
Kandidati i dorëhequr për kreun e shtetit rrëfen jetën e tij: Takimi me operativin e Sigurimit kur isha 17 vjeç në ‘81, refuzimi për të bashkëpunuar dhe përballja me diktaturën.

I. PIKENISJE NGA E TASHMJA
Dita e hënë, date 11 qershor 2012 me siguri qe do me mbetet e pashlyeshme ne kujtese. Gjithçka qe ndodhi nga e diela ne mbrëmje me shpalljen e kandidaturës time nga liderët e mazhorances dhe kundërshtimi i saj nga lideri i opozitës e deri tek momenti i zgjedhjes se Bujar Nishanit në postin e Presidentit te Republikës pas dorëheqjes time, ishin te gjitha ngjarje të rëndësishme që do të ushqejnë kujtesën e kësaj dite por këto janë veçse dytësore. E hëna do me mbetet e pashlyeshme ne kujtese si dita e mësimit te madh qe pavarësisht dijes dhe bindjes personale nuk duhet neglizhuar çdo akuze, shpifje a baltosje. Ky ishte i vetmi gabim i imi dhe i vetmi qe gaboi isha unë. Te tjerët bene lojën e tyre politike sipas interesave. Ndaj, e hëna ishte edhe dita e vendimit për t’iu rikthyer disa prej këtyre akuzave e ne radhe te pare asaj për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit.
Akuzën për bashkëpunimin tim me sigurimin e shtetit e kam dëgjuar te qarkulloje disa here ne këto 22 vite te demokracisë, qe ne muajt e pare kur u angazhova ne themelimin dhe organizimin e degës se Partisë Demokratike ne Durrës e me pas, ne momente kulmore te politikes e ne varësi te pozicionit tim politik e publik. Gjithnjë e kam dëgjuar si një pëshpërime, thashethem, te thëna nga persona qe me tregonin se dikush kishte thënë kështu a ashtu për mua. Jo rastësisht, burimi i peshperimes akuzuese vinte gjithnjë nga ana tjetër e krahut politik me te cilin isha ne opozicion apo kritik ne momentin e dhënë. Gjithnjë i kam neglizhuar duke i trajtuar me qetësi, shaka, qesëndi a përbuzje por pa mllef pasi isha i vetëdijshëm për te vërtetën time te thjeshte te cilën do t’jua rrëfej me poshtë duke ju thënë qe nuk jeni ju te paret pasi atë e dine plot te afërm, miq e shoke te cilëve iua kam treguar kur ka qene rasti, siç tregohen rëndom mes miqsh e te njohurish ndodhi te rëndësishme te jetës.
II. PERBALLJA ME SIGURIMIN E SHTETIT
E vërteta ime është se unë, qe nga momenti i pare qe u kontaktova drejtpërdrejt nga një sigurims, ne shtator 1981, e deri ne vendosjen e demokracisë, asnjëherë nuk i shërbeva Sigurimit te Shtetit me asnjë forme, mënyrë a mjet. Po, mua mu kërkua, pa mbushur ende 17 vjeç, ne fillim te vitit te trete te shkollës se mesme, te bashkëpunoja. Takimi ndodhi papritur, ne një godine ne ndërtim e sipër pranë shkollës, përmes një personi te trete X i cili ma prezantoi e me la vetëm me sigurimsin. Unë nuk dua te zgjatem ne këtë shkrim ne detajet e ndërmjetësimit dhe te takimit pasi druaj qe do te mjaftonin fare pak te dhëna qe disa lexues, me njohje te mire te mjedisit shkollor, atij përreth shkollës si dhe te Durrësit ne atë kohe, t’i përafroheshin identitetit te tyre e aq me keq te krijonin dyshime, për shkak te ngjashmërive, për persona te tjerë qe nuk kane fare gisht ne këtë ngjarje.
Takimi zgjati ndoshta jo me shume se 15 minuta por ne kujtesën time është ngulitur si i pambarim. I vetëm, përballë një mesoburri qe dukej se e njihte zanatin e tij, ne një mjedis te zymte, te erret, dekurajues mu desh te përballesha me Sigurimin e frikshëm te Shtetit. Me shume se sa përmbajtjen e bisedës, detajet e se cilës, por jo thelbi, mu shuan shpejt nga kujtesa, sot ende ndjej reagimin e gjithë qenies sime: gjallërimi kundra ligështisë, inteligjenca kundra mendjelehtësisë; guximi kundra frikës. E gjithë qenia ime punonte ne kapacitet te plote për te thënë me fjalët e duhura, ritmin, timbrin, gjestet dhe vështrimin, fjalën me te thjeshte – JO – një JO sa e qarte aq edhe e pa ndëshkueshme. Ndërmarrje tepër, tepër e vështirë.
III. SI U RRITA DHE U EDUKOVA NE FAMILJE
Unë nuk isha fare, fare i papërgatitur. Ne familjen time, qe për konceptet e kohës konsiderohej me biografi te keqe e për këtë shkak pësonte diskriminimin tipik te shtresës se ashtuquajtur te deklasuar, kisha dëgjuar raste te personave te ndryshëm dhe kalvarin e dhimbshëm te tyre me Sigurimin e Shtetit, qofte kur ishin detyruar me presion e kërcënime te pranonin te bashkëpunonin e qofte kur kishin kundërshtuar e për rrjedhojë kishin pësuar mbi vete e mbi rrethin familjar persekutime te egra. Ne disa raste te tjera thuhej se kërkesa për bashkëpunim ishte veçse një provokim. Sigurimi ishte një realitet i frikshëm. Rastet e ndryshme qarkullonin si legjenda urbane edhe me te frikshme. Nga i njëjti mjedis mora gradualisht, me se shumti indirekt, pa mu thënë, thuajse përmes shqisës se gjashte, kuptimin mbi sistemin, urrejtjen ndaj tij si dhe shprehitë se si duhej t’i ruhesha kurtheve dhe ndëshkimeve qe mund te pasonin.
Ndërsa prindërit dhe te rriturit e tjerë te fisit te Hoxheve, siç i thërrisnin e i thërrasin edhe sot ne Durrës, ishin te kujdesshëm ne biseda, veçanërisht ne prezence te fëmijëve dhe te te rinjve, gjyshja ime, me te cilën kam ndenjur shume ne fëmijëri ishte e vetmja qe nuk ia përtonte here-pas-here ta thoshte ndonjë fjale a sharje e me pas vinte gjithnjë gishtin tek buza e thoshte “sheeet”! Me një karakter te ngjashëm me gjyshen ishte edhe motra ime e vetme, shtate vite me e madhe se unë, praktikisht një nene e dyte për mua, te cilës nuk iu dha asnjëherë e drejta e studimit ndonëse mbaroi me rezultate mjaft te larta shkollën e mesme te përgjithshme ne vitin 1976. Ne te njëjtin vit unë mbarova klasën e katërt fillore dhe pashe çdo vit, deri ne vitin 1981, se si rropatej im atë për te drejtën e saj te studimit. Nuk ia arriti asnjëherë. Biografia e keq dhe lufta e klasave dolën gjithnjë fitimtare. Ishte koha e egërsimit te skajshëm te saj.
IV. FUNDI I HISTORISE SIME ME SIGURIMIN E SHTETIT
I parapërgatitur nga një mjedis i këtillë familjar, ndonëse i sfiduar papritmas e ne rrethana te gjitha kundra meje, unë arrita te them JO-ne time sa te qarte aq te pa kapshme e te pandëshkueshme nga egërsia e kundereagimit. Ne fund te takimit u porosita qe te mendoja me thelle e te isha me i qarte e me i prere ne takimin e ardhshëm e te afërt e te mos i tregoja kujt, ne veçanti prindërve. Unë as sot nuk e di se si kam mundur te kthehem ne këmbë ne shtëpi por sapo mbërrita i tregova menjëherë tim eti çdo detaj te ngjarjes. E pashe, për here te pare, tim atë, një burrë qe s’jipej kurrë, ndonëse kish hequr shume ne jete, se si te zbehej e te tkurrej. Pas pak e mblodhi veten, thirri ne shtëpi disa nga vëllezërit e tij, një nga dajallarët si dhe dy miq mjaft te ngushte e te besueshëm. Tete bura pleqëruan se bashku një nate te tere, me mua prezent, përgjigjen time ne takimin e ardhshëm. Pas disa ditësh, i armatosur me një tjetër JO, edhe me te peshuar, te pakapshme e te pandëshkueshme, ia transmetova sigurimisit ne fjale, kur me doli përpara ndërsa po shkoja ne shkolle. Veçse pak çaste, ne këmbë, ne rruge, qarte, thate, pa emocion. Besoj se ai duhet ta ketë kuptuar se pas JO-se sime s’isha me unë i vetëm por disa te tjerë, te rritur, me te mençur e me me shume eksperience.
Këtu mbyllet historia ime e kontaktit te drejtpërdrejtë me Sigurimin e Shtetit. Turbull kujtoj se ajo hije sigurimsi, kështu ka mbetur ne kujtesën time, me ka dale përpara pak here ne rruge dhe kam bere sikur nuk e kam pare. Kështu kaluan javët e muajt dhe ngjarja filloi te zbehej ne kujdese e gradualisht te me ngjante, here here e gjithnjë e me shpesh, si një enderr e keqe. Por, pavarësisht nga mënyra se si e përpunonte koshienca a subkoshienca ime, ajo la gjurme dhe ndikoi ne mënyrën time te jetesës. Edhe para saj, ndonëse i komunikueshëm, unë kam qene i përkushtuar ne studime dhe dita rridhte vetëm shkolle-shtëpi-sport. Daljet me shoqërinë ishin tepër, tepër te rralla. Pas kësaj ngjarjeje, kujdesi im për çdo komunikim me te tjerët u rrit ne maksimum dhe pa rene ne sy shmangia çdo bisede apo mjedis qe mund te ishte i dëmshëm a i rrezikshëm. Gjithçka me thoshte se duhej te ruhesha.
V. SHPRESA DHE ZHGËNJIME RINORE.
Gjithsesi, jeta ime nuk u be e zymte. Unë vazhdova te gëzoj rininë me aq saç mund te thuhet se kishte gëzime ne atë kohe e ndërkaq, ne vitin e trete mu rrit pasioni për matematiken, pasion qe erdhi sa papritmas aq edhe me shkak. Unë kryeja shkollimin e mesëm ne Shkollën Industriale. Ndonëse tetëvjeçaren e kisha mbaruar me te gjitha dhjeta, prindërit menduan se shkollimi ne një shkolle profesionale, ne kushtet kur edhe unë mund te pësoja fatin e motrës, do me jepte mundësinë e një profesioni dhe pra edhe te një punësimi. Unë ndava me prindërit te njëjtin mendim. Kërkesa u miratua nga autoritetet e kohës dhe, ndonëse një shkolle profesionale, atje gjeta një staf pedagogjik mjaft te përgatitur si dhe një pjese e nxënësve te mire te shkollave tetëvjeçare te qytetit, disa edhe prej shkollës e klasës time, një pjese edhe me probleme biografie te ngjashme me te miat, kishin bere te njëjtën zgjedhje mes gjimnazit dhe shkollimit profesional.
Dy vitet e para te shkollës se mesme, ndonëse i mbarova me te gjitha notat dhjeta, nuk është se kisha ndonjë pasion te veçante a shprese kush e di se cfare për shkolle te larte. Jo vetëm biografia por edhe vete perspektiva e shkollës profesionale ulte shanse për te drejte studimi universitare. Por, ne fillim te vitit te trete, mësuesi im i matematikes, Vangjel Tati, një nga mësuesit e mirenjehour te matematikes ne shkalle vendi, i cili, pas një fare kohe si mësues fshati, u transferua ne te njëjtin vit kur unë nisa studimet e mesme ne këtë shkolle, na beri me dije se për here te pare edhe shkollat profesionale do te pranoheshin ne olimpiadën e matematikes qe do te zhvillohej për vitet e treta dhe te katërta te shkollave te mesme. Unë u futa, për te mos dale me, ne boten e pafundme e mahnitëse te matematikes, bote qe u be ne atë kohe sfida, zbavitja, shpresa aq sa edhe streha mbrojtëse e imja edhe nga ngjarja e rende me Sigurimin e Shtetit.
Ne ishim katër shoke qe na kapi pasioni i matematikes. Tre prej nesh merreshim me ushtrime ndërsa i katërti, ndonëse për matematiken as qe donte t’ia dinte ndërsa ishte brilant ne lendet shoqërore, na përkthente ushtrime nga libra ruse dhe ne i zgjidhnim me mend. Matematika u be shoqëruesja jone ne çdo mjedis mësimi, pushimi, praktike prodhuese a stërvitje ushtarake. Mësuesi i matematikes, si një trajner i mirefillte, na orientonte dhe furnizonte me literature ruse. Për te mos e zgjatur, ne vitin e trete dhe te katërt unë dola ne vendin e pare si ne rang rrethi ashtu edhe ne rang kombëtar dhe shokët e mi spikaten ne këto aktivitete. Këto fitore me bene te njohur dhe me shndërruan ne krenarinë e shkollës. U bëra i njohur ne tere qytetin. Krahas matematikes vazhdova te kem rezultatet te larta ne çdo lende tjetër dhe t’i përfundoj studimet e mesme me te gjitha dhjeta.
Unë ruaj kujtimet me te mira nga shkolla e mesme, nga mënyra e trajtimit dinjitoz si i barabarte e si shok nga te gjithë mësuesit. Disa prej tyre si edhe disa mësues te tjerë te matematikes ne qytetin e Durrësit u bene ekip trajnuesish te mite (jo vetem) dhe shume shpejt miq te mi e te familjes. Gjithçka dukej se po shkonte me se miri. Rezultatet e larta ne mësime dhe fitoret ne olimpiadat e matematikes me ushqenin një pritshmëri te larte se e drejta e studimit ishte thuajse e sigurte, ndonëse gjendja e pasigurisë dhe alarmit ishte prezent dhe ngrinte krye here pas here. Pas fitimit te vendit te pare ne olimpiadën kombëtare te matematikes ne vitin e katër, mu kërkua dhe dhashë një interviste për RTSH. Gazetari me beri pyetjen thuajse pohuese: “Ju me siguri do te studioni për matematike?”. Unë iu përgjigja “Jo, do te studioj për inxhinieri mekanike”. Është pak te them qe mbeti ca i shtangur si nga përmbajtja e përgjigjes ashtu edhe nga mënyra e te shprehurit tim. Statusi i nxënësit te mire dhe fama me krijonte lehtësira ne jetën e përditshme, pozicion te nderuar e respekt ne shoqërinë time, e pse mos ta them, gëzoja edhe adhurimin e mjaft vajzave te shkollës sime e te gjimnazeve te tjera.
Goditjen e pare e mora ne mbarim te shkollës se mesme. Fillova te ndjej një mërmërime përreth derisa një dite mora lajmin e hidhur. Shkolla, e instruktuar nga lart, nuk do te merrte nismën formale për t’iu kërkuar autoriteteve arsimore akordimin e medaljes se arte për mua. Regjimi kishte vendosur qarte dhe prere. Nëse merrja medaljen e arte automatikisht me takonte te zgjidhja një nga tre degët qe preferoja dhe kjo me jepej pa diskutim. Regjimi kishte vendosur qe unë nuk duhej te ndiqja studimet universitare. Goditjen e dyte e mora ne mesgusht 1983. Ditën qe ishin shpallur te drejtat e studimit me vendim te Komitetit Ekzekutiv, ndonëse e dija te vërtetën e hidhur, këmbët me çuan vete tek stenda e shpalljes dhe lexova emrat. Emri im mungonte. Mungonin edhe emrat e disa nxënësve te tjerë me rezultate konkurruese nga klasa, shkolla ime apo shkolla te tjera te qytetit. Arsye biografie. Nuk isha i vetmi por lajmi për mua e ndjeva se tronditi qytetin.
VI. EDHE REGJIMI ME MONOLIT KA PORE E TE CARA
Goditja e dyte ishte e rende. Për tre muaj u përballa me gjendjen e re. I pashkolle. I papune. Me pas, për fat, gjeta pune si tornitor ne një ndërmarrje. Vendimi i marre katër vite me pare për te fituar profesion dha rezultat. Shpesh qëllonte qe kur dilja nga puna me rrobe ca pis me graso e vajra – punëtor hesapi – e zbrisja autobusin, ndeshesha ne rruge me studentet durrsake qe ktheheshin nga Tirana me tren. Te gjithë me njihnin. Tek shumica ndjeja dhembshuri. Për këtë shkak, here me përshëndesnin me dashuri njëherazi me një siklet te brendshëm here për shkak te sikletit bënin sikur s’me vinin re. Nuk mungonin shikimet e disave. Pak syresh. I ndjeja. Ishin superiore, hakmarrëse, poshtëruese. E pranoja sfidën. Nuk jepesha.
Qyteti lëvizte. Lëvizje te nëndheshme. Ndonjëherë edhe mbi sipërfaqe. Mohimi i te drejtës se studimit shumëkujt i dukej padrejtësi ne tejkalim te çdo kriteri. Ca te tjerë ngrinin pikëpyetje se kush e di se cfare kisha ne biografi. Ne te vërtetë biografia e familjes ishte e keqe sipas standardeve te kohës por jo aq e keqe sa te justifikonte mohimin e te drejtës se studimit përballë rezultateve te mia shkollere. Kjo shtonte edhe me shume pikëpyetjet, cudine, pakenaqesine ndaj vendimit te regjimit por edhe mbështetjen morale për mua. Me rrethoi një opinion publik mbështetës ndërsa e dëgjoja qe me fliste me një te folme grykore, te mbytur.
Përçapjet e tim eti para dhe pas gushtit për te drejtën time te studimit nuk dhanë rezultat. Unë vete tentova te hyj ne takime me autoritetet e kohës por pa sukses. Muajt shkuan një e nga një. Filluan përpjekjet për vitin tjetër. Pesha e dhjetave shkollore dhe medaljeve te mia matematikore rendonte si mal mbi babain dhe mamane e shtrihej tek te gjithë te afërmit. Here-here me dukej sikur prindërit, veçanërisht im atë, ndjeheshin fajtore për vete dhe gjyshërit. Im atë kishte kryer dënimin ne vitet 46-49 ne kampin e punës se te burgosurve për tharjen e kënetës se Maliqit. U dënua për agjitacion e propagande dhe tentative arratisjeje. Ne fakt u arrestua ne shtëpi. U amnistua pas rënies se Koci Xoxes. Por nuk u rehabilitua. Ne te njëjtin vit u arrestuan babai i tij dhe vëllai me i vogël. Qe te tre, bashke me kushërinj te pare, një fis i tere, i ardhur nga Dibra e Madhe ne 1926, e qe me shpejtësi krijoi emër dhe status social te nderuar ne Durres, mbështeten dhe u angazhuan me Frontin Nacional Çlirimtar gjate luftës. Asnjeri si komunist. Te gjithë si patriote me tradita familjare qe nga Dibra. Lufta kërkon ideal, mend dhe kapital. Hoxhet i kishin te tria. I mobilizuan te tria. Ne Durrës konsideroheshin nga bazat dhe kontribuesit me te mëdhenj te luftës çlirimtare. Furnizonin ceten e Pezës. Disa nga djemtë ishin luftëtarë ne ceten e Dibrës. Fis i gjere me lidhje dhe influenca edhe ne grupimet e tjera nacionaliste te asaj kohe qe luftonin pushtuesit. S’kish si te ndodhte ndryshe gjate pushtimit. U sulmuan egërsisht fill pas çlirimit nga fashizmi e nazizmi e menjëherë pas pushtimit komunist. Nga familja e Shijakasve te sime meje, te ardhur ne te njëjtin vit si Hoxhet nga e njëjta krahine – Dibra e Madhe – , ishin atje dhe mbeten edhe këtu tregtare. Iu eci tregtia dhe industria Arritën te bëheshin nder me te pasurit e vendit. Nuk u përzien ne lufte. Iu konfiskua gjithçka pas luftës.
Mblodha veten. U rrita. Jo gjithçka e keqe vjen për te te bere keq. U bëra shok me tim atë. Motra u fejua dhe u martua me një djalë te mrekullueshëm e nga familje e nderuar. Sipas standardit tone, jo atij te regjimit. I ati i dhëndrit kishe bere afro 30 vite burg. Diku nga pranvera e vitit 1984 rifilluan përçapjet për te drejtën time te studimit. Opinioni i durrsakeve ishte aleati i madh i heshtur. Lidhjet familjare, te krushqive dhe ato miqësore te fisit te gjere e te vjetër te Hoxheve u vunë ne pune sa ne Durrës dhe ne Tirane. Hoxhet ishin goditur ashpër e disa here nga regjimi por nuk ishin te humbur e pa influence. Qyteti kishte mjaft njerëz te mire, edhe ne radhët e atyre qe punonin ne strukturat e shtetit. Pedagoget me emër dhe autoritet e Katedrës se Matematikes ne Fakultetin e Shkencave te Universitetin e Tiranes bene ndërhyrjet e tyre. Im atë arriti te takohet me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Ligor Ciflikun, një burrë me karakter dhe autoritet, nga ata tipa qe kur marrin një vendim i dalin zot. Ai i premtoi. Përmes një lidhjeje krushqie unë arrita te takoj gruan e Muho Asllanit, ne atë kohe sekretar i pare i PPSH për rrethin e Durrësit e njëherazi anëtar i Byrosë Politike. Bashkëshortja Asllani ishte shpirtmire. Derdhi lot kur i shpjegova historinë time. Me premtoi se do bënte çmos. Ne gusht te vitit 1984 Komiteti Ekzekutiv, mbështetur edhe ne heshtjen miratuese te Komitetit te Partisë, me akordoi te drejtën e studimit për inxhinieri te shpimit te puseve ne Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave te Universitetit te Tiranes. Regjimi u zbut ca. Ligjet e familjes e miqësive ishin me te lashta. Me te forta. Penetruan ne te çarat dhe poret e tij.
VII. RINGRITJA
Lajmi për te drejtën e studimit me beri me krahë. Ishte një vendim i ditëve, ne mos i orëve te fundit. Paraprakisht, si nga organizata e partisë se ndërmarrjes edhe nga fronti i lagjes kishte ardhur sugjerimi qe te mos me jepej e drejta e studimit. Komiteti vendosi ndryshe. As qe kisha dëgjuar ndonjëherë për emrin e deges se studimit. Nuk e di pse por mu duk tërheqës. Një lloj inxhinierie mekanike e profilizuar. Mekanika e Shkëmbit. Ne ditët e para fillova te njoh shokët e kursit. Ishim te tere djem. Gradualisht kuptova se një pjese e mire ishin nxënës qe ose nuk kishin përkrahje ose kishin probleme ne biografi. Qenka bere mode mendova t’i rrasin këtu ata me biografi te keqe. Ne vitet ne vazhdim, si për te konfirmuar rregullin, ne gjeologjik erdhe edhe disa kushërinj te mi. Përshtypja për këtë përbërje sociale mu përforcua pas disa muajsh, ne 11 prill 1985, kur doli lajmi për vdekjen e Diktatorit. Atë dite nuk u be mësim. U mbajt zi. Tek filologjiku dëgjoheshin dhe/ose thuhej se qahej me dënesë. Ne klasën tone u mbajtën pese minuta heshtje. Unë ndjeja qe shume nga shokët e kursit ndrydhnin nen heshtje një tjetër ndjenje. Shpresën.
Jeta studentore ne Tirane ishte mjaft ndryshe. Hapësira me e gjere dhe mjedisi rinor krijonin mundësi për me shume frymëmarrje. Lashë pas zhgënjimet e te shkuarës. U përfshiva me pasion ne studime. Here pas here ndjeja një fare çmobilizimi tek shokët e kursit. Një fare mungese perspektive. Punësimi ne miniera apo industrinë e naftës konsiderohej si një fare persekutimi ne atë kohe. Një here ne jave behej lexim kolektiv i një vepre te Enver Hoxhës “Për Naftën”. Libri fliste për sabotatore dhe ndëshkimin e tyre. Zbulimet i drejtonte Diktatori. Nëse dilte nafte merita ishte e tij. Nëse nuk dilte gjendeshin fajtoret. Ne praktikat mësimore, kur takonim studente te diplomuar qe punonin inxhiniere neper puse, vija re zhgënjimin, apatinë, friken.
Asgjë nga te gjitha këto nuk ndikoi tek unë. Fakulteti i Gjeologjisë, për fat, kishte një kolektiv pedagogesh te shquar, shumica te diplomuar ne shkollat me te mira te lindjes, me eksperience pune, me pasion për shkencën, Ishin, pa përjashtim, njerëz te thjeshte e dinjitoze. Rezultatet e shkëlqyera qe ne semestrin e pare e ne vazhdim – ne çdo provim merrja vetëm dhjeta – si dhe angazhimet ne studime me te thelluara nen udhëheqjen e pedagogeve me te shquar me futen ne një bote te re, atë te matematikes se aplikuar. Krahas shkollës dhe shkencës, Tirana dhe mjedisi studentor, me dhanë mundësi për zgjerim te interesave dhe mundësive për art, kulture, sport, zbavitje, shoqëri me te gjere edhe me studente te fakulteteve te tjera. Ndërsa vitet e shkollës kalonin, ne horizont po linde shpresa. Regjimit dukej se po i vinte fundi. Ne fakt, ne fund te vitit te dyte, mora një tjetër goditje. Ne fakultet u shpërndanë disa te drejta studimi për ne Algjeri. Natyrisht qe mua nuk mu dha kjo e drejte. Gjithsesi kjo s’me beri aq përshtypje. As qe e ëndërroja. Aq me shume qe kisha pare edhe me keq. Isha kalitur.
Studimet i mbarova shkëlqyeshëm ne qershor 1989. Pas zborit ushtarak tremujor ne Plepa te Durrësit, fillova pune ne pusin e pare te pjerrët e për gaz, nje sfide ne vetvete pasi ishte hera pare qe aplikohej ajo teknologji. Për fat, shpimi kryhej ne afërsi te Durrësit. Pranë detit, pra pranë shtëpisë. Kjo me jepte mundësi te isha pranë mamasë, mbetur e vetme pas vdekjes se tim eti ne qershor 1985, ne moshën 60 vjeçare. Ndërroi jete nga një infarkt. Ime ëmë humbi bashkëshortin. Unë humba jo vetëm babanë por edhe shokun me te mire. Jeta duket e kishte lodhur. Dërmuar. Vitet e fundit, pese me te drejtën e studimit për motrën dhe dy për mua, bene te veten. Vdiq dy muaj pasi e ëma, gjyshja ime krenare e koke me vete ndërroi jete. Shume njerëz, miq e dashamires, qe e kane njohur tim atë dhe mua gjithashtu, gjithnjë me kane thënë e me thonë edhe sot se ai ishte i paarritshëm ne mirësinë dhe mençurinë e tij. Kushdo qe kishte një hall a nevoje për këshillë drejtohej tek ai dhe largohej me ide te qarta a shprese për zgjidhje.
Puna aftër shtëpisë nuk ndodhi rastësisht. Ia di për nder një gruaje zonje, komshie me tezen time qe nuk rron me. Gruaja ne fjale ishte sekretare e Skender Gjinushit, ministër i arsimit ne atë vit. Ajo ia kërkoi me insistim si favor personal. Përdori influencën e saj tek Lavdosh Ahmeaj ne Ministrinë e Industrisë dhe Minierave. Ndërkaq, Skënder Gjinushi, ne rininë e tij, i talentuar ne matematike, kishte pasur për mësues matematike ne gjimnazin Petronini Luarasi, Vangjel Tatin, mësuesi tim te matematikes ne shkollën e mesme ne Durrës. Kuptohet qe gjithçka u lidh ne favorin tim.
Ne shtator te 1990, u riktheva ne Fakultet për studime trevjeçare pasuniversitare qe sot njehsohen me Doktoraturën. Pedagoget e fakultetit arritën te me tërhiqnin. Rezultatet e shkëlqyera bene te veten. Lidhjet qe me ndihmuan për punën me ndihmuan edhe për studimet pasuniversitare. Perspektiva ishte vazhdimi i punës si pedagog ne fakultet. Studimet shtriheshin ne fushën e matematikes se aplikuar. Fillova te ndjek leksionet ne Fakultetin e Shkencave te Natyrës, ne degën e matematikes pesëvjeçare siç quhej ne atë kohe. Kjo me dha mundësinë te njihesha me disa nga pedagoge e vjetër dhe te rinj te asaj katedre te shquar. Kuptova se me mbanin mend edhe pas gjashte vitesh. Me mirëpriten.
VIII. RËNIA E REGJIMIT
U vendosa për herë të parë në Qytetin Studenti. Koha punonte kundra regjimit dhe në favorin tim. Qyteti Studenti ziente. Tirana përreth përgatitej për diçka. Kudo lëvizje. Vendosa të lëviz. Me një grup të ngushtë shokësh hodhëm idenë e krijimit të një organizate, me qëllim e përmbajtje shkencore në formë, me synime politike në thelb. Synime në fillim ende të ndrojtura e gradualisht gjithnjë e më të guximshme. Në ato javë intensive të tetorit e nëntorit u njoha me shumë pedagogë të rinj dhe pasuniversitarë që jetonin në Qytetin Studenti, kryesisht në atë që quhej godina e pedagogëve. Lëvizja po na bashkonte. Një pjesë e madhe e tyre u bënë protagonistë të lëvizjes studentore e të Partisë Demokratike.
Gjatë nëntorit, me miqtë nismëtarë, ndërmorëm disa takime edhe me personalitete të njohura të kohës për të diskutuar denë e shoqatës. Një nga takimet ishte edhe ai me profesor Hamid Beqja. Rasti e kish dhënë që unë të kisha shoqëri me Adën, një vajzë nga Durrësi që ishte fejuar me djalin e profesorit, Ilir Beqjen, sot deputet i Partisë Socialiste. Takimi u bë në një nga ditët e festave të nëntorit, në shtëpinë e profesorit. Unë dhe miqtë e mi i prezantuam idenë. Mbante era politikë. Profesori e kuptoi qartë. Ndonëse na mbështeste, këshilla e tij, si e një plaku të urtë, ishte që ta shtynim krijimin e shoqatës pasi të kryheshin zgjedhjet e përcaktuara në shkurt të 1991-shit, të ashtuquajtura pluraliste sipas Ramiz Alisë, ndryshe do t’ju paragjykojnë. Nuk e tha, por nënkuptoi këtë të fundit. U ndamë miqësisht me profesorin, por vazhduam rrugën tonë. Në ditën kur përfaqësia e studentëve do të takonte Ramiz Alinë, u takova përsëri me profesor Beqen, ndërsa edhe ai po i ngjitej “malores” në hyrje të Qytetit Studenti. Revolta dhe forca studentore ishte një magnet i parezistueshëm. U përshëndetëm përzemërsisht.
Më 14 dhjetor, në një mbledhje urgjente në një nga godinat e Qytetit Studenti, Eduard Selami, në emër të Grupit Nismëtar të PD së sapoformuar, kërkoi që secili të shkonte në rrethet a qytetet e lindjes për të nisur themelimin e degëve të PD. Të nesërmen shkova në Durrës dhe nuk iu ktheva më studimeve në Fakultetin e Gjeologji-Minierave.
Jeta mori tjetër drejtim. Në pak ditë, bashkë me një grup burrash me emër e kurajozë, themeluam degën e PD-së së Durrësit. Ditët e fundit të dhjetorit ishin të vështira, por gjithçka u lehtësua pas mitingut të paparë më 3 janar 1991, ku mori pjesë masivisht qytetaria durrsake. Durrësi ishte kundra regjimit. I këtillë kish qenë me kohë. Ai qytet, që konsiderohej problematik për mungesën e entuziazmit në aktivitetet masive politike gjatë regjimit, tregoi një entuziazëm, mobilizim dhe civilizim që në mitingun e parë ku pata rastin të mbaj fjalimin hapës. Rindjeva mbështetjen e qytetit. E doja. Më donte. Në zgjedhjet e 31 marsit 1991 fituam bindshëm në shumicën dërrmuese të zonave elektorale të rrethit dhe humbëm vetëm njërën prej tyre.
Durrësi, si edhe disa qytete të tjera kryesore, me Tiranën në radhë të parë, nuk e pranuan dot rezultatin. Lëvizjet masive qytetase, politike e sindikaliste diktuan rrëzimin e qeverisë Nano të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë dërrmuese të deputetëve të PPSH dhe i hapën rrugë zhvillimeve demokratike më të shpejta. U krijua Qeveria e Stabilitetit dhe u vendos që zgjedhjet të kryheshin pas një viti. Ngjarjet rrodhën; vizita e Bejker; rënia e qeverisë në dhjetor; kryerja e zgjedhjeve më 22 mars 1992. Në Durrës fituam thellë dhe gjerë. Asnjë zonë elektorale e humbur. Rezultatet në qytet ishin afro 80% në favor të PD dhe aleatëve të saj.
IX. KOHERENCA AFATGJATË DHE DISA NGA AKUZAT E LAPANGJOZËVE
Në shtator 1991 u zgjodha kryetar i Degës PD të Durrësit nga konferenca e parë e kësaj dege e, njëherazi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Qoftë në zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe në ato të 22 marsit 1992, nuk pranova të kandidoja për deputet. Ndërsa merresha me organizimin e zgjedhjeve, kisha ndjesinë qe unë vetë nuk duhej të përfshihesha për të evituar çdo konflikt aparent interesi. Një arsye edhe më e fortë ishte se dëshiroja, në rastin më të parë, të vazhdoja studimet pasuniversitare jashtë vendit. Gjithsesi, propozimi i Sali Berishës për t’u bërë ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, m’u duk tërheqës pasi e mendova si mundësi për të zhvilluar reforma ekonomike e për të cilat kisha filluar të studioja me kohë. Tek e fundit, detyrën e ministrit nuk e mendoja detyrimisht katërvjeçare si ajo e deputetit. Propozimi im në detyrën e ministrit u mirëprit nga Kryesia e PD. Bëri ca përshtypje në publik mosha ime e re, kur sapo i kisha kaluar 27 vitet, por kaloi shpejt dhe shihej megjithatë me shumë më simpati sesa me dyshim.
Nga këtu ngjarjet janë mjaft më të njohura, ndaj nuk po zgjatem. Unë qëndrova rreth 18 muaj në detyrën e ministrit dhe vetëm 1,5 muaj në detyrën e drejtorit të Agjencisë së Privatizimeve. Ato ishin kohë keqkuptimesh të mëdha, analizën e të cilave e kam bërë me kohë. Qeverisja e vendit po bëhej në mënyra gjithnjë e më të papërputhshme me idetë e mia dhe që nga janari 1994 shkëputa lidhjet me çdo strukturë të PD-së e ndoqa rrugën time.
Pas disa muajsh pa ndonjë angazhim konkret, në korrik 1994 shkova për studime pasuniversitare Master ne Ekonomiksin e Energjisë dhe Mjedisit në shkollën “Enrico Mattei” të Grupit Eni në Milano. Shkolla u jepte mundësi studimi të rinjve nga e gjithë bota. Ishte një vit produktiv e i dobishëm. Iu riktheva jetës studentore me plot kënaqësi, moskokëçarje, por edhe plot sfida. Studiova me metodë e sistem Shkencat Ekonomike, që deri në atë moment i kisha studiuar vetë. U ktheva në Shqipëri në gusht 1995.
Një nga shpifjet e lapangjozëve që vazhdon e qarkullon edhe sot e kësaj dite, është ajo që jam arratisur me skaf a gomone nga frika e arrestimit. Hetimi i çështjes që njihet me termin “druri i arrës” përmes së cilës u akuzuan tre ish-ministra, unë, Genc Ruli dhe Rexhep Uka, u hap pas referendumit të nëntorit 1994 dhe u mbyll në mars 1995 pas rrëzimit të kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetëve Ruli dhe Uka, kundra së cilës votuan shumica e demokratëve dhe socialistëve bashkë. Vetë këto data rrëzojnë shpifjen e arratisjes, ndërsa lidhur me çështjen ajo u komentua nga vëzhguesit më objektivë të kohës si një proces politik dhe jo si një proces gjyqësor.
Me kthimin në Shqipëri, ndërsa fillova aktivitete studimore dhe konsulencë, rivendosa kontaktet politike, tashmë me segmentet e politikës në opozitë me qeverisjen demokratike. Veprimtaria ime politike u rrit pas zgjedhjeve të dështuara të majit 1996 dhe veçanërisht gjatë krizës së piramidave dhe kolapsit të shtetit në mars 1997. Qëndrimi im politik ka qenë në opozitë me ekstremizmin demokratik që vazhdoi deri nga fundi i vitit 2001 dhe kam bashkëpunuar me qeveritë socialiste për kryerjen e reformave të asaj kohe, veçanërisht ato që lidheshin me forcimin e shtetit. Nga fillimi i vitit 2002 politika shqiptare filloi normalizimin dhe unë fillova gradualisht të inkurajoj e mbështes konstruktivizmin opozitar, derisa në janar 2004 dhashë dorëheqjen edhe nga këshilltar i jashtëm i kryeministrit Nano dhe fillova mbështetjen e plotë të demokratëve për një rrotacion të shëndetshëm pushteti, që ndodhi në 2005.
Gjatë 2005-2009 unë kam pasur shumë pak aktivitet mediatik. Angazhimet e mia ishin thelbësisht të lidhura me reformat. Pranë zgjedhjeve 2009 komentova disa herë sondazhet, kryesisht ato të Zogby të porositura nga Top Channel. Në komentet e mia të atyre kohëve kam qenë mjaft analitik dhe shumë pak preferencial. Qeverisja kishte kryer disa detyra të mëdha, opozita sillej konstruktivisht. Politika më se normale ishte e shëndetshme për vendin. Ndërkaq, teoria e politikës së vjetër e të re, programi inekzistent socialist dhe konflikti me LSI do të ishin objekti i analizës sime por, tek e fundit, këto nuk ishin kritika ndaj PS, të paktën sipas meje, por thjesht analiza e fakteve që më çonin në përfundimin se shanset për fitore i buzëqeshnin aleancës së gjerë të demokratëve, siç edhe ndodhi.
Përfshirja ime në debatin politik përmes studiove televizive dhe shkrimeve në shtypin e përditshëm erdhi e u rrit në proporcion me ekstremizmin e politikës pas zgjedhjeve 2009. Ne një nga shkrimet e para të miat në gazetën “Shqip”, në nëntor 2009, me titullin “Paqja pa luftë apo lufta për paqe”, analizova zhvillimet nga këndvështrimi i një pale të tretë, asaj që unë shpesh e përkufizoj si të këtillë që “nuk ushqen dashuri dhe/ose urrejtje” për një nga palët politike në fjalë. E vetmja zgjidhje që përkonte me interesin e palës së tretë dhe atë publik njëkohësisht ishte angazhimi i Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e kushtetutshmërisë së hetimit parlamentar, pozicion ky që u adoptua nga demokratët vetëm pas disa muajsh, por që nuk u pranua asnjëherë nga socialistët. Një pozicion të këtillë këndvështrimi të analizave të mia nga një palë e tretë jam përpjekur ta mbaj në çështjet kryesore të diskutuara në këto 3 vite konfliktuale politike.
Unë i kam bërë vetë zgjedhjet e mia edhe në këto tri vite të ashpra, duke i qëndruar koherent vetvetes në këto 20 vite. Sa për ilustrim, ndërsa kam qenë kritik për ekstremizmin demokratik në vitet 1998-2001, kur demokratët kishin mijëra arsye të pretendonin dhunë mbi opozitën dhe manipulime të zgjedhjeve, s’kish se si të mos isha kundra ekstremizmit opozitar socialist pas zgjedhjeve 2009, ndërkohë që socialistët s’kishin asnjë fakt mbi manipulimin e zgjedhjeve e nxorën teorinë e pakuptimtë e lehtësisht te rrëzueshme të vjedhjes së të paktën 75 mijë votave nga një ushtri e padukshme demokratësh manipulatorë.
Unë kam qenë kritik ndaj sulmit të dhunshëm të demokratëve më 14 shtator 1998, që erdhi pas vrasjes së deputetit Hajdari, hero i lëvizjeve demokratike dhe lider i PD e po kështu kam qenë kritik edhe për largimin e kryeministrit Nano dhe dorëzimin e shtetit në duart e dhunës. Ndaj, s’kish se si të mos isha kritik, në fakt duhej dhe isha proporcionalisht edhe më shumë kritik me demonstratën e organizuar qëllimshëm të ishte e dhunshme më 21 janar 2011 të socialistëve dhe s’kish si të mos vlerësoja qëndresën e strukturave në mbrojtje të institucioneve e të Kryeministrit në detyrë e në godinë. Kam thënë e kam shkruar se demokratët u gjakosën, pa sulmuan Kryeministrinë në 14 shtator 1998. Socialistët sulmuan, pa u gjakosën më 21 janar 2011. Mua më duket gjithashtu se ka një ndryshim të madh në lidhjen shkak-pasojë, ndaj jo vetëm kam ruajtur koherencën në qëndrimin kritik ndaj atij që kryen ekstremizëm, por kam qenë edhe proporcional në kritiken time bazuar në lidhjen shkak-pasojë. Hetimet i takojnë sistemit të Drejtësisë, analizës politike i takon të analizojë faktet dhe të nxjerrë konkluzionet duke i qëndruar besnik vetvetes ndër vite dhe jo duke e dredhur sipas rastit. Për të njëjtat ngjarje e fenomene duhet përdorur një peshë e një metër, pavarësisht distancës në kohë.
Edhe lidhur me çështjen e votave në kutinë e gabuar, që në rastin më të parë kam arritur në përfundimin se çështja e vetme që ia vlente të shqyrtohej ishte ajo e vlefshmërisë së votës së hedhur në kutinë tjetër. Përgjigjen për këtë e japin më së miri parimet dhe angazhimet tona ndaj OSBE/ODHIR, ndryshe të njohura si standardet zgjedhore. Vota në kutinë tjetër, vetëm dhe vetëm për këtë shkak, s’ka se si të mos jetë e vlefshme. Për rrjedhojë, çdo pretendim lidhur me procedurën ishte i pakuptimtë pasi, nëse biem dakord për parimin e vlefshmërisë së votës, si me njërën procedurë ashtu edhe me tjetrën do të arrinim në të njëjtin përfundim në favor të Lulzim Bashës. Po aq bajate në historinë e zgjedhjeve të 8 majit 2011 ishte edhe ajo e manipulimit të rreth 10 mijë votave natën në Tiranë e me të njëjtin mekanizëm si ato 75 mijë votat në 2009 në gjithë Shqipërinë, siç shkruante Edi Rama në “Kurban” disa muaj më vonë, ndërkohë që më 9 maj, duke parë kutitë e para projektonte një avantazh prej rreth 10 mijë votash dhe e quante të pathyeshme ushtrinë e komisionerëve socialistë.
Qëndrimet e mia kanë rënë ndesh me pozicionet ekstreme të opozitës socialiste sot, e asaj ekstreme demokrate vite më parë. Asnjëherë nuk kam ngurruar të mbështes qëndrimet konstruktive qofshin opozitare, apo maxhoritare. Në një hark kohor më të gjerë kam kaluar nga qeveria në opozitë dhe anasjelltas e disa herë sipas bindjeve të mia. Gjithnjë kundër ekstremizmit.
Pozicionet e mia në raport me politikën nuk kanë pasur lidhje me asnjë interes financiar. Kur mbështeta dhe inkurajova konstruktivizmin opozitar demokratik që nga viti 2002, kjo s’kish si të përputhej me interesat e mi ekonomikë e financiarë, aq më shumë kur lashë pozicionin e këshilltarit të kryeministrit që në janar 2004 dhe i dedikova mjaft kohë e mbështetje rrotacionit politik. Se ç’interes financiar do të kisha me këtë lëvizje, veç lapangjozët mund ta marrin me mend.
Pozicioni im i katër viteve të fundit është argumentuar nga disa lapangjozë të radhës me akuzën se kam marrë si kundërshpërblim miliona euro projekte nga ky regjim fashist e i korruptuar. E vërteta është krejtësisht e kundërta. Të ardhurat vjetore të Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) arritën pikun në vitin 2007, si rezultat i kombinimit të disa projekteve të fituara shumica para se demokratët të vinin në pushtet, e që nga viti 2008 e deri në fund të 2011, të ardhurat vjetore kanë rënë në pikiatë dhe janë sot disa herë më të ulëta se 5 vite më parë. Edhe aktiviteti i Tirana Business University, në vitin e dytë të tij akademik është ende në fazën e investimit dhe pra të ardhurat janë më të ulëta se shpenzimet operative dhe kapitale, ndonëse në vitin e dytë shkalla e humbjeve është zvogëluar. E gjithë akuza lapangjoze e interesit financiar kundër shërbimeve ndaj regjimit është një sajesë që rrëzohet lehtë me shifra.
Një tjetër akuzë e lapangjozëve është ajo që shërbimet e mia ndaj regjimit fashist të Berishës, i mbajtur me patericën e Metës, janë bërë për arsye të dëshirës sime për karrierë politike. E vërteta është krejtësisht e kundërta. Në këto vitet e fundit të aktivitetit më intensiv mediatik, unë kam dhënë dorëheqjen edhe nga ato dy angazhime të pjesshme shtetërore që kisha para disa vitesh, njëri në Këshillin Mbikëqyrës të KESH e tjetri në Këshillin e Administrimit të UT. Edhe një tjetër fakt ilustrues: ndërsa isha anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bursës së Tiranës, nga 2002-shi me t’u emëruar në Këshillin Mbikëqyrës të KESH, dhashë dorëheqjen nga ai i Bursës, ndonëse edhe vendimi tepër kufizues i qeverisë Berisha lejonte pjesëmarrjen deri në dy borde. Po kështu i jam përgjigjur negativisht ftesave serioze të Sali Berishës në gjithë këto vite për pozicione të ndryshme shtetërore. I vetmi pranim, në instancë të fundit, për shkak të rrethanave të krijuara papritmas, e si shprehje e ndjenjës së detyrës ndaj shtetit, aq më shumë në kurriz të projekteve e jetës sime private, ishte kandidimi për Presidentin e Republikës, kandidim nga i cili u tërhoqa sapo konstatova se rrethanat binin ndesh me parimet e mia e veçanërisht atë të shmangies së konfliktit në aparencë të interesit.
Shkurt, kushdo mund të më ketë aleat, pa kosto e kundërshpërblim. Mjafton të na përputhen idetë. Por kujdes, mund të më kesh lehtësisht kundër, pa kosto e shpërblim nga kundërshtari, mjafton që të kemi ide të kundërta. Por gjithnjë jo me dogmatizëm, ekstremizëm a nihilizëm. Pa fyerje, sharje e shpifje gjithashtu. Vetëm analizë faktesh dhe ballafaqim konkluzionesh.
X. RISHFAQJA E SIGURIMIT TË SHTETIT PËRMES LAPANGJOZËVE
Si edhe akuzat e tjera të lapangjozëve që janë rrekur të përdoren për të shpjeguar pozicionet e mia politike e publike, edhe kjo e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit është përdorur sistematikisht nga kundërshtarët e momentit, herë demokratë e herë socialistë. Në këto vitet e fundit këtë akuzë në përmbajtje e variante të ndryshme e lexoj shpesh edhe në komentet e lapangjozëve anonimë, që komentojnë në shkrimet e mia apo në atë që shkruhet për mua në gazeta të ndryshme. Sipas dy-tri anonimëve mjaft të zellshëm, bashkëpunimi im me Sigurimin paska marrë më qafë mjaft njerëz e unë paskam arritur të spiunoj edhe njerëz mjaft të afërt, deri te bashkëshorti i motrës sime. Ndoshta shumë lexuesve mund t’u kenë rënë në sy këto komente. Cilido që ka dëshirë t’i lexojë, mjafton të bëjë kërkim me emrin Artan Hoxha në faqet online të gazetave e të gjejë plot xhevahire të këtilla lapangjozësh.
Unë nuk e kam bërë ndonjëherë qejfin qeder për kësi akuzash. Duke ditur të vërtetën time, këto nuk më kanë ndikuar a diktuar asnjëherë të marr vendimet e duhura e që më takojnë tërësisht mua dhe vetëm mua. Të rrekesh të vërtetosh se zgjedhjet e mia politike në këto 22 vite qenkan bërë nën diktatin e dikujt që ditkësh një sekret timin, është teoria më idiote. E para, për ç’sekret bëhet fjalë në këtë vend, ku veç sekrete s’ka e ku kushdo që ka dashur e kur i ka interesuar e ka përdorur akuzën e bashkëpunimit tim me Sigurimin dhe e dyta, nëse çdo krah politik e paskërka ditur sekretin tim si shpjegohet që kam lëvizur nga njëri tek tjetri në kërcënimin e nxjerrjes a mosnxjerrjes së sekretit? Rezultati do të duhej të ishte moslëvizja nën kërcënimin e atij që nuk duhej ta tradhtoja dhe lëvizja nën kërcënimin e atij që duhej t’i bashkohesha, ndërsa të dy e posedonin sekretin magjik në fjalë. A merr përsipër ndonjë lapangjoz ta zgjidhë këtë paradoks? Ka vetëm një përgjigje të thjeshtë. Zgjedhjet e mia janë bërë në lirinë time te zgjedhjes. Kaq.
Tërheqja nga kandidimi për postin e Presidentit të Republikës u bë nga unë, por në konsultim dhe në mirëkuptim me liderët e maxhorancës, pasi nuk ishte një zgjedhje vetëm e imja. Në mëngjesin e së hënës mua më erdhën shumë sinjale dhe të dhëna që, ndër të tjera, më lanë të kuptoj se historia lidhur me bashkëpunimin me Sigurimin nuk ishte aq për t’u neglizhuar. Te dhënat e grumbulluara vetë dhe ato që dolën nga konsulta me liderët e mazhorancës më krijoi një farë bindjeje se kishte diçka që binte ndesh me besimin mbi të vërtetën time. Diçka kishte ndodhur që unë nuk e dija dhe nuk kisha vrarë mendjen ndonjëherë të informohesha e të verifikoja. Atë ditë kuptova thelbin e çështjes. Mendja më shkonte edhe tek manipulime të mundshme të dokumenteve, veçanërisht në periudhat e shthurjes së shtetit. Çështja m’u qartësua në ditët në vijim mes informacioneve nga njerëz të ndryshëm dashamirës. Por atë të hënë, ndër shkaqet bazë të dorëheqjes ishte shmangia e konfliktit në aparencë të interesit, nëse si President do filloja të merresha me sqarimin e të kaluarës sime. Arsye bazë ishte edhe zhgënjimi që ndjeva mes qëndrimit zyrtar socialist dhe qindra mesazheve mbështetëse, shumë prej të cilëve majtas, që më erdhën gjatë natës së të dielës dhe mëngjesit të së hënës.
Gjithsesi, le të mbetemi tek akuza lapangjoze. Në fund të thuajse një jave takimesh dhe informacioni nga disa drejtime, arrita të krijoj tablonë e plotë të anës tjetër të medaljes. Jo asaj të së vërtetës sime, por asaj se ç’kish bërë Sigurimi i Shtetit kundra vullnetit dhe pa dijeninë time. Këtu më rezultuan tri fakte dokumentare, ku dy pohojnë të vërtetën time e njëri e mohon atë duke e vendosur Sigurimin e Shtetit në kontradikte me vetveten.
Shkurt, drejt e në thelb, sipas dokumenteve (këtu për qëllim të ruajtjes së besueshmërisë dhe integritetit të burimeve, as nuk pohoj dhe as nuk mohoj autenticitetin e dokumenteve që kam shqyrtuar, por besoj se disa nga lapangjozët do ta kuptojnë menjëherë se unë kam parë po ato që edhe ata kanë parë në fotokopje), rezulton se Sigurimi i Shtetit më ka tërhequr (kupto rekrutuar) si bashkëpunëtor të tij më 21.9.1981 pas takimit me sigurimsin më 18.9.1981; më ka larguar si bashkëpunëtor me vendim të arsyetuar të këtij organi të datës 28.12.1982 dhe pasqyruar në kartelë më 5.1.1983 me motivacionin “e inaktivitetit dhe padobisë… pasi nuk ka dhënë gjatë kësaj kohe asnjë material për qëllimin që u tërhoq”.
E vërteta ime pohohet nga motivi i largimit tim si bashkëpunëtor pas 15 muajsh, në mes të maturës, për inaktivitet të plotë dhe asnjë material. Vetë Sigurimi i Shtetit ka hequr dorë nga ideja e tij fillestare se unë mund të isha një bashkëpunëtor i dobishëm për ta. Qëndrimi im plotësisht refraktar, gjatë gjithë periudhës, vetë e me mbështetjen e plotë të familjes, e bëri Sigurimin të arrijë në këtë përfundim. Për lapangjozët, ky fakt, që me siguri e dinë, nuk ka rëndësi.
Po ç’dreqin pati që më regjistroi si bashkëpunëtor? A mos iu duk PO ajo JO-ja e imja dhe e familjes sime, një JO e qartë por e pakapshme dhe e pandëshkueshme, të paktën sipas nesh. Por, mungesa totale e aktivitetit dhe informacionit faktuar nga vetë Sigurimi, tregoi se JO-ja ishte zgjedhja konstante dhe definitive e imja dhe e familjes sime, gjë që e dobëson hipotezën e keqkuptimit fillestar pa e rrëzuar atë gjithsesi.
Apo ia donte plani i rekrutimeve që shpesh bëheshin shumë e për lumë, siç kam dëgjuar të thuhet?
Apo s’mund të kthehej i dështuar nga takimi me një kalama kur, sipas dokumenteve Sigurimi kishte rreth katër muaj që më studionte para se të ndërmerrte kontaktin e parë më 18 shtator 1981?
Apo mos mendoi se nëse do raportonte kundërshtimin për bashkëpunim që në fillim, mund të fillonin reprezaljet mbi mua dhe familjen dhe ai ndoshta nuk donte t’ia hynte e të bëhej një shkaktar i njohur i një krimi të këtillë?
Unë nuk mund të zgjedh asnjë nga variantet e mësipërme. Këtë përgjigje mund ta japin vetëm ata që kështu vendosën, njëanshmërisht, kundra vullnetit tim të shprehur sa me fjalë e aq më shumë me vepra.
Por, pasi u njoha me shënimet dokumentare të Sigurimit të Shtetit, më ka lindur një tjetër dyshim. A mos vallë kalvarin e mohimit të së drejtës së studimit për shkollën e lartë, edhe pse me rezultate të shkëlqyera dhe dy herë kampion i matematikës, e kam peshqesh nga Sigurimi pasi më vlerësoi inaktiv, të padobishëm dhe që nuk u dhashë asnjë material. Biografia e familjes përballë rezultateve të mia, qoftë edhe me standardet më sektare të kohës, nuk do të ishte një arsye e mjaftueshme.
Unë nuk kam fakte që të vërtetoj këtë dyshim pra, se ka qenë Sigurimi që ka nxitur a diktuar mosdaljen e së drejtës së studimit, por që nuk më ka ndihmuar kjo duket qartazi për çdo njeri me mend në kokë, përveç lapangjozëve që shkruajnë në anonimitet, se motivimi im prej gjimnazisti për të bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit ishte dëshira për të më ndihmuar të më jepnin të drejtën e studimit.
XI. SFIDA JURIDIKE PËR AKSESIN NË DOKUMENTET E SIGURIMIT
Ndërsa këtu mbaron rrëfenja ime për publikun, ju njoftoj se kam filluar hapat juridikë për sigurimin e provave dhe rrëzimin formal si të padrejtë të këtij regjistrimi. Sot kam bërë kërkesën zyrtare pranë Shërbimit Informativ Shtetëror për akses në të dhënat e mia personale, deri aty ku nuk cenohet siguria kombëtare dhe interesi i palëve të treta.
Ndërkaq, po krijoj bindjen se një rast i këtillë nuk është i vetëm. Shumë shqiptarë mund të kenë pësuar diçka të ngjashme. Nuk i kanë shërbyer Sigurimit me asnjë material a informacion dhe janë regjistruar prej tij si bashkëpunëtore.
Unë arrita t’i lexoj dokumentet e njëanshme, të shkruara në padijen time e në keqbesim nga Sigurimi i Shtetit. Tashmë, më mbetet t’i dokumentoj ato, hap pas hapi e pa ndonjë nxitim.
Por sa të tjerë janë që nuk e kanë këtë mundësi?! Transparenca mbi dosjen nuk është vetëm për të demaskuar maskarenjtë, por edhe për t’iu dhënë shansin viktimave të Sigurimit të vënë në vend dinjitetin që sot mund t’iu nëpërkëmbet edhe nga kushedi se çfarë lapangjozësh.
Për këtë u drejtohem autoriteteve shtetërore, Kuvendit, qeverisë, opozitës, SHISH, Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut, medies dhe opinionit publik të mbështesin të drejtën e aksesit në të dhënat personale të vetat nga çdo individ e për aq sa nuk cenohet as siguria kombëtare dhe as interesi i personave të tretë. Ky është minimumi i minimumit të domosdoshëm.
XII. KUJTESË PËR LAPANGJOZËT
Sa për ju lapangjozët, besoj se e keni kuptuar se unë di të luaj edhe me armët tuaja e ndonjëri nga ju do më bjerë në rrjetë nëse vazhdon avazin. Mjerë ti që do biesh, se do heqësh kusuret e të tjerëve! Një më mjafton për të gjithë.
*Shkrimi është publikuar edhe në faqen e Artan Hoxhës në Facebook, më 20 qershor 2012. Titujt janë të redaksisë. Titulli i autorit: UNË, SIGURIMI DHE LAPANGJOZËT E DEMOKRACISË
© Panorama.al











