bindës për të siguruar transparencë maksimale mbi këtë ngjarje,” tha Charles Tobin, një nga avokatët që argumenton për mediat.

Zoti Trump në deklaratat në rrjetet sociale i ka bërë thirrje gjykatës që të zbulojë versionin e pa redaktuar të dokumentit “në interes të transparencës.”

Por, asnjë nga avokatët e zotit Trump nuk ka bërë mocion për t’i kërkuar gjykatës federale të West Palm Beach, ta bëjë këtë. Avokatja e tij, Christina Bobb, megjithatë, ishte e pranishme në sallën e gjyqit të enjten për të vëzhguar procedurat.

Presidenti Trump thotë se kërkimi ishte i motivuar politikisht. Ai gjithashtu ka thënë, pa dhënë prova, se e kishte të gatshëm urdhrin për deklasifikimin e dokumenteve në fjalë për çka edhe u bë kontrolli në shtëpinë e tij.

Megjithatë, asnjë nga tre ligjet e cituara nga Departamenti i Drejtësisë në urdhrin e kërkimit nuk kërkon të konfirmojë se dokumentet e marra ishin sekrete.

Kërcënimet e drejtuara ndaj agjentëve të FBI-së janë shtuar që nga kontrolli.

Në shtetin amerikan, Ohio javën e kaluar, policia qëlloi për vdekje një burrë të armatosur pasi ai u përpoq të depërtonte në një ndërtesë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI). Një tjetër person në shtetin, Pensilvania, ndërkohë, është akuzuar për kërcënime kundër agjentëve të FBI-së.

Zoti Bratt tha të enjten se dy agjentët, emrat e të cilëve u shfaqën në një kopje të urdhrit për kontroll që kishte rrjedhur në media, kanë marrë gjithashtu kërcënime.

Ai gjithashtu tha se departamenti “është shumë i shqetësuar për sigurinë e dëshmitarëve në këtë rast”.

Retorika e Trump kundër FBI-së është dëgjuar nga votuesit republikanë, 54% e të cilëve thonë se zyrtarët federalë të zbatimit të ligjit u sollën në mënyrë të papërgjegjshme në këtë rast, sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos këtë javë.

Kontrolli në Mar-a-Lago shënoi një përshkallëzim të rëndësishëm në një nga hetimet e shumta federale dhe shtetërore me të cilat përballet Trump që nga koha e tij në detyrë si president dhe si udhëheqës i biznesit të tij privat.

Ish-presidenti republikan ka sugjeruar se mund të kandidojë sërish për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, por këtë nuk e ka zyrtarizuar ende.

Javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland ndërmori hapin e pazakontë duke e zbuluar urdhrin për kontroll, dy dokumente shtesë dhe një version të redaktuar të listës që tregon sendet që FBI mori gjatë kontrollit të saj më 8 gusht.

Të dhënat treguan se FBI-ja sekuestroi kuti që përmbanin 11 grupe materialesh të klasifikuara, disa prej të cilave kishin vulën “tepër sekret” që përbënë nivelin më të lartë të klasifikimit i rezervuar për informacionet më të rëndësishme për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Dokumentet e tilla zakonisht mbahen në objekte të posaçme qeveritare sepse zbulimi mund të shkaktojë dëme të rënda për sigurinë kombëtare.

Në fillim të kësaj jave, Departamenti i Drejtësisë tha se ishte i hapur për të nxjerrë disa materiale shtesë të redaktuara nga urdhri, të tilla si fletët e kopertinës, mocioni i qeverisë për të mbyllur këto dokumente dhe urdhri i gjykatës për të kryer mbylljen e dokumenteve.

Edhe mediat kanë kërkuar që të zbardhen edhe ato dokumente.

Gjyqtari i rastit, Reinhart e tha në fillim të seancës të së enjtes se do t’i zhbllokonte ato pjesë të tjera të dokumenteve me disa redaktime./VOA

© Panorama.al

Te lidhura