A do shkojë Basha në Prokurori për kontratat e lobimit? Ja si përgjigjet kreu i PD

Mar 12, 2018 | 15:17
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike është pyetur sot nga mediat nëse do të shkojë në Prokurori që të japë sqarimet e tij lidhur me kontratën e lobimit në SHBA dhe faktin se lobuesi Nik Muzin ka deklaruar se ka marrë 675 mijë USD për PD-në.

Ai nuk u përgjigj nëse do të shkonte në Prokurori, por bëri thirrje që të priten hetimet që kanë nisur.

basha deklarate nga pd1

“PD i ka bërë të qarta si drita e diellit të gjitha aspektet financiare dhe zgjedhore të saj dhe gjithçka ka dalë në përputhje me ligjin. ulërimat e Ramës dhe shpërthimi i Ballës nuk mund ta heqin nga vëmendja faktin që përmes një takimi sekret në një spital po përgatiten dy mynxyra të mëdha: sabotimi i Maminasit dhe lirimi i Sajmir Tahirit. Le të presim hetimin, të presim edhe FBI-në që nuk e di as Presidenti amerikan kur nis hetimet, ndërkohë që këtu doli lajmi”, u shpreh Basha.

Lidhur me seancën e të enjtes kreu demokrat u shpreh se PD-ja do të kërkojë të votohen ndryshimet kushtetuese për të shkarkuar Arta Markun dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm me vetting dhe 3/5 e votave.

“Në Kuvend do paraqiten amendamentet kushtetuese që Shqipëria të ketë një prokuror të përgjithshëm me vetting dhe të zgjedhur me 3/5 e votave. Treguesit janë që Rama të votojë kundër, sepse është pikërisht kapja e Prokurorisë leva me të cilën ai po përpiqet të lirojë Sajmir Tahirin dhe të mbrojë Agron Xhafën. Kjo mund të ndodhë për disa muaj, por jo pafundësisht. Mjegulla qeveritare dhe sulmet ndaj opozitës, e cila ka bërë transparencë të plotë, nuk do të na e mbyllin gojën ne në këtë betejë”, theksoi më tej Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura