Enxhi, Gjykata: Ja pse u pushua padia

Jun 11, 2012 | 13:41

TIRANE – Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin me të cilin vendosi pushimin e padisë së regjisorit Leonard Bombaj ndaj Enxhi Kamenicës, vajzës e cila u bë personazh publik pas pjesëmarrjes si e infiltruar në “Big Brother Albania 4”. Sipas vendimit të Gjykatës, nuk ka qenë një tërheqje e Bombajt, por mosparaqitja e tij në gjyq ajo që ka sjellë pushimin e padisë. Në vendimin e gjykatës thuhet se i dëmtuari akuzues Leonard Bombaj, më datë 26.01.2012 i është drejtuar gjykatës, me kërkesë penale me objekt: “Kërkoj gjykimin penal të shtetases Enxhi Kamenica për veprat penale të ‘fyerjes’ të kryer botërisht dhe “shpifjes” të kryer botërisht, bazuar në nenet 59 të K.Pr.Penale 119/2 e 120/2 të Kodit Penal. Pas zhvillimit të seancave të pajtimit sipas kërkesave te ligjit, gjykata ka vendosur kalimin e çështjes me nr.1162, datë 26.01.2012, në seancën gjyqësore për shkak të mos arritjes së pajtimit mes palëve. Në seancën gjyqësore të dt.30.05.2012, e caktuar për në orën 13:30, pas verifikimit të prezencës së palëve, gjykata konstatoi se nuk u paraqit pa shkaqe të arsyeshme i dëmtuari akuzues, Leonard Bombaj. Gjykata thotë se ai kishte marrë dijeni sipas ligjit, dhe pikërisht nga seanca gjyqësore e mëparshme e datës 15.05.2012, ku ai ishte prezent, mori dijeni edhe për datën e orën e zhvillimit të seancës së ardhshme gjyqësore. Në këto kushte, gjykata krijon bindjen që i dëmtuari akuzues Leonard Bombaj kishte dijeni rregullisht për datën dhe orën e gjykimit. Për shkak të mosparaqitjes së tij, çështja është pushuar. Bombaj kërkoi dënim financiar e ndjekje penale për Enxhi Kamenicën lidhur me deklaratat e saj në emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit.

© Panorama.al

Te lidhura