A do të bjerë qeveria?

Jul 23, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

leonidha mertiri

Në rrugën e gjatë e të mun dimshme për miratimin e Reformës në Drejtësi, nuk munguan parashikime nga më të ndryshmet për rënien e qeverisë aktuale. Mosmiratimi i saj për mungesë të 94 votave, sipas këtyre parashikimeve, mund ta çonte Ramën në vetëtërheqje. Kjo do të thoshte rënie e qeverisë dhe për rrjedhojë, hapjes rrugë të zgjedhjeve të reja.

Deklarata e fundit e Ilir Metës se miratimi i Reformës në Drejtësi do të shoqërohej nga një qeveri teknike, për të shkuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme, u gjykua si e tillë: një pjesë e qeverisë kishte rënë dhe që do të zihej ndënë vete nga pjesa tjetër. Pra, kështu do të binte dhe Rama. Disa media të shkruara dhe vizive e shihnin këtë të fundit si ish-kryeministër. Retorika që zënë retorikën, në përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes aq të pranishme: A do të bjerë qeveria? Parashikime për apokalips, madje, lulëzim paranojash. Është e vërtetë që “ngricat”, në një formë apo në tjetër, ranë në sy mes liderit të Partisë Socialiste dhe atij të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kur ky i fundit u shfaq me deklaratën e mësipërme.

Shenjat e kësaj ngrice midis këtyre dy aleatëve, të dukshme apo të nënkuptuara, janë vërejtur herë-herë edhe gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. Kështu, dhe më tej, aludohej për zgjedhje të parakohshme parlamentare me një qeveri teknike. Gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post”, pas mosmiratimit të Reformës në Drejtësi, shihte të mundshme “të fundoset qeveria, duke shkaktuar zgjedhje të reja dhe se dështimi do të rezultojë me refuzimin e anëtarësimit në BE”.

Gjatë kësaj periudhe nuk munguan edhe shantazhet, duke u bërë pjesë e pandarë në kërkimin e rrugëve për miratimin e reformës. Tani, kur jemi në një fazë tjetër, pas mira timit me konsensus të Reformës në Drejtësi, pyetja se “A do të bjerë qeveria?”, pavarë- sisht nga ngjyrat, vazhdon të jetë prezente. Kjo prezencë motivohet në vetvete edhe nga ajo deklaratë e Metës gjatë ngërçit të reformës. Pra, a do të bjerë qeveria? Mendoj se ajo nuk do të bjerë.

Faktorët që ndikojnë janë të ndryshëm. Po e argumentoj këtë, duke u ndalur në disa prej tyre: Së pari, Rama nuk është i interesuar aktualisht ta heqë qafe Metën. Pavarësisht, çfarë thuhet në këtë drejtim, ai do qëndrueshmërinë e qeverisë. Ndërkohë, të dyja palët nuk mund të tërhiqen nga një paketë angazhimesh. Pse? Sepse çdo largim i një partie do të lexohet si hipokrizi ndaj Reformës në Drejtësi, të sapo miratuar, si braktisje, kur ajo tani fillon frymëmarrjen si reformë.

Implementimi i saj, është e qartë, do të jetë një betejë jo afatshkurtër, për t’u rikthyer njerëzve normalisht besimin te drejtësia, pra, te vetë demokracia, që ajo të mos mbetet tek ata si diçka iluzive. Së dyti, Lëvizja Socialiste për Integrim u investua shumë më tepër për reformën sesa ishte e nevojshme. Ajo mori përsipër gjëra më shumë nga ç’duhej. Po kështu, u angazhua përmes një veprimtarie të gjerë ndërmjetësimi midis palëve të larguara PSPD. Në këtë kuadër u ofruan gjithashtu shpjegime teknike, veçanërisht nga ministri i Drejtësisë, që opinioni i priste dhe nuk i gjente gjëkundi, sidomos lidhur me përmbajtjen e ligjit, mekanizmat veprues, vetingun e famshëm, por edhe me hapat e mëtejshëm të implementimit të Reformës në Drejtësi. Ky investim nuk qe i vogël edhe me të huajt.

Pra, tërë këtë investim vështirë që LSI-ja ta lërë në mes të rrugës. Së treti, ndërkombëtarët mendojmë se do të jenë edhe më tej për ruajtjen e statuskuosë së qeverisë dhe do të ndikojnë në hapat e mëtutjeshëm pas miratimit të Reformës në Drejtësi. Së katërti, karakteri i vetë Metës. Pavarë- sisht, nëse “martesa” e prillit 2013 ishte apo jo e gabuar, gjë që nuk po ndalemi në të, realiteti ka treguar se Ilir Meta i respekton kontratat. Koalicionet e deritanishme që ai ka bërë nuk janë lënë përgjysmë, por i ka çuar deri në fund ato, pa humbur marrëveshjen kryesore, mbi shtyllat e së cilës u ngrit dhe kjo qeveri e sotme.

Në këtë rrugëtim të përbashkët mendojmë se fillimngrica e shfaqur midis dy aleatëve, edhe pse jo me shumë lehtësi, do të ketë gradualisht një ngritje temperature të saj, deri aty sa kjo qeveri të mos bjerë dhe për të shkuar normalisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura