Dalara: Dalja e Greqisë nga eurozona, 1 trilion euro

May 28, 2012 | 14:25

Çarls Dalara, kreu i Institutit Ndërkombëtar Financiar

Pesë sondazhet: Fiton Demokracia e Re, formon shumicë me PASOK.

Kostoja e daljes së Greqisë nga eurozona mund t’i kalojë një trilion euro, sipas llogarive të Institutit Ndërkombëtar të Financave (INF).
Drejtori menaxhues i këtij grupi me bazë në Uashington, Çarls Dalara, tha në një intervistë në Romë se “Ata që mendojnë se Europa dhe për më tepër ekonomia globale janë të përgatitur për daljen e Greqisë nga eurozona, duhet ta mendojnë edhe një herë”. Sipas tij, ekspozimi i Bankës Qendrore Europiane ndaj detyrimeve greke është më shumë se dyfishi i kapitalit të BQE-së”, tha Dalara, i cili ka përfaqësuar bankat në negociatat e tyre me qeverinë greke për ristrukturimin e borxhit (qethjen e mbi 50 për qind të tij). Si rezultat, ai ka parashikuar se banka nuk do të mundej të stabilizonte sektorin financiar të eurozonës. “BQE do të shkrihej dhe Europa kryesisht duhej të rikapitalizonte bankat e saj qendrore”, shtoi ai. Presidenti i BE-së, Herman van Rompuj, tha se planifikimi i daljes së Greqisë nga eurozona “nuk është prioritet”, ndërsa ekonomistja e “Morgan Stanley”, Elga Bartsh, tha se shanset e daljes së Greqisë nga eurogrupi janë 1 në 3.
“Ngjitja”
Në muajin shkurt, INF vlerësoi se detyrimet e Greqisë në rast se ajo dilte nga eurozona, mund të ishin dëmtuese.
Spanja, Italia, Irlanda e Portugalia “mbeten të cenueshme nga ndryshimet e tregut, ndërsa kriza e borxhit sovran vazhdon”, u shpreh Dalara. Ai u kërkoi politikëbërësve të kujtonin valën shokuese që u shkaktua nga falimentimi i “Lehman Brothers Holding Inc.” dhe “sëmundjen ngjitëse”, që në fakt mund të sillte një shkatërrim financiar të përmasave të mëdha.
Shuma shtesë
Kreu i INF tha se për Greqinë, e cila ka hyrë në vitin e saj të pestë të recesionit, mund të jetë më efektiv ofrimi i më shumë parave për ta ndihmuar atë të rimëkëmbë ekonominë. Sepse “ekonomia greke ka rrëshqitur kaq shpejt poshtë, sa do t’i duhet më shumë kohë për të arritur synimet që ka për buxhetin dhe ripagimin e huave ndërkombëtare. Ekonomisë greke mund t’i duhen edhe 10 miliardë euro të tjera për ta ndihmuar të zhvillohet dhe këto janë shuma tejet modeste, krahasuar me atë që ndodhet tashmë në tryezë”, tha Dalara, citon “Bloomberg”. Sipas tij, eurozona do të ketë nevojë të adresojë krisjet themelore strukturore të një monedhe të përbashkët, duke i lejuar qeveritë kombëtare të kontrollojnë politikën fiskale. Dalara tha se Gjermania duhet të eliminojë kundërshtimin e saj për eurobonot dhe të lëvizë drejt një politike unifikimi fiskal.
Sondazhet
Sipas sondazheve të fundit në Greqi, partia e parë që do të udhëheqë në zgjedhjet e 17 qershorit do të jetë sërish Demokracia e Re dhe jo Syriza. Edhe pse me një diferencë të vogël, Antonis Samaras do të ketë i pari të drejtën për të formuar qeverinë e re greke. Dhe bashkë me socialistët e PASOK, të cilët gjithashtu janë mbështetës të memorandumit europian për masat e kursimit, ata do të arrijnë një shumicë në Parlament prej 11 deri në 16 vendesh. Pesë sondazhe të publikuara gjatë fundjavës treguan se Demokracia e Re do të jetë para Syriza-s nga 0.5 në 5.7 pikë në zgjedhjet. Demokracia e Re do të marrë nga 25.6 për qind në 27.7 për qind sipas sondazheve nga “Eleftheros Typos/Pulse”, “Proto Thema/Alco”, “Real News/MRB”, “To Vima/Kapa” dhe “Ethnos/MARC”. Mbështetja për Syriza ishte nga 20.1 në 26 për qind. Sondazhet nuk marrin parasysh votuesit e pavendosur dhe ata që kanë refuzuar të tregojnë se për kë do të votojnë.

Legarde
Drejtoresha e FMN-së, Kristine Legarde, ka nxjerrë një deklaratë ku qartëson pozicionin e saj për popullin grek pas keqinterpretimeve të disa komenteve të saj në “Facebook”. Legarde shprehu simpati për grekët “dhe sfidat me të cilat ata po përballen” dhe sqaroi se komentet e saj mbi evazionin e taksave nuk i referoheshin të “privilegjuarve”. Legarde ishte shprehur më parë në “The Guardian” se i vjen më shumë keq për fëmijët në fshatrat e Nigerisë, sesa për popullin grek që e ka pësuar pasi preferon evazionin fiskal.

© Panorama.al

Te lidhura