Ekstradohen skafistët e tragjedisë së 9 janarit

Jul 4, 2012 | 14:58
Cukal Delija dhe Altin Belulaj

Dy persona të akuzuar si skafistë të gomones së mbytur në Karaburun më 9 janar 2004 u ekstraduan dje nga Italia në Shqipëri. Interpol Tirana ka sjellë me pranga në duar në Tiranë skafistin nga Vlora, Altin Belulaj, i dënuar me 25 vjet burg dhe njërin nga organizatorët që kishte planifikuar trafikimin e 36 personave, Cukal Delija, nga Shkodra, i dënuar me 15 vjet burg. Burime nga Policia e Shtetit thanë se 32-vjeçari Belulaj ishte arrestuar nga Interpol Roma në dhjetor të vitit të kaluar me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, ndërsa 43-vjeçari Delija ishte arrestuar disa muaj para tij. Gjykata e Vlorës, me vendimin e datës 24 janar 2005, e ka dënuar shtetasin Altin Belulaj me 25 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “kalimit të paligjshëm të kufirit” dhe “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri”. Ndërsa shtetasi Cukal Delija është dënuar me 15 vjet burg, me vendimin e datës 22 qershor 2007 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për kryerjen e veprës penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Sipas vendimit të Gjykatës së Vlorës, Altin Belulaj dhe Cukal Delija janë deklaruar fajtorë, pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë organizuar trafik të paligjshëm të qenieve njerëzore duke iu premtuar personave të ndryshëm kalimin në Itali kundrejt shumës 1500 euro për person. Gomonia që mbante 36 persona në bord, kryesisht nga Shkodra, është nisur më 9 janar të vitit 2004 nga Vlora në drejtim të Italisë dhe është përmbysur pranë gadishullit të Karaburunit. Në këtë tragjedi kanë humbur jetën 28 persona, 20 prej të cilëve janë gjetur dhe 8 vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe sot e kësaj dite. Tragjedia, sipas vendimit të Gjykatës, ndodhi për shkak të mbingarkesës në skaf.

© Panorama.al

Te lidhura