Adriatik Coli dërgohet në gjyq për dy vrasje

Jun 8, 2012 | 14:51
Adriatik Coli

Adriatik Coli, i penduari dhe bashkëpunëtori i Drejtësisë te “banda e Durrësit”, vihet sërish nën akuzë nga Prokuroria për Krimet e Rënda, tashmë për dy vrasje. Coli, dëshmia e të cilit fundosi të akuzuarit si anëtarë të “bandës”, është dërguar si i pandehur në Gjykatë për akuzën e “vrasjes” dhe të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”. Burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda bënë të ditur se Coli akuzohet për dy episode kriminale të shënuara në periudhën korrik-shtator 2000 në qytetin e Durrësit. Dosja hetimore është “kopsitur” nga prokurori Anton Martini. Hetimet ndaj Colit nisën pas mbarimit të deklarimeve të tij për llogari të gjykimit të “bandës”, përpara Gjykatës për Krimet e Rënda. Dosja në ngarkim të Adriatik Colit është regjistruar pak ditë më parë në Gjykatën për Krimet e Rënda. Kjo dosje do të shqyrtohet nga një pesëshe gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Liljana Baku.
VRASJET
Burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda sqaruan se viktimat e episodeve kriminale janë Enver Petku nga Kukësi dhe Ali Kërtusha nga Durrësi. Ngjarja për të cilën Colit i është faturuar pengmarrja dhe “vrasja”, është ajo e vrasjes së Enver Petkut. Ekzekutimi i tij është bërë pas ndarjes në dy fraksione të “bandës së Durrësit”. Qëndrimi i Petkut në të njëjtin vend ku kalonin pjesëtarët e njërit fraksion, ka krijuar dyshime tek ta. Ata kanë dyshuar se Petku ishte porositur nga pjesëtarët e fraksionit kundërshtar për t’u survejuar lëvizjet. Nga këto dyshime, Petku është rrëmbyer dhe është mbajtur peng për dy ditë rresht në ambientet e një ish-uzine në Durrës. Gjatë kësaj kohe ai është rrahur dhe torturuar. Më pas ai është vrarë dhe trupi i tij është gjetur në një kanal.
Referuar hetimeve të kryera nga Prokuroria, Ali Kërtusha është vrarë nga ana e Adriatik Colit te dera e shtëpisë së tij në Durrës. Sipas deklarimeve të dhëna nga vetë Coli, te Kërtusha anëtarë të “bandës” blinin armatime. Ka qenë pikërisht kjo veprimtari e Kërtushës, ajo për të cilën ai edhe është ekzekutuar më pas. Të dhënat nga hetimi pohojnë se pas vrasjes së Klodian Saliut, anëtarë të “bandës së Durrësit” kishin krijuar dyshime se Kërtusha po furnizonte me armatim grupimin rival të tyre, atë të drejtuar nga Marsel Sotiri. Ekzekutimi i Kërtushës është bërë në pragun e shtëpisë së tij, me një armë zjarri automatike. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se për të njëjtat ngjarje janë ende në hetim disa nga të pandehurit e tjerë të “bandës së Durrësit”. Në janar të vitit 2012, Gjykata për Krimet e Rënda shpalli vendimin përfundimtar në ngarkim të pesëmbëdhjetë të akuzuarve të “bandës”, duke vendosur katër burgime të përjetshme dhe një total prej 235 vitesh burg.

Coli u dënua një herë
I penduari i “bandës së Durrësit”, Adriatik Coli, është fajësuar edhe në procesin e parë ndaj anëtarëve të këtij grupimi kriminal. Në përfundim të procesit, ai u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Por për shkak të statusit të të penduarit dhe bashkëpunëtorit të Drejtësisë, dënimi i tij përfundimtar shkoi në 10 vjet burg. Sipas marrëveshjes paraprake që ishte bërë mes Colit dhe Prokurorisë, ai pësoi ulje dënimi.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura