A do ta lejojë Yuri Kim të turpërohet nga Edi Rama?

Jul 13, 2020 | 12:26
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ gjekmarkaj

Të premten, Edi Rama u shfaq para shqiptarëve më i plakur se kurrë. Mbi supe kishte hedhur mantelin e frikës. Fytyra i tendosej nga nxitimi i atij që kërkon përsëri plaçkë. Asnjë politikan shqiptar nuk ka pasur kurajë të shfaqet kaq besëprerë para shoqërisë, kundërshtarëve politikë dhe faktorit ndërkombëtar. Me gjasë, asnjë nuk e ka pasur kaq të madh hallin. Ai nuk ka fuqi ta parashikojë jetën e tij jashtë zyrës së pushtetit. Një peng si spirancë e zhyt në ranishtën e së shkuarës. Kryeministri i një mijë e një ndodhive paralajmëroi një grusht shteti, nëpërmjet të cilit tenton të pengojë rrotacionin politik.

Me shpresën se rastësia do t’i regëtijë si mbret i botës, se pengesat dhe stërkëmbëshat e pandershëm do t’i japin ndonjë shans, po tenton të ndalojë koalicionet parazgjedhore dhe të shkelmojë marrëveshjen e 5 qershorit, produkt i këshillit politik dhe faktorit ndërkombëtar. Ai dje konfirmoi faqe opinionit publik se opozita dhe koalicioni i saj janë fituese, një fitore që atë e tremb, të cilën dëshiron ta manipulojë me truk, duke kthyer edhe një herë në piken zero dialogun dhe provokuar derivatet e mungesës së tij. Rama kërkon tension e amulli, ekstremizëm e dhunë për të dalë nga qoshja e humbjes ku ndodhet.

Edi Rama së pari ka sfiduar ambasadoren amerikane, zonjën Yuri Kim, dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë si BE, Gjermania në veçanti, të cilët, për të mos krijuar precedentin e largimit me forcë, për të mos legjitimuar djegien e mandateve si formë presioni, mbajtën në pushtet Kryeministrin e cunguar, delegjitimuar e de fakto të rrëzuar.

Asokohe, ambasadorët kryesorë për çdo mushkonjë që kalonte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dilnin me një deklaratë kundër opozitës, e cila dëmtoi interesat e veta, por nuk shkoi në ndeshje pa kthim me ta. Propaganda e rilindjes një e dy thoshte “e patë”, “e dëgjuat”, “Amerika foli, BE gjithashtu, ndaj sus”. Tani këtë e kanë harruar.

Ditën e enjte, ambasadorja Kim, një person racional e konkret, e qartë në elokuencën e saj, në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës konfirmoi vullnetin e vet e të shtetit të saj që marrëveshja e 5 qershorit të votohej pa ndoshta e sikur, pa ndryshime, madje pa i fshirë asnjë fije pluhuri që mbi fletë ka rënë prej një muaji, që kur u firmos. Ajo shkoi pak më tej, duke na kujtuar se rrotacioni është si qarkullimi i gjakut, pa të cilin trupi vdes.

Po kaq Partitë popullore Europiane, komisioneri Oliver Varhelyi, eksponentë të Bundestagut, kanë kërkuar të njëjtën gjë. Rama thotë nuk i pyes, veçse harron që në pushtet e mbajtën këta gjatë kësaj kohe dhe jo Sandër kimiku me urrejtjen e tij për protestuesit. Pyetja e madhe është nëse do të lejojë Yuri Kim dhe të tjerët të turpërohen nga Edi Rama, faqe gjithë shqiptarëve?!

A mund të lejojnë këto shtete, SHBA në krye, që ambasadorja e tyre të trajtohet si e mosqenë nga një sundimtar ballkanik me qindra mëkate nga pas?! Nëse kjo ndodh, të gjithë ata humbasin të drejtën morale dhe fuqinë reale të ndikimit që sot e kanë për t’i thënë këtij populli si ta vendosë drejtësinë e nëpërkëmbur apo si t’i rrezojë autokratët.

Përtej faktit që shumica e qytetarëve të zëshëm e të pazëshëm presin ditën e votimit për t’u hakmarrë ndaj qeverisjes së Edi Ramës në mënyrë që oreksi i tij për pushtet të mos gëlltisë të ardhmen e fëmijëve të tyre, opozita dhe pretendenti për Kryeministër, Lulzim Basha, pa u shpërqendruar, në fokus duhet të mbajë komunikim me ta pa e anashkaluar mundësinë legjitime të rezistencës për të penguar rënien e zgjedhjeve dhe të demokracisë.

Kushtetuta ndryshohet si vullnet politik i shoqërisë për t’i përmirësuar asaj standardet e garancitë demokratike dhe jo për t’i siguruar pushtet një individi. Kjo ndodh në Rusi, ku Presidenti Putin praktikisht do të rrijë në pushtet sa të jetë gjallë pos ndonjë incidenti të paparashikuar. Atje demokracia është thjesht nocion teorik.

Nuk e kemi larg Beogradin, ku miku i Ramës dhe Thaçit, Vuçiç, pasi shkoi në zgjedhje pa opozitën dhe mori të gjitha pushtetet, po përballet me flakët e revoltës dhe heshtjes ndërkombëtare. Kujtojmë këtu se Rama doli politikisht në raport me SHBAnë, Gjermaninë e Francën, me brinjë të thyera në historinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë. Imazhi i njeriut me ndikim e lojtar mes fuqive u bë shkrumb e hi në zjarrin që po djeg kredibilitetin e Hashim Thaçit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, si i vetmi institucion që nuk kontrollohet prej qeverisë, i cili shpesh termin “grusht shteti” e ka artikuluar për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, jo pak herë ka kërcënuar për akte ekstreme.

Mbase, asokohe jo pak është keqkuptuar, sidomos kur uli tonet me Ramën, por tani do të kuptohej më mirë nëse i kthehet asaj retorike sepse “grushti i shtetit” u paralajmërua dhe u vu në lëvizje. Për këtë do përdoret Kuvendi i gjymtuar, pseudoopozita parlamentare, shumica burra e gra qesharakë që nuk votohen nga familjaret e tyre, renegatë të opozitës që inati ndaj Bashës i pambarim, i ka shndërruar në konkubina të Ramës, të përdorur si prezervativë nga Kryeministri për të përdhunuar Kushtetutën.

Ilir Meta, në momentin që legaliteti bie edhe formalisht, duhet ta shpërndajë këtë Parlament me dekret dhe t’u kërkojë ndihmë qytetarëve kundër represionit policor për të mbrojtur rëndin kushtetues. Të gjitha këto, nëse Yuri Kim nuk e mban dot fjalën e dhënë para shqiptarëve duke e zvogëluar Amerikën e madhe në sytë e tyre. Në këtë rast, e madhe bëhet dalja jashtë kontrollit e shqiptarëve.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura