A do ta rrëzohet qeveria e Kosovës e drejtuar nga Abdullah Hoti? Çfarë pritet ditët në vijim

Oct 28, 2020 | 17:07
SHPËRNDAJE

Vota e një deputeti minoritar për qeverinë Hoti, për shkak se ishte i dënuar, ka mundësi që të kthehet në mallkim për këtë qeveri. Gjasat janë reale që Gjykata Kushtetuese ta kthejë në pikën zero zgjedhjen e qeverisë së Kosovës.

hoti-1

Gjykata Kushtetuese së shpejti pritet ta publikojë aktvendimin lidhur me rastin e votimit të Qeverisë Hoti. Sipas burimeve të Gazetës Express, vendimi i Kushtetueses i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje dhe e rrëzon Qeverinë e Avdullah Hotit.

Bëhet fjalë për ankesën e LVV’së lidhje me votën e deputetit Etem Arifi, që votoi pro formimit të Qeverisë Hoti, edhe pse ishte i dënuar nga gjykata. Përfaqësuesi i ashkalinjve ishte vota e 61-të, me të cilën Hotit iu mundësua të bëhet kryeministër.

Gjyqtar raportues i rastit ka qenë Bekim Sejdiu, i cili, ani pse ne atë pozite ka ardhur me propozimin e LDK-së, gjatë qëndrimit në Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një gjyqtar të afërt me LVV-në.

LVV-ja ka dorëzuar në qershor të këtij viti kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese rreth  “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.

“Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jo kushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Edhe pas këtij dënimi, ai kishte marrë pjesë në seancën e 3 qershorit, kur vendi u bë me Qeveri të re.

Para një muaji ai është dorëzuar vetë në Polici për ta vuajtur dënimin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura