
ELBASAN – Autobusi i aksidentit të delegatëve të Aleancës Kuqezi mbetet në greminë. Ishte parashikuar që mjeti që ra në greminë pasditen e së shtunës, duke plagosur lehtë të 35 pasagjerët e tij, të dilte në sipërfaqe për t’iu nënshtruar ekspertizës së detajuar. Shkak për këtë pengesë në procedurë mësohet se është bërë mungesa e mjetit të rëndë, tip fadromë, i cili në këtë rast duhet të paguhet nga shoferi Mit’hat Biçaku. Këtë fakt e bëjnë të ditur burime të grupit hetimor, sipas të cilëve detyrimi për pagesën e këtij veprimi i mbetet pronarit të mjetit, njëkohësisht dhe shoferit që drejtonte autobusin të shtunën. Vetë Biçaku ndodhet në paraburgimin e Policisë së Elbasanit, në pritje për të dalë në gjykatë, ku do të njihet me masën e sigurisë ndaj tij. Shoferi që kryen linjën e pasagjerëve Durrës-Librazhd dhe herë pas here çon anëtarët e forcave politike në tubime të ndryshme akuzohet se ka humbur kontrollin e mjetit ndërsa udhëtonte me delegatët e AK-së në aksin Tiranë-Elbasan, nëpërmjet Qafë-Kërrabës. Paraprakisht thuhet se si pasojë e humbjes së kontrollit të drejtimit, mjeti ka devijuar drejtimin e lëvizjes, e cila është pasuar me daljen nga korsia e rrugës, çka ka bërë që mjeti të përfundonte disa metra poshtë saj në shpatin e një kodre të pyllëzuar me qershi. Sipas burimeve të marra nga Prokuroria mësohet se “hetimet vazhdojnë dhe se është akoma herët për të dalë në një përfundim të saktë rreth këtij aksidenti”. Ata theksojnë faktin se nga dëshmitë e marra nga udhëtarët e autobusit, të gjithë ata japin të njëjtin version: atë të përplasjes nga një mjet tip “Land Rover”. Fakt ky, që sipas hetuesve është ende në verifikim e sipër. m.s











