Berisha: Gati rritja e rrogave dhe pensioneve

Jun 19, 2012 | 13:12

Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur dje se javën e ardhshme do të miratohet në qeveri rritja e rrogave dhe pensioneve. Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ai tha se kjo rritje vjen për shkak të reformave të kryera nga qeveria. “Rrogat nuk do të mund të rriteshin qoftë dhe një qindarkë, madje në kushte të njëjta me vendet e tjetra të rajonit dhe të Europës, ato do të duhej të uleshin në mënyrë të ndjeshme, pensionet nuk do të mund të rriteshin qoftë dhe një qindarkë, por do të duhej të praktikohej politika e ngrirjes së tyre, ose e uljes së tyre me 20 deri në 40%, ndihma ekonomike nuk do të ngrihej, por do të shkurtohej, në rast se ekonomia shqiptare, në rast se qeverisja, në rast se reformat nuk do të ishin një histori e vërtetë suksesi”, tha Berisha. Sipas tij, “kjo përbën një rritje të ndjeshme të fuqisë blerëse shqiptare të 820 mijë familjeve shqiptare, të cilat, nga data 15 korrik e në vazhdim, do të marrin më shumë se para datës 15 korrik. Shqiptarët janë fatlumë që këto vendime, këto akte madhore që prekin direkt jetën e tyre të përditshme, kursimet dhe mirëqenien e tyre, nuk mund të bllokohen”. Sipas vendimit të qeverisë pensionet në qytet do të rriten me 3.5%, ndërsa në fshat me 5%.

Rritja e pensioneve
Pensioni minimal qyteti
Është
11 117 (baza) + 2150 (subvencione) = 13 267
Bëhet (shtohet 3.5%)
11 506 (baza) + 2150 (subvencione)= 13 656
Shtesa 389 lekë/muaj

Pensioni maksimal qyteti
Është
22 234(bazë) + 500( subvencione) = 22 734
Bëhet (shtohet 3.5%)
23012(bazë) + 500( subvencione)  = 23512
Shtesa 778 lekë/muaj

Pensioni fshati
Është
7468 (bazë) + 890 (subvencion)= 8358
Bëhet (shtohet 5%)
7841(bazë) + 890 (subvencion = 8731
Shtesa 373 lekë/muaj

Batuta për kreun e komunës Xarrë
“Heroi i Edi Ramës, por njëkohësisht edhe miku im, Dhimo Kote, më tha në takimin e fundit se më parë eksportonte shalqi, ndërsa tani është shumëfishuar çdo gjë, pasi është ndërtuar rruga dhe transporti, i cili më parë i merrte shumë kohë, tani realizohet në një kohë rekord. Për 8 vjet, atij (Dhimos) nuk ia ndërtuan rrugën”, u shpreh Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura