Festivali i hip-hopit, turne në Shqipëri

Jun 6, 2012 | 15:04

Qyteti i kitarave dhe serenatave do të përjetojë sot një mbrëmje krejt ndryshe. Qetësinë e qytetit juglindor do ta prishin sot këngëtarë e kërcimtarë, të cilët prezantojnë një tjetër kulturë, që tashmë po përqafohet gjerësisht edhe nga të rinjtë shqiptarë. Përgjatë katër ditësh, Ambasada e Francës, aleancat franceze në Shqipëri, si dhe partnerët e tyre, organizojnë një Festival hip hop-i dhe kulturash urbane, i cili do të mbahet në qytetet Korçë, Elbasan, Shkodër dhe Tiranë. Për herë të parë në këtë Festival do të përfaqësohen të gjitha zhanret e kësaj “kulture urbane”: dy DJ, një beat boxer, dy grupe kërcimi francezë dhe shqiptarë, repisti Big Basta si dhe një grafist, të cilët do të shpalosin talentin e tyre përballë një publiku shqiptar që pret me padurim të zbulojë këtë performancë stili ndryshe nga ai në televizion. Turneu do të hapë siparin sot në qytetin e Korçës, ku artistët do të performojnë në parkun “Rinia” duke filluar nga ora 18:30, nesër është radha e qytetit të Elbasanit, i cili do të presë festivalin e hip hop-it në sheshin “Gensher” në orën 18:30. Turneu do të mbyllet me qytetet e Shkodrës më 8 qershor (Shatërvani i Pedonales, ora 19:30) dhe të Tiranës, të shtunën më 9 qershor në “Tirana Ekspres”, duke filluar nga ora 22:00. Aktiviteti do të jetë i hapur, duke u krijuar mundësinë të gjithëve për ta ndjekur atë.

© Panorama.al

Te lidhura