
Kineastët Thomas Logoreci dhe Iris Elezi kanë nisur një fushatë sensibilizuese për të mbledhur fonde për të ndihmuar Arkivin Qendror të Filmit Shqiptar, t’i shpëtojë shkatërrimit për shkak të viteve dhe kushteve atmosferike. Logoreci tregon për mbështetjen që ka gjetur tek disa personalitete të shquara të kinemasë botërore.
Projekti juaj për të ndihmuar arkivat shqiptarë ka gjetur mbështetjen e emrave të shquar të kinemasë botërore, cilët janë ata, si keni kontaktuar?
Një nga mbështetësit tanë është Martin Scorcese, një nga regjisorët më të famshëm, i cili është shumë i interesuar për ruajtjen e filmave. Së pari kam kontaktuar Mark Cousins, një nga filmruajtësit më të njohur në botë. Ishte ai që kontaktoi me Martin Scorcese dhe aktoren Tilda Swinton, e cila është gati e fiksuar ndaj këtij misioni dhe do të donte të vinte në vjeshtë në Shqipëri për të parë arkivat, për të vizituar vendin, pasi ka dëgjuar shumë për këtë vend komunist dhe do të donte të shihte se si është ai. Ajo do të donte të vinte në Festivalin e Prizrenit, Dokufest, por është duke xhiruar një film në Pragë dhe e ka të pamundur. Por mundësia është e hapur. Më tha t’i jap programin e ndoshta ajo mund të vijë në minutën e fundit. “Mund t’i hipë avionit e të vij në Dokufest”, më tha. Por programi i saj është shumë i ngjeshur. Është fantastike që ne kemi mbështetjen e emrave të mëdhenj, të cilët mbështesin ruajtjen e arkivave në të gjithë botën. Unë u kam çuar nga një kopje të dokumentarit të Fatmir Koçit “Vendi i shqiponjave”, i cili përmbante imazhe të cilat nuk i kishin parë kurrë dhe shërbeu si një publicitet për Shqipërinë. Është e mrekullueshme që pasuria e arkivave shqiptarë të ruhet dhe për këtë do të na ndihmojnë arkivat nga e gjithë bota.
Si ka qenë bashkëpunimi me institucionet shqiptare?
Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë. Drejtuesit këtu po bëjnë një punë shumë të mirë, ndërsa ministri i Kulturës ishte shumë mirëpritës. Ideja jonë është që t’i mbajmë filmat në Shqipëri, jo t’i çojmë në ndonjë vend tjetër, por t’i restaurojmë dhe ruajmë këtu. E rëndësishme është të kuptojmë se si mund t’i ruajmë filmat shqiptarë edhe për qindra vjet të tjerë, si do të ruajmë imazhet. Mendoj se duhet të kërkojmë ndihmën e vendeve të tjera, të cilat kanë kaluar nëpër këtë eksperiencë.
Ka filma që janë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme?
Jo, nuk mendoj. Ne jemi në një moment kur duhet të marrim vendime të rëndësishme. Shqipëria nuk është si Kamboxhia, ajo humbi gjithçka. Por 10 apo 15 vjet më vonë, nëse ne nuk do të fillojmë të mendojmë që tani për ruajtjen e filmave, do të jemi në atë pozicion. Filmat janë kimikë, nuk jetojnë përgjithnjë dhe Shqipëria është në një moment që duhet të vendosë si do t’i ruajë ata që të mos shkatërrohen. Ndaj edhe ne jemi këtu për të sensibilizuar mbi këtë problem, i cili nuk është vetëm shqiptar, por që ndodh kudo, edhe në SHBA. Ne jemi këtu për të menduar se si do t’i ruajë filmat Shqipëria në këto 50 vitet e ardhshme.
Është një projekt i kushtueshëm, apo jo?
Edhe mundet, por më së shumti duhen trajnuar njerëz për të bërë atë që duhet. Por nuk kushton aq sa mund të mendoni ju. Shqipëria nuk ka një numër aq të madh titujsh sa në Amerikë, mund të shkojë në 10 mijë. Gjithsesi është një numër i madh, por po të fillojmë të punojmë që tani, të trajnojmë njerëz, t’i bëjmë ata të ndërgjegjshëm, çka është shumë e rëndësishme, pas 20 vitesh ne mund t’i kemi imazhet tona të ruajtura. Por është një proces i gjatë, i cili nuk mbyllet në një vit. Kur isha fëmijë në Amerikë, rreth 10 vjeç kam dëgjuar Martin Scocessen të flasë për ruajtjen e filmave dhe tani filmat e Hollywoodit janë të mbrojtur, pasi për këtë gjë është folur shumë vite më parë. Ndërsa në Shqipëri ka filluar të flitet tani për këtë problem. E rëndësishme është të gjejmë se si t’i mbajmë gjallë këto imazhe, pavarësisht se cilës periudhë i përkasin, asaj komuniste apo më parë. Nëse janë të periudhës komuniste, prej tyre unë mund të kuptoj se si Enver Hoxha e mbajti pushtetin. Këta filma janë si pikturat e Galerisë Kombëtare, ne duhet t’i trajtojmë si të tillë, çdo imazh, çdo “frame”.











