
TIRANE- Ish lideri socialist, Fatos Nano, nepermjet nje deklarate leshuar nga Lëvizja e tij, i ka bërë thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe grupit parlamentarë të PS-së që ta mbështesin atë në kandidimin për Presidenti, sipas tij, për t’i dhënë sëbashku zgjidhje ngërçit politik në Shqipëri.
Nëpërmjet një komunikatë për shtyp, Lëvizja Nano për Presidenti, i bën thirrje gjithashtu edhe kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të LSI-se, Ilir Meta që së bashku të vazhdojnë bashkëpunimin dhe japin zgjidhje prej shtetarësh duke mos cënuar ekuilibrat dhe duke mos dëmtuar asnjë aktor apo faktor politik në Shqipëri.
“Fatos Nano do të tërhiqet nga gara vetëm në momentin kur rebusi dhe ngërçi i zgjedhjes së Presidentit do të marë fund. Fatos Nano është zgjidhësi i krizës dhe i ngërçit, e si i tillë do të vazhdojë të qëndrojë i vetëofruar para Partisë Socialiste, Deputetëve Socialiste, Kryetarëve të Partive Parlamentare, Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, publikut shqiptar, sepse vetëofrimi i tij është për të shërbyer e kontribuar me përkushtim e mirëbesim për zgjidhje konfliktesh, e jo shtim konfliktesh të cilat po vrasin të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shpresën e të gjithë shqiptarëve.”- thuhet ne deklaratën e Nanos.
Nano gjithashtu ka përshëndetur aktin e përgjegjshëm dhe atdhetar prej dinjitari shtetëror të zotit Xhezair Zaganjori për tërheqjen nga kandidimi i propozuar për detyrën e Presidentit të Republikës.
Nano ka përsëritur edhe njëhere, thirrjen për Edi Ramën që të mos i shmanget garës dhe përfaqësimit, por së bashku ta bëjmë vendin të jetë krenar për historinë e Partisë Socialiste dhe të ardhmen e saj
© Panorama.al











