
Katër zyrtarë, mes të cilëve ish-drejtori i Agjencisë së Pronave, janë dërguar të pandehur në Gjykatën e Tiranës me akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre lidhur me pronat në bregdetin e Kavajës.
Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës ka dërguar në gjyq çështjen penale që lidhet me abuzimin me 1650 dynymë tokë në plazhin e Spillesë në Kavajë. Dosja penale pritet që brenda pak ditëve të hidhet në short në Gjykatë. Sipas hetimeve të deritanishme, mbi bazën e një referimi të Policisë, më 13 shtator 2011, Prokuroria hapi dosjen për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Nga hetimet ka dalë se shtetaset Minerva Jenisheri dhe Fejzilete Spahiu, me prokurë të posaçme, kanë autorizuar avokatin Agim Hoxha për t’i përfaqësuar në identifikimin, njohjen, kthimin e kompensimin e pronave të trashëgimlënëses Neime Jenisheri, e cila ka pasur në pronësi dhe i janë shpronësuar 1650 dynymë tokë, në vitin 1946, në zonën e Spillesë në Kavajë. Avokati ka paraqitur në ZRKKP, qarku Tiranë, dy kërkesa për kthimin e kompensimin e pronave, në datat 04.06.2007 dhe 25.06.2007. Vlerësimi ligjor paraprak për pronat e familjes Jenisheri është bërë nga topografi Dhimitër Papa. Agjencia e Pronës ka marrë dy vendime për kthimin e pronës për këtë familje, konkretisht nr. 261, datë 28.08.2008 dhe nr. 276, datë 10.09.2008, të ZRKKP qarku Tiranë dhe në hartat e pasurisë së kthyer rezultojnë si pasuri “arë” dhe ndodhen në katundin Spille dhe Greth. Këto prona janë regjistruar në ZRPP Kavajë, të identifikuara si pasuri e llojit “arë”. Pikërisht për pronën e përfituar nga trashëgimtarët nuk është bërë pozicionimi i saktë, pra mbi këto pasuri, por në pasuri ranishte e duna rëre të ndodhura mes detit dhe tokës bujqësore në fshatin Spille dhe detit e moçalit në Vilë-Bashtovë. Sipas Prokurorisë, kjo mospërputhje e pozicionimit hartografik të tokës së kthyer ka dalë nga akti i ekspertimit topografik, datë 21.11.2011, të kryer me urdhër të Prokurorisë Tiranë nga një grup ekspertësh. Sipas Prokurorisë, zhvendosja nga tokë bujqësore në tokë ranore-plazh është bërë në korrik 2007 nga një grup pune i përbërë nga Dhimitër Papa, me detyrë topograf pranë ZRKKP qarku Tiranë. Grupi ka pasur si anëtarë edhe shtetasit Altin Ceni, Merita Gjinali, Ali Aliaj dhe Bledar Dervishaj. Ata dyshohet se kanë ndryshuar zërin kadastral të regjimit juridik e fizik të tokës nga tokë bujqësore arë, në tokë ranore plazh. Ata dyshohet gjithashtu se kanë ndryshuar pozicionin gjeografik të kësaj prone duke i kaluar në pronësi familjes ranishte buzë detit, që nuk ka përputhje me kufijtë e pronës para shpronësimit.
Abuzimi
Prokuroria ka kryer këqyrje dhe akt-ekspertime në lidhje me zhvendosjen e pronës nga arë në ranishte duke rritur kështu vlerën e tokës që është kthyer. “Si përfundim, regjimi juridik i tokës objekt hetimi, kthyer ish-pronarëve nga Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut Tiranë, duke u mbështetur në hartat e viteve 1937, 1947 dhe 1978, rezulton tokë me zë kadastral P.F (tokë pa fryt ose ranishte) për pronën e kthyer me vendimin nr. 276, dt. 10.09.2008 në zonën e Vile-Bashtoves dhe P.F (tokë pa fryt në formë ranishte) për pronën e kthyer me vendimin nr. 261, datë 28.08.2008 në zonën e Spillesë. Zyra Rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë ka trajtuar duke njohur dhe kthyer një pjesë të sipërfaqes së shpronësuar ish-pronarit (duke njohur 172 500 m2 dhe kthyer 74 127 m2). Prona e pretenduar e pronarit nuk përputhet me dokumentacionin e shpronësimit si tokë “arë”, por është ndryshuar zëri kadastral duke e vendosur mbi pasuri “P.f” ose ranishte”, thuhet në akuzën e Prokurorisë. Sipas saj, nga këqyrja e hartave të marra nga Instituti Gjeografik i Ushtrisë dhe nga Departamenti i Shërbimit të Tokës dhe Ujit, në QTTB, Fushë-Krujë, rezulton se pozicioni hartografik i pronave të kthyera familjes Jenisheri me vendimet e Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut Tiranë është bërë mbi pasuri që në këto harta identifikohen si ranishte ose duna rëre dhe janë pozicionuar midis ujit të detit dhe kufirit perëndimor të tokës bujqësore. (Për pronën e kthyer në fshatin Spille me vendimin nr. 261, datë 28.08.2008) dhe ujit të detit dhe moçalit (Për tokat në Vile-Bashtovë të kthyera me vendimin nr. 276, dt. 10.09.2008) pra pozicionimi i tyre nuk është bërë mbi pasuri që në këto harta identifikohen si toka arë. Prokuroria thekson se në planin e rilevimit të përgatitur nga ing. Njazi Ademi rezulton se është bërë korrigjimi i hartës kadastrale duke spostuar vijën e takimit të ujit me detin 60-80 metra në drejtim të detit dhe gjithë këtë sipërfaqe të krijuar e pasqyron në këtë plan rilevimi si ranishte. Gjithashtu, prona e pretenduar është vendosur duke pasur kufi perëndimor ujin e detit dhe në pjesë të veçanta të saj është vendosur mbi det. Ky korrigjim i hartës kadastrale ka bërë zhvendosjen e brezit ranor në drejtim të detit duke ndryshuar zërin kadastral të tij. Këto korrigjime të bëra në planin e rilevimit janë pasqyruar edhe në plan-vendosjen që shoqëron vendimin e ZRKKP-së të qarkut Tiranë nr. 276, dt. 10.09.2008, pra plan-vendosja e këtij vendimi ka spostime të brezit ranor dhe mbivendosje të pronës me detin. Këtyre veprimeve të kundërligjshme i jep përgjigje akt-ekspertimi topografik datë 21.11.2011, ku saktëson se: “Nga këqyrja e hartave të viteve 1937, 1947, 1959 dhe 1978 rezulton se regjimi juridik i tokës ku janë vendosur pronat e kthyera ish-pronarit, znj. Neimi Jenisheri, është zëri kadastral ‘P.F’ (pa fryt) ose pasuri ‘ranishte’. Këto pasuri në harta paraqiten në formën e dunave të rërës dhe janë vendosur në Spille, në zonën midis ujit të detit dhe kufirit perëndimor të tokave bujqësore, kurse në Vile-Bashtovë janë vendosur në brezin ranor ose zona midis ujit të detit dhe tokës moçalore”.
Të akuzuarit
Bledar Dervishaj, ish-drejtor i ZRKKP
Ali Aliu, përgjegjës i sektorit juridik
Altin Ceni, jurist
Merita Gjinali, topografe
Toka u shit për 140 lekë/m2
Sipas hetimeve të Prokurorisë, pronat e kthyera në mënyrë të paligjshme janë regjistruar në ZVRPP Kavajë, ku pasuria me sipërfaqe 11 885 m2, është ndarë në 2 pasuri, përkatësisht me sipërfaqe 6635 m2 dhe 5250 m2, do të shitej me akt-shitjeje për shitje pasurie tokë pyll, nr. 284/4 ZK 3774 sipërfaqe 11 885 m2, me shitës av. Agim Hoxha, i përfaqësuar me prokurë të posaçme lëshuar nga Fejzilete Spahiu dhe Minerva Jenisheri, banuese L. 1 Durrës, me çmim 140 lekë/m2, që arrin vlerën 1 663 900 lekë. Blerësi, sipas Prokurorisë, do të ishte Beqar Kocaqi, që do të blinte edhe pasurinë tokë pyll, me sipërfaqe 3000 m2, me çmim 140 lekë/m2, që arrin vlerën 420 000 lekë.
Falsifikimet, pafajësi komunarëve të Kasharit
Tiranë, e pavlefshme dosja ndaj Naim Karajt e Islam Sherës
Gjykata mbyll dosjen, shkak gabimi i Prokurorisë në hetime
TIRANE – Problemet procedurale gjatë hetimit “shpëtuan” nga gjykimi katër ish-zyrtarë të komunës Kashar, të akuzuar për falsifikimin e dokumenteve të disa mijëra metrave katrorë truall. Gjykata e Tiranës e pushoi çështjen penale ndaj tyre, mes të cilëve edhe ish-kryetari i komunës Kashar, Neim (Naim) Karaj, për shkak të kalimit të afateve. Të pandehurit Neim (Naim) Karaj, Islam Shera, Petrit Locka dhe Shefqet Alikaj akuzoheshin për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë, ata dyshoheshin se gjatë ushtrimit të detyrës si punonjës të komunës Kashar kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës për një sipërfaqe prej gati 22 mijë metrash katrorë. Sipas vendimit të shpallur pak ditë më pare nga gjyqtari Artan Gjermeni, Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të të pandehurve për shpalljen absolutisht të pavlefshme të akteve të organit të akuzës që lidhen me komunikimin e akuzës, procesverbalet për përfundimin e hetimeve dhe për kërkesën për gjykim. Referuar arsyetimit të vendimit të pushimit të çështjes, Prokuroria kishte gabuar në disa momente. Sipas Gjykatës, Prokuroria kishte vepruar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës në lidhje me regjistrimin e veprës penale. “Prokurori ka vepruar në kundërshtim me nenin 287 të K. Pr. Penale, pasi më parë ka regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale emrin e personit të cilit i atribuohet vepra penale datë 29.01.2007 dhe më pas ka shënuar në regjistër njoftimet e veprës penale që i ka ardhur, datë 27.02.2007. Dispozita sanksionon se emri i personit caktohet në të njëjtën kohë ose nga momenti në të cilin rezulton emri i personit. Pra, në një logjikë të thjeshtë, emri i personit të cilit i atribuohet vepra penale duhet të ishte në datë ose pas datës 27.02.2007”, thuhej në vendim. Po sipas arsyetimit të Gjykatës, Prokuroria duhet t’i kishte përfunduar të gjitha veprimet hetimore deri më datë 29 janar 2009. “Prokurori kishte të drejtë të dispononte për veprat penale objekt gjykimi, në maksimumin e mundshëm, jo më shumë se dy vjet, pra deri më datën 29.01.2009. E nga aktet rezulton se ka kryer veprime hetimore pas kësaj date”, thuhej në vendim. Dy nga të pandehurit e kësaj dosjeje, Naim (Neim) Karaj dhe Islam Shera, janë marrë si të pandehur nga Gjykata në vitin 2009, po për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. ar.ba











