Rrugorët s’përdorin më karrotrecë

Jul 4, 2012 | 15:54

Policia Rrugore e Tiranës prej më se një muaji nuk ka kryer asnjë zhvendosje automjeti me karrotrec.
Nga data 2 qershor e këtij viti, kjo e drejtë shërbimi i ka kaluar Policisë Bashkiake. Ky kalim duket se ka rritur detyrimet e qytetarëve që parkojnë keq apo zënë hapësirat publike me automjetet e tyre. Ata tashmë do të përballen me sanksione më të ashpra se sa më parë. Burime të rezervuara nga Policia e Shtetit thanë se kalimi i kësaj mase administrative për zbatim nga Policia Bashkiake është pjesë e një projekti që ende nuk ka përfunduar dhe shumë shpejt karrotrecët do të përdoren vetëm nga policët bashkiakë. Nga ana tjetër, disa drejtues të Policisë Rrugore u shprehën se “përjashtimi” nga shërbimi me karrotrec është çështje e përkohshme, deri në rinovimin e kontratës me shoqërinë që ka karrotrecët, pasi kontrata e parë ka përfunduar më datë 2 qershor. Kostoja e heqjes së këtij shërbimi nga Policia Rrugore reflektohet në ashpërsimin e masave ndaj qytetarëve kundërvajtës që kanë në përdorim një automjet. Taksa e karrotrecit është e njëjtë si në rastet kur mjeti zhvendosej nga Rrugorja, ashtu edhe nga Policia Bashkiake, 4 mijë lekë. Ajo që ndryshon është gjoba, që në rastin e Policisë Bashkiake është 2 mijë lekë më shumë se sa masa që përdor Policia Rrugore për parkimet e gabuara, pra është 3 mijë lekë. Rrugorët vendosin gjoba nga 1-2 mijë lekë për parkimet e gabuara. Në rastet kur një automjet zhvendosej me karrotrec me urdhër të Policisë Rrugore, pronarit të automjetit i duhej të paguante 5 mijë lekë, bashkë me gjoba të prapambetura në rastet kur mund të kishte. Ndërsa tani që ky shërbim kryhet me urdhër të Policisë Bashkiake, drejtuesve të mjeteve u duhet të paguajnë 7 mijë lekë, por pa qenë të detyruar të paguajnë gjobat e prapambetura.
KARROTRECET
Deri një muaj më parë, atëherë kur Policia Rrugore kishte të drejtën e zhvendosjes së mjeteve me karrotrec, vetëm në Tiranë spostoheshin në pika bllokimi mesatarisht 35 automjete në ditë. Kryesisht makina që kishin parkuar dyshe, në stacione autobusi, në vende ku sinjali vertikal e ndalonte qëndrimin e automjeteve apo në trotuare. Për të marrë automjetin e tyre, fillimisht drejtuesit duhet të interesoheshin te Policia Rrugore apo tek ajo Bashkiake, pasi këtë lloj shërbimi e kryenin të dyja. Më pas, kur informohej për vendndodhjen e mjetit të tij në një nga pikat e bllokimit, drejtuesi i mjetit kishte një radhë pune për të rimarrë makinën e tij, në rastet kur mjeti merrej nga Policia Rrugore. Fillimisht duhej të shkonte pranë pikës së bllokimit, në Unazë të Re apo tek ish-Parku i Autobusëve, të merrte dokumentet e makinës bashkë me fletën e gjobës për parkim të gabuar. Nga aty duhej të paguante gjobën e vendosur së fundi, për të cilën edhe i ishte zhvendosur makina në pikën e bllokimit, që ishte një mijë lekë, si dhe gjoba të prapambetura në rast se kishte. Bashkë me to, edhe 4 mijë lekë të karrotrecit. Me mandatin e pagesës së gjobës duhej të rikthehej te pika e bllokimit ku ndodhej mjeti dhe pasi të dorëzonte mandatpagesën, atëherë rimerrte mjetin e bllokuar.

Veprimet për të rimarrë makinën
Ndryshe nga rastet kur makina zhvendosej me karrotrec, në rastet kur këtë shërbim e kryente edhe Policia Rrugore, tani që këtë shërbim e kryen Policia Bashkiake, qytetari nuk është më në dilemë nëse makina i është zhvendosur nga Rrugorja apo Bashkiakja. Paraqitet pranë Policisë Bashkiake apo në një nga pikat e bllokimit, të njëjta me ato të Policisë Rrugore. Merr dokumentet e mjetit dhe paguan gjobën 3 mijë lekë, që është 2 mijë lekë më shumë se ajo e Rrugores, taksën e karrotrecit, që është e njëjtë, 4 mijë lekë, dhe merr makinën pa qenë e nevojshme që detyrimisht të paguajë gjobat e prapambetura.

Bashkëpunimi mes Rendit e Bashkiakes
Rreth një vit e gjysmë më parë, Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe Policia Bashkiake e kryeqytetit nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Qëllimi i marrëveshjes ishte bashkëveprimi në garantimin e sigurisë në territorin e kryeqytetit si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset. Marrëveshja në fjalë parashikon bashkëpunim mes Policisë së Rendit, Policisë Rrugore dhe Policisë Bashkiake. Sipas memorandumit, Policia e Rendit dhe ajo Bashkiake ndanë detyrat mes tyre për veprimet që duhen kryer në rastet e menaxhimit të trafikut rrugor të rënduar, aksidenteve, kundërvajtjeve të trafikut dhe një sërë situatash të tjera problematike.

Kur dhe ku hiqen makinat me karrotrec
1. Në rrugë dhe pjesë të saj në të cilat me urdhëresë të entit pronar të rrugës, është përcaktuar se pushimi i mjeteve përbën pengesë a rrezik serioz për qarkullimin rrugor dhe kur sinjali i ndalim-pushimit jepet nga tabelat e vendosura posaçërisht.

2. Në të gjitha rastet e tjera kur pushimi i mjeteve është i ndaluar dhe përbën pengesë ose rrezik serioz për qarkullimin rrugor.

3. Kur mjeti është lënë në vende ku qëndrimi nuk lejohet, sipas urdhëresave të shpallura
nga enti pronar i rrugës, për arsye pastrimi ose mirëmbajtjeje të rrugëve dhe pajisjeve të saj.

4. Në afërsi të sinjaleve rrugore vertikale
dhe semaforike dhe 30 metra në afërsi të tyre,
kur pengojnë fushëpamjen, si dhe në sinjalet horizontale të përzgjedhjes paraprake dhe gjatë korsive udhëzuese.

5. Në qendrat e banuara në zonat e kryqëzimeve dhe në afërsi të tyre në më pak se 5 metra nga zgjatimi i buzës më të afërme të karrexhatës tranversale, përveç rasteve kur sinjalizohet ndryshe.

6. Në rrugëkalimet dhe vendkalimet për këmbësorë, në korsitë për biçikleta dhe mjete të ngjashme me to, si dhe në daljet e tyre.

7. Në trotuare, përveç rasteve kur sinjalizohet ndryshe në rresht të dytë, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me 2 biçikleta, 2 çiklomotorë me dy rrota ose 2 motorë me dy rrota.

8. Në hapësirat e rezervuara për stacionimin dhe qëndrimin e autobusëve, trolejbusëve dhe të mjeteve që qarkullojnë mbi shina dhe aty ku ato nuk janë të kufizuara me shenja, në një largësi jo më të vogël se 15 metra nga sinjali i stacionit, si dhe në hapësirat e rezervuara për stacionimin e mjeteve të shërbimit taksi.

9. Në zonat e destinuara për mjetet e shkarkimit të mallrave në orët e caktuara.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura