
Ushqime të skaduara e të prodhuara me hormone e ngjyrues. Tregu vendas është i tejmbushur nga këto produkte. Vetë kreu i Autoritetit të Kontrollit të Ushqimit, Genc Juka, ka theksuar se ato përdoren pa kriter nga fermerët. Sipas tij, cilësia e këtyre kimikateve që tregtohen në farmacitë bujqësore, do të jetë objekt kontrollesh. “Këto janë simulantë në rritje që i përdor bota, sepse është gjithë ajo që duhet bujqësi e integruar. Jashtë përdoren këto elemente, por në Shqipëri përdorimi është jo shumë profesional. Jemi duke tentuar dhe duke u përpjekur maksimalisht për t’i bërë të përgjegjshëm. Instituti i Ushqimeve dhe i Veterinarisë këto ditë do të marrë një mbështetje financiare pikërisht për të ndërtuar spektrin e analizës në kuadrin e mbetjeve, shtesave të kontrolleve dhe përdorimit të bazës hormonale, si në fruta, perime, por edhe në pije”, tha kreu i AKU-t, Genc Juka. Sipas Jukës, po ushtrohen kontrolle të rrepta në 474 farmacitë që fusin kimikate, ndërkohë, gjatë këtij sezoni po kontrollohen zonat turistike. Gjatë periudhës janar – qershor, në 12 qarqet e vendit janë bllokuar dhe asgjësuar rreth 34 tonë produkte ushqimore, nga të cilat 20 tonë janë deklaruar nga vetë operatori i biznesit dhe rreth 14 tonë janë konstatuar të jenë jashtë standardeve të sigurisë ushqimore. “Ndërkohë, duke pasur në vëmendje mirëqenien e konsumatorit gjatë stinës së nxehtë, vetëm gjatë muajve maj-qershor janë kryer më shumë se 450 inspektime në subjekte të tilla si bare, restorante, fast-food-e dhe mensa të ndryshme”, tha Juka. Ai u bëri apel konsumatorëve të jenë të kujdesshëm për produktet që konsumojnë, sidomos gjatë stinës së nxehtë. Çdo qytetar duhet të bëjë t’i blejë në ambiente të përshtatshme, në kushte higjienike dhe frigoriferike.
© Panorama.alProblematikat
. Mosimplementimi i procedurave të HACCP. Produkti i përfundimtar pa analiza dhe certifikatë veterinare
. Mungon dezinfektimi
. Nuk plotësohen i kushtet higjieno-sanitare
. Produktet nuk kanë pasur etiketë në gjuhën shqipe











