Arrest shtëpie ish-gruas së Mirit të Xhikes

Jun 1, 2012 | 14:08
Manjola Prifti, ish-bashkëshortja e Mirit të Xhikes

TIRANE – Gjykata e kryeqytetit caktoi dje masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Manjola Priftin, ish-bashkëshorten e biznesmenit të ekzekutuar në mars 2003, Fatmir Rama, i njohur edhe si Miri i Xhikes. Prifti do të qëndrojë në këtë masë sigurie me qëllim ekstradimin e saj drejt Italisë. Seanca e caktimit të masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura. Përveç konfirmimit të gjeneraliteteve, e arrestuara Prifti nuk ka dhënë asnjë shpjegim tjetër para gjykatës. Burime brenda seancës bënë të ditur se masa e “arrestit shtëpiak” u kërkua nga prokurori. Përfaqësuesi i akuzës ka paraqitur si provë para gjykatës kërkesën e palës italiane për arrestimin e Manjola Priftit, për llogari të Drejtësisë së këtij vendi. Vendimi italian i formës së prerë, sipas të cilit Prifti është dënuar me 11 vjet burg, nuk zotërohet ende nga Prokuroria. Nga ana e tij, mbrojtësi ligjor i të arrestuarës, avokati Arben Prifti, ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjyqtari i gatshëm, Altin Abdiu, pranoi kërkesën e Prokurorisë për akuzat e “trafikut të narkotikeve” dhe “organizim e drejtim të organizatave kriminale me qëllim trafikun e paligjshëm të narkotikëve”. Manjola Prifti u arrestua më 29 maj në Tiranë, në zbatim të një kërkese të Interpol Romës drejtuar autoriteteve shqiptare. Ajo dyshohet të jetë përfshirë në veprimtari kriminale në vitet 1996-1998 në Itali. Mësohet se në vitin 1998 ajo ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” në Itali dhe se më pas nuk ka pasur dijeni mbi vijimësinë e “hesapeve” të saj me Drejtësinë. Para se Gjykata të urdhëronte largimin e publikut, Manjola Prifti u shfaq në kafazin e sallës së gjyqit. E veshur fund e krye me të zeza, ajo qëndroi mes dy punonjësve të policisë së togës së shoqërimit. Në vijim, ajo u çua në këmbë për të konfirmuar para trupit gjykues gjeneralitetet e saj. Ndonëse prej disa vitesh ushtron detyrën e avokates, Prifti zgjodhi të përfaqësohej me një avokat. Burime brenda Gjykatës sqaruan se përveç konfirmimit të gjeneraliteteve, Manjola Prifti nuk artikuloi më para gjykatësit Abdiu. Pretendimet e saj u paraqitën nga avokati mbrojtës. Sipas burimeve, kërkesa e mbrojtësit për masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” është argumentuar me faktin se e arrestuara ka një fëmijë të mitur 4 vjeç dhe se nuk paraqet rrezikshmëri. Po sipas burimeve, avokati ka shprehur habi se përse nga ana e autoriteteve italiane gjyqi i klientes së tij është bërë në mungesë. Sipas avokatit, autoritetet italiane nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë tek autoritetet shqiptare në kohën e gjykimit. Gjatë largimit nga godina e Gjykatës, Manjola Prifti mbuloi kokën dhe pjesërisht fytyrën me një xhup të zi, për t’i shpëtuar objektivëve të kamerave dhe aparateve fotografikë.

Dënimi në mungesë në Itali
Manjola Prifti është dënuar me 11 vjet burg në mungesë për krim të organizuar në bashkëpunim, pastrim të produkteve të veprës penale dhe trafik droge. Në mungesë të saj, procesi në Itali ka zgjatur për disa vjet. Manjola Prifti dhe bashkëshorti i saj u hetuan nga Drejtësia italiane që prej vitit 2000 e në vazhdim. Në vitin 2001, Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes, i shpëtoi një aksioni për arrestimin e tij në Itali. Dosja penale ndaj tij u transferua në Shqipëri në vitin 2003, por vetëm pak kohë më pas, personazhi i shumëpërfolur u vra nga breshëritë e kallashnikovit që u derdhën mbi tavolinën ku ai po darkonte me disa miq në kompleksin “Kartodrom 2000”, në periferi të Tiranës. Sipas akuzës italiane, Manjola Prifti ka bashkëpunuar me të shoqin në trafiqe.

© Panorama.al

Te lidhura