
Kujtimet e Reshit Shtëpanit, ish-drejtor i Qendrës Riprodhuese.
Historia e panjohur e bazës sekrete në Tiranë.
Reshit Shtëpani, mjeku që drejtoi për shumë vite Qendrën Riprodhuese të kuajve të racës, pinjoll i një familje të shquar nga Shëngjergji i Tiranës, ka ndërruar jetë para dy vjetësh.
Veç emrit të mirë, doktori i kuajve të Petrit Dumes, siç e quanin dikur, ka lënë një kolanë botimesh memoristike për traditat e vendlindjes dhe Luftës Nacionalçlirimtare, bashkë me dosjen e kujtimeve nga koha kur ka shërbyer në fermën e kuajve të rrallë. Sëmundja e papritur nuk e la ta çonte deri në fund projektin për t’i hedhur ato në një libër të veçantë, që e çmonte shumë. Kanë mbetur sidoqoftë dorëshkrimet, që edhe ashtu siç janë, krijojnë një fizionomi të qartë për fermën e famshme të Lazeretit të dikurshëm. Në to përshkruhen me detaje fillesat e qendrës sekrete të kuajve të racës, mënyra si u zgjerua e modernizua ajo, peripecitë pas divorcit me Moskën, dështimi i agjenturave sovjetike për t’i shfarosur këto specie nga Shqipëria, marrëzia e autoriteteve komuniste për t’i internuar pas ekzekutimit të Petrit Dumes, si pjesë e grupit të tij puçist, etj. Kujtimet e Shtëpanit startojnë me mbërritjen në Shqipëri në fillimin e viteve ‘50 të dy kuajve të fermës ruso-polake, “Tverskaja Konji Zavod”, të cilët morën pjesë në xhirimin e filmit “Skënderbeu”. Ata, sipas mikut të Petrit Dumes, u bënë banorët e parë të qendrës së Lazeretit. “Ideja” e një filmi tjetër, që nuk u realizua kurrë, e hedhur nga shefi i Shtatmadhorisë, solli aty edhe 30 kuaj të tjerë, që vit pas viti shumuan njëri-tjetrin…
Kuajt e parë i solli “Skënderbeu”

Ka ndodhur vërtetë kështu: Kuajt e famshëm për herë të parë i solli në Shqipëri Skënderbeu. U bë shkak filmi për heroin tonë kombëtar, të kishim edhe ne një dyzinë të tyre. Kjo ndodhi në kohën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. Ishte fillimi i viteve ‘50 kur kishin nisur xhirimet e filmit “Skënderbeu”, një prodhim ky shqiptaro-sovjetik. Regjisori nga Moska, pasi ishte bindur se kuajt e gjetur në rrethinat e Tiranës dhe Krujës nuk ishin të përshtatshëm për skenat e parashikuara, u interesua te autoritetet e Ambasadës për të importuar nga Bashkimi Sovjet një çift syresh. Pas procedurave të rastit, nuk vonoi dhe erdhën dy të tillë, përkatësisht Çarli, i racës “Alltekin”, një kryqëzim i racave gjakpastër arab me gjakthjeshtin anglez dhe “Panku” i famshëm i racës gjakpastër arab i linjës Ruso-Polake, të shoqëruar me “pasaporta” zyrtare që përmbanin me detaje të dhënat gjenealogjike të plotësuara në fermën e famshme “Tverskaja Konji Zavod” të Bashkimin Sovjetik. U bë shkak xhirimi i “Skënderbeut” që ata të “pasaportizoheshin” në Shqipëri, për të qenë të parët në llojin e tyre në fermën e mëvonshme të krijuar enkas për kuajt e racës. Diku më vonë, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Petrit Dumes, asokohe shef i Shtatmadhorisë, erdhën edhe 36 kuaj të tjerë.
Lazereti, ferma e gjeneral Dumes

Dy kuajt e parë që mbërritën në Shqipëri nga ferma e famshme “Tverskaja Konji Zavod” për xhirimet e filmit “Skënderbeu”, nuk u kthyen më në Bashkimin Sovjetik. I pasionuar pas tyre, Petrit Dumja, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, ndërhyri për të sjellë një sasi tjetër. Me arsyetimin për xhirimin e një filmi tjetër që nuk u realizua kurrë, shefi i Shtatmadhorisë bëri të mundur kompletimin e fermës së Lazeretit me 36 kuaj të tillë. Kështu, për herë të parë në Shqipëri u fut një sasi e konsiderueshme kuajsh të racës “Gjakpastër arab” dhe “Gjakthjeshti anglez”. Nga kryqëzimi i tyre në fermën e Lazeretit janë përftuar racat “Orlovi” shtatlartë dhe “Alltekini” i madh, tepër të kërkuar për vlerat e rralla, jo thjesht për hipizëm. Qyteza e ngritur enkas me përkujdesjen e veçantë të gjeneral Dumes, shumë shpejt mori pamjen e një qendre model për mbarështimin e kuajve dhe u bë e njohur në asetet e ushtrisë shqiptare.
Burreli, streha e parë e kuajve të racës
Me mbërritjen nga Bashkimi Sovjetik, tufa me 36 kuaj race u vendos në rrethinat e qytetit të Burreli. Për strehimin e tyre ishte përshtatur më parë aty një nga kazermat e vjetra, me kujdesin e drejtpërdrejtë të Petrit Dumes. Që me mbërritjen e tyre, u përballëm me vështirësi të panjohura. Së pari, kuajt e famshëm nuk e patën të lehtë përshtatjen me mikroklimën, pastaj mungesa e përvojës nga specialistët tanë për mbarështimin e tyre nuk do kalonte pa pasoja. Ende pa mbushur një muaj në Burrel, njëri nga tre hamshorët e racës arabe, me emrin “Kaprizi” “vdiq” pa lënë trashëgimtarë. Sidoqoftë, kjo nuk e demoralizoi stafin që kujdesej për tufën e tyre, t’i përkushtohej punës me të gjitha energjitë. Ende pa u transferuar prej aty, filloi edhe shumimi i tyre. I quajturi “Naklloni” me baba “Kapotin” dhe “Filantropi” i famshëm me baba “Pribojn”, prodhuan trashëgimtarët e parë. Që këtej nisi normaliteti i mbarështimit të kuajve të racës. Tashmë gjithçka u vendos mbi baza shkencore. Trashëgimia e tyre erdhi deri në ditët tona, dhe raca jo vetëm nuk u shua, por u shtua me breza të tërë.
Divorci me sovjetikët
Divorci me Bashkimin Sovjetik e gjeti fermën e Lazeretit në kulmin e shkëlqimit. Rrufetë e shkëmbyera midis Tiranës e Moskës i paraprinë një klime të rrezikshme për bijzën e “Tverskaja Konji Zavod” në Shqipëri. Ndërprerja e marrëdhënieve me Kremlinin, parakuptonte tërheqjen e të gjitha aseteve të dhuruara prej tij në emër të miqësisë, siç ishte edhe rasti i kuajve të racës, për të cilën pala shqiptare nuk kishte paguar asnjë qindarkë.
Qysh në ditët e para të përplasjes së madhe, pala sovjetike që e dinte më shumë se kushdo rëndësinë e ekzistencës së këtyre specieve të rralla në Shqipëri, bëri përpjekje për të realizuar riatdhesimin e tyre me çdo kusht. Autoritetet e Tiranës nga ana tjetër bënë ç’është e mundur për të ruajtur “Tverskaja Konji Zavod” e Lazeretit. Një strategji e veçantë për këtë u përpunua nga gjeneral Dume, i cili bashkë me përgjigjen për sovjetikët se kuajt kishin ngordhur, udhëhoqi operacionin e fshehtë për t’i transferuar ata në garnizonet e skajshme të ushtrisë. Mirëpo këmbëngulja e administratorëve të Moskës nuk rreshti. Sa zyrtarisht, aq edhe në rrugë agjenturore, ajo u orvat të binte në gjurmë të aseteve të veta, këtë radhë për të helmuar e shfarosur specien e rrallë që kishte sjellë dikur në Shqipëri. Gjithsesi, falë përkujdesjes së specialistëve e drejtueseve të Ushtrisë, “Tverskaja Konji Zavod” shqiptar nuk u shfaros. Në vjeshtën e vitit 1965, Lazereti u bë sërish streha e kuajve të rrallë…
Kalërimi i gjeneralit
Petrit Dume pothuajse ishte mysafir i përditshëm i fermës së Lazeretit. Prania e tij aty nuk kishte të bënte vetëm me interesimin për mbarëvajtjen e kuajve të racës së rrallë. Gjenerali kryesisht vinte për të kalëruar. Askush si ai nuk e kishte kaq të spikatur pasionin e kalërimit. Madje, për specialistët e fermës, njihej si mjeshtër i madh i hipizmit. Zotëronte në perfeksion teknikat e ecjes me kalë në terrene të ndryshme, komunikonte si rrallëkush me të dhe ushtrohej në rrethana të ndryshme si kalorës i sprovuar. Dume stërvitej me disa kuaj, gjithnjë sipas specifikave, detyrave dhe veçorive të terrenit. Gjatë ushtrimit stërvitor për kapërcim pengesash përdorte pelën “Nazhenka” dhe “Naukën”, të bijën e “Nakavales”. Në parakalimet ceremoniale preferonte kalin “Çarli” dhe pelën “Nakavalja”. Më për zemër kishte kalin “Nakllon”, me të cilin ushtrohej për daljet në terren ku studionte hapësirat e vendndodhjet për stërvitjet e planifikuara të Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave Speciale të Ushtrisë. Kalërimi për gjeneralin, sidomos vitet e fundit, ishte shndërruar në mani.
vijon nesër…
Reshit Shtëpani, mjeku i kuajve të rrallë
Miku i Petrit Dumes që ngiti fermën e Lazeretit
Në ditët e operacionit të Dimrit, kur Shtabi i Përgjithshëm, ndodhej në shtëpinë e Shtëpanëve të Shëngjergjit, Reshitit i qëlloi të kujdesej për kalin e Enver Hoxhës. Nga përjetimet e atyre ditëve, djaloshi partizan që më vonë u bë një nga veterinerët e shquar në vend, veçonte debatet e ndezura të Enverit me Abas Kupin për fatet e luftës. “Mbaj mend që asnjëri nuk ia lëshonte kalin tjetrit”, shkruan në kujtimet e veta Shtëpani, duke iu referuar përplasjeve që prodhuan ndarjen përfundimtare ndërmjet dy ish-liderëve të Shtabit të Përgjithshëm. “Kupi iku për mos t’u kthyer kurrë, ndërsa Enveri u largua pas disa ditësh”, shtonte ai pa harruar të përmendë përshtypjen që i kishte lënë kali i veçantë i këtij të fundit. Me vegimin e përplasjeve Hoxha-Kupi, Shtëpani mori rrugën e luftës, në fillim “partizan në çetën e Shëngjergjit dhe Brigadën e Pestë” dhe pastaj “komisar i kompanisë së sigurimit të Koopramatës së Trerë. Me gjithë karrierën e suksesshme në vitet e para të çlirimit, ku arrita deri shef i Katedrës Ushtarake në Ministrinë e Arsimit, nuk ndjehesha i plotësuar, shprehet ai, duke kujtuar fillimin e studimeve në Fakultetin e Veterinarisë në moshën 33-vjeçare. Që nga diplomimi në vitin 1960 e deri sa doli në pension, Shtëpani njihej si doktori i pazëvendësueshëm i spitalit të kuajve të Ushtrisë. Kujtimet e tij nga kjo periudhë në një farë mënyre janë edhe historiku i fermës së famshme të Lazeretit. Shtëpani ka hedhur në letër vitet e shkëlqimit të saj, por edhe mënyrën si u shkatërrua në mesin e viteve ‘70. “Kur Lazereti ishte në kulmin e përparimit, kujton ai, njerëz dashakeqë dhe persona me rivalitete të ndryshme, urdhëruan suprimimin e qendrës së prodhimit të kafshëve dhe kthimin e spitalit qendror veterinar në infermieri të garnizonit, me arsyetimin se ky institucion ishte i Petrit Dumes dhe Beqir Ballukut. Kjo marrëzi shkaktoi një dëm kolosal”. Shtapani shkruan se e ka brengosur sakaq shpërfillja e ministrit të Bujqësisë, i cili kundërshtoi ndërhyrjen e tij, për ta aneksuar këtë sektor në asetet e dikasterit të vet. Përfundimisht, kujton mjeku i njohur, kuajt u shpërndanë përdhunshëm në disa qendra të tjera, ndërsa raca arabe u transferua në fermën e Bisht-Pallës. Pikërisht ky operacion i pakuptimtë, përmbyll Shtëpani, i dha fund një herë e mirë Spitalit Qendror të Kuajve, për të ushqyer legjendën “Na ishte dikur Lazereti”. Bashkë me venitjen e yjeve të gjeneralëve të shpallur puçistë, u shua kështu paradoksalisht ferma e kuajve të famshëm. Sidoqoftë, në kujtesën e njeriut që kontribuoi si rrallëkush për të, nuk u fashitën kurrë konsideratat për stafin dhe mjekët e talentuar që shërbyen për vite në institucionin e mbarështimit të kuajve të racës. Mjaft syresh, si profesor Skënder Prifti, doktor Naim Vreto, mjeku Todi Lika, veterineri Llazi Pengo, laborantja Musadete Lika, mjeshtri Ali Ohri etj., ishin nga miqtë e nderuar të Shtëpanit
Lazereti i dikurshëm, “Tverskaja Konji Zavod” e Shqipërisë
Dikur Lazeretin e vogël të Tiranës e njësonin me emrin e madh “Tverskaja Konji Zavod”, fermës ruso-polake me famë botërore të kuajve të rrallë. Për vite me radhë, ish-qyteza italiane në periferi të kryeqytetit u bë e njohur për mbarështimin e tyre, ndërkohë që të tillë nuk kishin as vendet e fuqishme të globit. Historia nisi në vitin 1957, kur për herë të parë u akomoduan aty dy kuajt të rrallë që morën pjesë në xhirimet e filmit “Skënderbeu”. Në pak muaj, suitës së tyre iu shtuan edhe 36 syresh të racës “Gjakpastër Arab”. Pa mbushur një dekadë, qendra riprodhuese e Lazeretit, siç mori emrin më vonë, mundi të mbarështojë rreth 400 ekzemplarë. Dokumentet dhe dëshmitarët, meritën kryesore për “Tverskaja Konji Zavod”-in shqiptar ia dedikojnë Petrit Dumes, ish-kreut të shtatmadhorisë, i cili duke shfrytëzuar marrëdhëniet e miqësisë me ish-Bashkimin Sovjetik, krijoi fermën e kuajve të kërkuar për vlerat e rralla. Veç shkëlqimit, çuditërisht, me emrin e tij, është i lidhur dhe shkatërrimi i Lazeretit. Në kryqëzatën e shpallur ndaj gjeneralit të famshëm si puçist, u përfshi edhe kjo krijesë e tij, si pjesë e komplotit të fantazuar në mendjet e mbrapshta. Mjaftoi kaq dhe Qendra e Mbarështimit të Lazeretit u shkatërrua brenda ditës. Kuajt e racës të kultivuar aty, me shumë mund e sakrifica, u shfarosën në skajet më të largëta të vendit.Lazereti dhe Sergej Jutkjeviçi
Aty nga fundi i viteve ’50, bëhet e ditur në kujtimet e Reshit Shtëpanit, lindi ideja për ta pagëzuar fermën e Lazeretit me emrin e Sergej Jutkjeviç, regjisorit sovjetik të filmit “Skënderbeu”. Shtysë për këtë, kishte qene ndërhyrja e artistit të famshëm për të sjellë në vendin tonë dy kuaj të fermës “Tverskaja Konji Zavod” që morën pjesë në xhirimet e filmit “Skënderbeu”. Ata ishin edhe “dallëndyshet” e para të fermës shqiptare të kuajve të rrallë. Me krisjen e marrëdhënieve Tiranë-Moskë, shkruan Shtëpani, mori fund çdo përpjekje për ta pagëzuar Lazeretin me emrin e Sergej Jutkjeviç. Tanimë çdo gjë “Made in Rusia”, veç kuajve të racës, ishte shpallur e padëshirueshme.




AFRIM IMAJ
© Panorama.al












