Incidenti në Sukth,1 në pranga, 3 hetohen të lirë

Apr 19, 2011 | 10:10

DURRËS- Një person është arrestuar dhe tre të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë, të akuzuar për incidentin e djeshëm në Sukth. Sipas policisë së Durrësit, në pranga është vënë shtetasi Albert Bakihoxha, 30 vjeç. Ai është ndaluar sot me akuzën e armëmbajtjes pa leje, shkatërrimit të pronës dhe prishjes së qetësisë publike.

Gjithcka nisi pasditen e djeshme në Sukth, kur rivendosja e flamurëve të PS-së në bashkinë e Sukthit degjeneroi në dhunë e breshëri armësh. Dy persona, të cilët përcaktohen si mbështetës socialistë, mbetën të lënduar pas përleshjes për vendet e flamurëve. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:20, në vendin e quajtur “Fusha sportive”, në Sukth të Durrësit, ndërsa anëtarë të shtabit elektoral të kandidatit socialist Selami Xhelili kanë qenë duke vendosur flamurët e hequr pak ditë më parë.

Nga dëshmitarë në vendin e ngjarjes mësojmë se ka pasur edhe të shtëna armësh kallashnikovë nga një grup të rinjsh, të cilët për rreth 20 minuta kanë terrorizuar të gjithë zonën. Sipas të dhënave të policisë, mbështetësit e PS-së dhe të PD-së janë përplasur me grushte me njëri-tjetrin, ndërsa mësohet se janë shoqëruar në polici 4 persona për të dhënë detaje mbi ngjarjen.

Gjatë këtij konflikti kanë mbetur të plagosur dy prej simpatizantëve socialistë, Sokol Bardhi dhe Petrit Balla, të cilët kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Shijakut, për dëmtimet e marra (hematoma në fytyrë), për të vijuar më pas me kallëzimet në polici.

 

© Panorama.al

Te lidhura