Vëllezërit përleshen me armë, plagoset emigranti

Jun 8, 2012 | 13:16
Vendi ku ndodhi plagosja

Një konflikt për ndarjen e pesë apartamenteve, si kompensim për pronën ku ishte ndërtuar një pallat, është bërë shkak i një konflikti të ashpër mes dy vëlle-zërve, njëri prej të cilëve është plagosur me armë zjarri. Vëllai 34 vjeç plagosi me dy plumba vëllain e tij më të madh, pas një mosmarrëveshjeje për ndarjen e barabartë të hyrjeve të banimit, konflikt që kishte nisur prej rreth një viti. Ngjarja ndodhi në zonën e Yzberishtit, tek blloku i pallateve “Çabej” në Tiranë. Burime nga Policia thanë se ka mbetur i plagosur Arben Vrapi, 50 vjeç, me dy plumba në kofshë, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, që është i vëllai, Kliton Vrapi, është arrestuar disa orë pas ngjarjes. Gjithçka ka ndodhur pas një debati të ashpër pranë banesës së të dëmtuarit dhe policia është njoftuar nga bashkëshortja e tij. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr.6, si dhe oficerët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Ndërsa autori i dyshuar kishte arritur të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me pistoletën. I plagosuri u dërgua në Spitalin Ushtarak dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe heqjes së dy plumbave në kofshë, mësohet se e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa disa orë pas ngjarjes është arrestuar vëllai i tij, i dyshuar për plagosjen, i cili është kapur në afërsi të rrugës “Misto Mame”, në Tiranë.
KONFLIKTI I VELLEZERVE
Dy vëllezërit, Arben dhe Kliton Vrapi, 50 e 34 vjeç, të cilët kanë në pronësi truallin ku është nderuar një pallat në Yzberisht të kryeqytetit, kishin rënë dakord disa vite më parë me ndërtuesit që për të lejuar ndërtimin e godinës së banimit, të kompensoheshin me apartamente. Veç hapësirave të tjera të përfituara nga pallati, tashmë i përfunduar, vëllezërve u kishin kaluar në pronësi edhe pesë apartamente banimi. Pikërisht për këto apartamente ka nisur edhe konflikti mes dy vëllezërve, pasi nuk gjenin një rrugë për ndarjen e tyre në mënyrë të barabartë. Ndërsa vëllai i tretë i tyre nuk ka pasur pretendime në lidhje me pjesën që është kompensuar. Për shkak se vëllai i madh, Arben Vrapi, jetonte në Gjermani prej disa vitesh, bashkë me familje, me ndarjen e pronësisë është marrë vëllai tjetër, Kliton Vrapi, i cili tashmë është arrestuar. Por, kur i dëmtuari është kthyer nga Gjermania disa ditë më parë, ka nisur sërish konflikti mes tij dhe të vëllait, konflikt që ka përfunduar deri në shkrepje armësh. “Arrestimi i Kliton Vrapit u krye sepse pranë pallateve ‘Çabej’, ka plagosur me pistoletë për konflikte pronësie vëllain e tij, shtetasin Arben Vrapi”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës.

Kukës
Konflikti i pronësisë për një gardh u bë shkak pak ditë më parë për një tjetër konflikt mes vëllezërve, mosmarrëveshje e cila përfundoi në rrethana tragjike. Një 70-vjeçar vrau vëllain e tij në një fshat të Kukësit pas një mosmarrëveshjeje që ata patën në lidhje me një gardh ndarës mes dy shtëpive. Si pasojë e mosgjetjes së një marrëveshjeje për këtë gardh, i moshuari vrau vëllain e tij dhe pas krimit u arrestua nga policia.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura