A do të bjerë qeveria e Abazoviçit?

Aug 10, 2022 | 9:02
SHPËRNDAJE

leonidhamertiri1

LEONIDHA MËRTIRI

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i kishte të qarta pasojat e nënshkrimit të marrëveshjes së qeverisë së tij me Kishën Ortodokse Serbe. Ajo është konsideruar si e tillë nga malazezët, që nuk u shërben interesave kombëtare të Malit të Zi. Prandaj dhe zgjoi tensione te fqinji ynë, përmes protestave, me moton se “Serbia po gllabëron Malin e Zi”. Mitropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze, Mihailo, ishte më i ashpër, duke e parë Marrëveshjen si të tillë, ku “Mali i Zi tani nuk do të ekzistonte, se ai bëhej krahinë serbe”.

Pra, nuk mendojmë se kjo tablo ishte e panjohur nga Abazoviçi. E themi këtë, se, së pari, filluar nga vetë qeveria, jo të gjithë ministrat, anëtarë të kabinetit të tij, do t’i kishte me vete.

Së dyti, kundërshtimi i partive politike: PDS (Partia Demokrate dhe Socialiste) dhe PSD (Partia Socialdemokrate) dhe ndonjë parti tjetër e vogël. Si parti, me përfaqësuesit e vet në Parlament, kjo do të thoshte për Kryeministrin të mos kishte përkrahjen e tyre në Kuvend.

Së treti, partitë pro serbe, kuptohet, do të qëndronin në krah të Kryeministrit Abazoviç. Fronti Demokratik (DF) ishte më entuziasti, si parti pro serbe dhe pro ruse, sepse teksti i Marrëveshjes ishte gati kopje e qeverisë së saj para ardhjes se qeverisë së pakicës të Abazoviçit, me ishKryeministër Zdravko Krivokapiç. Qeveria e atëhershme, që jetoi rreth një vit e gjysmë, siç dihet, erdhi nga një koalicion i forcave pro serbe. Ajo gjithashtu nuk mund të vinte dot pa mbështetjen e partive minorene në opozitë, sikurse ishte dhe partia e Abazoviçit, Lëvizja “Ura”, me përbërje multietnike, pro europiane, jo fort e spikatur, ardhur me një përkrahje prej pesë për qind.

Jetëshkurtësia e qeverisë së mëparshme u bë më reale, teksa Kisha Ortodokse Serbe forcoi pozitat e saj ngaqë ligji për liritë fetare, miratuar nga Parlamenti malazez, tre vite më parë u bë nul. Sepse, në fillim të vitit të kaluar, pasi shumica e parlamentarëve pro serbë erdhi në pushtet me zgjedhjet e fundgushtit të vitit 2020, si gjë të parë bëri ndryshimin e këtij ligji, duke miratuar ligjin e vet, që fuqizonte Kishën Serbe dhe ku shteti i Malit të Zi nuk do të kishte asnjë fuqi mbi objektet e saj në territorin e vetë. Sipas disa analistëve, u gjet një shqiptar për Kryeministër të qeverisë së pakicës, për të cilën votuan 45 deputetë nga 81 të numrit të përgjithshëm, mbështetur nga DPS e Gjukanoviçit, e cila nuk mori pjesë në këtë qeveri, që do të realizonte dhe atë çka thamë më lart.

Mendojmë se kjo nuk është shumë e besueshme. Abazoviç, si mendjehapur, i njohur si europianist, nuk e sheh nacionalizmin si opsion të vendit të tij. Për të, e ardhmja në Bashkimin Europian është opsioni i dëshiruar.

Takimi i Kryeministrit malazez me Presidentin Gjukanoviç, gjetja e gjuhës së përbashkët, bëri që situata e tensionuar të shtendoset disi dhe qeveria hë për hë të mbahej, paçka se me vështirësi. Nga ana tjetër, një vizitë e Abazoviçit në Serbi, duket se pati më shumë pozitivitet, në radhë të parë te ndërkombëtarët, por dhe brenda vendit, pavarësisht ulje-ngritjeve. Ajo u vlerësua si përpjekje për ngrohje të klimës në marrëdhëniet dypalëshe, për vënien në rrugë të problemeve të pazgjidhura, sikurse ishte dhe Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe. Ftohja midis tyre ka ardhur me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006, duke u shkëputur nga Konfederata SerbiMali i Zi. Pas kësaj, Serbia është kritikuar shpesh nga krerët malazezë për përkrahje dhe nxitje të tensioneve të proserbëve në këtë republikë. Pavarësisht influencës përmes Kishës Ortodokse Serbe, Serbia dhe më tej do të përpiqet të ndikojë në Malin e Zi, por tani për tani është e vështirë ta ketë vendin nën sqetullën e vet.

Duke afirmuar qëndrimet e deritanishme të tij, Abazoviç deklaron, sipas “Vijestit”, gazetë malazeze, se për të dhe qeverinë e tij, është e rëndësishme që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin dhe të gjitha bashkësitë fetare kanë trajtim të njëjtë. Por, a do t’ia dalë më tej Abazoviç? Tabloja për të, megjithatë, vështirë të jetë shumë optimiste. Pesë parti, pjesëmarrëse në Parlament, kanë kërkuar nëpërmjet deputetëve të tyre mocion mosbesimi ndaj qeverisë aktuale, për të cilën pas dhjetë ditësh do të diskutohet në Parlament. Mundësitë flasin më tepër për rënie të qeverisë së pakicës dhe që mund të kalohet në zgjedhje të parakohshme.

Në këto rrethana, Partisë Demokrate Socialiste mund t’i krijohen kushtet në elektorat për t’u kthyer në pushtet, pas një pauze mosqeverisjeje të saj gjatë këtyre dy vjetëve, për shkak të humbjes në zgjedhjet e fundit. Por koha e shkurtër në opozitë, mendojmë se nuk e favorizon atë. Ndërkohë, ekziston droja se rënia e qeverisë mund të çojë në ngadalësimin e vendit për integrimin europian të tij. Por dhe kjo vështirë ta sfumojë rënien e qeverisë dhe tok me të bindjen e të gjykuarit të Marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe si ndryshim të kursit të qeverisë, si cenim të interesave të vendit. Pavarësisht dilemave të ndryshme, Mali i Zi duket se është më afër zgjedhjeve të reja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura