A do donte të ishte kryetare e PD-së? Grida Duma në një rrëfim ndryshe, nga Vespa tek qeni i stanit, çfarë kujton nga koha e gjimnazit

Feb 11, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

grida duma rudina1

Ajo është një personazh i njohur publik që shquhet për imazhin e një gruaje të bukur, por edhe për rolin e saj në debatet publike, angazhimet akademike dhe që ka spikatur me profilin e saj edhe në politikë. Bëhet fjalë për Grida Dumën, e cila ka qenë e ftuar në programin “Rudina”, në një intervistë ndryshe, ku i është përgjigjur pyetjeve së drejtueses së emisionit, Rudina Magjistari, por edhe atyre të publikut.

Do doje të ishe kryetare e Partisë Demokratike?

Grida Duma: Absolutisht jo, asnjëherë, as e kam pranuar, as e kam menduar si logjikë. Kam patur poste drejtuese. Nuk më ka shkuar në mendje asnjëherë.

Të mungon foltorja e Kuvendit?

Grida Duma: Foltorja e Kuvendit në vetvete jo nuk më mungon. Media e ka zëvendësuar më mirë se sa aq, për hir të së vërtetës. Por një lloj rimendimi që mund të bëj shumë të tepër, në kuptimin po të kishte vërtet jetë parlamentare, padiskutim që e kam këtë domethënë. Njerëzit që bëjnë karrierë politike, foltoren e Kuvendit e kanë pjesë të ëndrrës së tyre të karrierës, domethënë aty mund të shpalosësh çdo gjë. Por jo, nuk është ky konteksti në Parlamentin shqiptar dhe për aq pak kohë sa qëndrova, domethënë nuk pashë që ishte e mundur kjo. Sigurisht koha e ardhme do të sjellë padiskutim ne shpresojmë një realitet më të mirë politik. Por deri sot nuk shoh që kemi humbur ndonjë gjë në kuptimin e impaktit, se pastaj të gjitha gjërat e tjera janë relative.

grida duma eudina2

Duma tregoi se kur ishte 18 vjeç, mësonte për violinë dhe piano sekondare, por që sot e urren sepse e studionte me dhunë disipline nga e ëma.

“Plotësisht jashtë kornizave. Kisha dalë nga liceu edhe studioja violinë dhe piano sekondare, që sot e urrej sepse kur e studioja, e studioja me dhunë disipline nga ime më. Po të më thuash mua sot violinë, e kam tmerr. Ishte një grua, që donte patjetër suksesin maksimal. Kjo është një gjë që ne mund ta diskutonim shumë gjatë. Kur do maksimumin tek fëmija nuk është e nevojshme gjithmonë, që ta arrish këtë me forcë, duhet arritur edhe me motivim pozitiv. Në kuptim që jo gjithmonë, jo nuk e ke bërë mirë, shpesh duhet të jetë e ke bërë shkëlqyer, ia del edhe kur se ka bërë shkëlqyer, pavarësisht se kjo mua më vlejti edhe për gjëra të tjera”.

Më tej, ajo shtoi se babai i saj i ka dhënë një liri individuale. Madje që në gjimnaz, babai i ka blerë një motor dhe gjithashtu për në shkollë ka patur edhe një qen stani që e shoqëronte.

“Nuk kisha asnjë lidhje me gocat që rrinin me gocat. Nuk bëja asgjë nga ato që bëheshin dukshëm, nuk bëja atë xhiron e pasdites që bëhej gjithmonë me mamin tek bulevardi. Me fatin e madh kam një baba, që ndryshe nga tradicionalja le të themi kështu, pavarësisht se sa tradicional është, e ngjizi fort tek unë lirinë individuale. Domethënë mjetet që përdori ishin që më bleu një vespa në atë kohë, një motor. Dhe unë gjatë gjithë kohës së gjimnazit kam shkuar ashtu në shkollë dhe bëja çudinë në një farë mënyre. Kam patur një qen stani të madh, edhe ai më shoqëronte. Domethënë ishin dy simbolika që dukej sikur ishte një gjë e vogël, por në atë kohë edhe një palë xhinse ndryshonin sjelljen”. /tvklan.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura