Merita Bozo: Jetimja e braktisur nga babai ish-bllokmen

May 21, 2012 | 15:29
Merita Bozo dalë në pragun e “shtëpisë”

Historia e një zonje sot 42-vjeçare, nga shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” te diploma e laborantes. Si “pjellë” e një dashurie ilegale në vitet 1960, mes nënës së saj dhe një zotërie që ajo pretendon se ka pasur post të rëndësishëm ministror në qeverinë e Enver Hoxhës, Merita Bozo u mohua gjithë jetën nga prindërit biologjikë. Sot, më 20 maj, Ditën Kombëtare të Jetimëve në Shqipëri, Merita rrëfen jetën e saj dhe, bashkë me të, një mesazh të qenësishëm e gjithëpërfshirës për targetin shoqëror në të cilin ajo bën pjesë.

Vetëm shtëpi nuk mund të quhej ajo e saja! Një zgëq i futur, diku pranë spitalit “Nënë Tereza”, ku era e lagështirës dhe e mykut të shpojnë hundët sapo hyn në atë ambient. Tavani prej kompensate i rrëzuar, dritaret e rrethuara me hekura, sa për një moment mund të të duket vetja si në burg dhe hartat e ujit që dallojnë nëpër mure, e bëjnë tërësisht të pabanueshme dhe jashtë çdo kushti normal jetesën e një individi aty. Tri herë e kanë përzënë dhe kërcënuar gjatë vitit 1997 për ta nxjerrë prej aty, por Perëndia e ka ruajtur. Ja që Merita Bozo në çdo kohë ka pranuar fatin, ashtu siç ka vepruar që në krye të herës, kur mësoi të vërtetat therëse të jetës së saj. E vetme, e rritur pa përkrahjen dhe dashurinë prindërore, e mohuar dhe e përbuzur nga shoqëria paragjykuese, vetëm se ajo ishte pjellë e një dashurie ilegale, për 42-vjeçaren jeta nuk mund të ishte e lehtë. Por, Merita nuk di të qahet sepse është e vetëdijshme se asgjë nuk mund t’ia ndryshojë rrjedhën e fatit. Të paktën, në të vetmen ditë kalendarike që u dedikohet jetimëve, për të ka ende shpresë…
Nga shtëpia e fëmijës “8 Nëntori” tek diploma e laborantes
Kur ishte fëmijë, nëse dikush e pyeste për emrat e prindërve, ajo ulte kokën poshtë, dhe shikimi i saj puthte dyshemenë… Nëse të tjerë përmes pyetjeve kureshtare donin të mësonin se ku e kishte shtëpinë, ajo gëlltiste lotët e mbledhur në grykë dhe sakaq bëhej grusht për t’u strukur në një cep të bankës. Mamaja e saj nuk ka qenë asnjëherë aty pranë për të dëgjuar të qarën e parë, për t’i mësuar hapat e parë, për të ndier përqafimin e ngrohtë prindëror… Sa momente të tjera, të ngjashme me këto i kanë kujtuar të kaluarën, pikërisht atë pjesë të jetës pasojat e së cilës ajo ende i vuan sot, në moshën 42-vjeçare. Për vite me radhë, edhe vetë Merita Bozo nuk kishte një përgjigje për origjinën, rrënjët familjare, prindërit. Një ekuacion me shumë të panjohura, zgjidhjen e të cilit ajo preferoi ta jepte vetë, sipas mënyrës së saj, pa breje ndërgjegjeje. “Sa herë që sjell ndërmend fëmijërinë, më kujtohen tetë vitet e kaluara në shtëpinë e fëmijës, “8 Nëntori”, sot “Zyber Hallulli”. Mbaj mend që luaja me fëmijët e tjerë, me të cilët më bashkonte i njëjti fat, por momentet më të paharruara kanë qenë ditët kur na dërgonin në plazh, apo dyjavëshi i mezipritur në raste

Merita Bozo

festash të fundvitit, ku ne fëmijët jetimë qëndronim për dy javë në Pallatin e Brigadave. Na jepnin dhurata, gatime të shijshme, veshje. Për mua këto kanë qenë momentet më të paharruara të fëmijërisë”, thotë ajo. Kryesisht në ditë të caktuara apo festa kombëtare, kur bashkëmoshatarët e tjerë në shkollë gëzonin për dhuratat që prindërit u kishin blerë, Merita ndihej e mënjanuar. Do të ndihej edhe më e vetmuar në moshën e gjimnazit, kur naiviteti fëmijëor ia lë vendin ndërgjegjes së plotë. Këtu ajo do të kuptonte se të qenët pa prindër dhe pa asnjë përkrahje do ia vështirësonte edhe më situatat, jetën. “Gjatë ndjekjes së Shkollës së mesme Teknologjike e kuptova që isha pa prindër. Duhet të zgjidhja një drejtim të jetës, që sigurisht të më përshtatej mua. Zgjidhja e vetme ishte arsimimi dhe përftimi i një profesioni. Vetëm kështu mund t’ia dilja mbanë. Ndonëse pa shtëpi, të paktën një rrogë mund të m’i lehtësonte disi problemet. Pas përfundimit të shkollës së mesme, vazhdova tri vite studime të larta në Fakultetin e Infermierisë për laborante, dhe prej 22 vitesh punoj në këtë profil pune në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, ose ndryshe Senatoriumi i Tiranës. Personeli i punës, kolegët dhe të gjithë në punë më përkrahin e më duan shumë”, thotë Bozo.
Dashuria ilegale dhe damka e përjetshme
Gjatë shumë mbrëmjeve, gjumi i saj është trazuar… Të paktën deri ditën kur mësoi të vërtetën e jetës, të mungesës së gjatë prindërore, shpeshherë të pajustifikuar. Dhe kjo ka ndodhur vetëm tri vite më parë. “Kur drejtohesha në ndonjë institucion bashkie për të marrë certifikatë, figuroja vetëm e lindur në Tiranë, por në cilin maternitet isha regjistruar, kjo nuk është gjetur ende. Asnjëherë nuk jam mbushur me frymë, deri ditën kur mësova faktin se kisha lindur nga dashuria e nënës sime, me një burrë të martuar, me tri fëmijë. Një ditë, herët në mëngjes, një person i panjohur më kërkon në punë. Më thotë se ishte djali i tezes sime që jetonte jashtë shtetit, por që për shumë kohë më kish kërkuar. Biseduam gjatë për shumë ngjarje e të vërteta të jetës sime. Kam qarë shumë, kur mes të tjerash mësova se isha pjellë e dashurisë ilegale të dy individëve… Dhe për më tepër, kur më thanë që im atë kish qenë njeri me pozitë në kohën e diktaturës, një ish-ministër i Arsimit dhe Kulturës. Prindërit më kanë mohuar gjithë jetën, nuk më kanë kërkuar për asnjë ditë të vetme. “Dhe gjithçka për mua ishte si një grusht i fuqishëm që godet në stomak”, thekson Merita. Pasi mësoi këto detaje, këmba e saj nuk reshti së kërkuari prindërit, familjen aq shumë të munguar. Më vonë ajo mori vesh se e ëma quhej Eleni Bozo, mësuese në qytetin e Vlorës. “Mamaja kishte qëndruar pesë vite në Kinë për një specializim në matematikë dhe aty ishte njohur me personin me pushtet. Nuk e fajësoj, sepse ajo dashuroi një njeri, që me sa duket nuk i kishte treguar që ishte baba i tri fëmijëve. Nga dashuria e tyre linda unë, por të ishe një fëmijë ilegal në vitet 1960 ishte kërcënim madhor jo vetëm për familjen, por edhe mbarë shoqërinë. Disa njerëz me të cilët jeta më ka përballur, nuk janë kapërdirë kur më kanë quajtur edhe “kopile”, por unë e kam kthyer dhimbjen në forcë, sepse të gjithë pasojat i kam kaluar në lëkurë. Sot jam 42 vjeçe, pa një shtëpi timen, e braktisur, pa një bashkëshort dhe një familje, mungesën e së cilës e kam ndier gjithë jetën”, përfundon Merita Bozo.

20 Maji, Dita Kombëtare e Jetimëve në Shqipëri
Ishte ideja dhe nisma institucionale e Institutit të Integrimit Kombëtar të Jetimëve Shqiptarë dhe Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë, që i dha emër 20 Majit duke e quajtur Ditën kombëtare të jetimëve në vendin tonë. Por, kjo zgjedhje nuk ishte edhe aq e rastësishme.
Ajo lidhet drejtpërdrejt me historinë tragjike të Xhuliana Lulit, një vajze jetime e rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. E braktisur nga dy prindërit që e lindën, jeta e saj papritur u këput në mes. Atë pasdite maji, Xhuliana pasi mbaroi orët e mësimit u nda nga shokët, me të cilët jetonte në jetimore dhe u ngjit në majën e një pishe për të këputur bohçet e pjekura nga pema. Nga 9 metra lartësi, dega që e mbante thyhet dhe ajo shembet me kokë në asfalt. Vajza e mitur nuk i shpëtoi dot vdekjes, edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe pikërisht në reanimacion zemra e saj pushoi së rrahuri… Nisur nga kjo histori tragjike njerëzore, 20 Maji u vendos të ishte Dita kombëtare e jetimëve në Shqipëri. Por, përpos domethënies së kësaj date, shifrat që pasqyrojnë numrin e jetimëve në vendin tonë janë edhe më të frikshme. Sipas Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve në vendin tonë, dhe drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Ilir Çumani, Shqipëria numëron nga shifrat zyrtare 31.000 fëmijë jetimë, nga të cilët 400 fëmijë janë të identifikuar si të tillë për shkak të kauzës së gjakmarrjes, ndërsa 530 fëmijë të tjerë kanë mbetur jetimë për shkak të policëve të vrarë në krye të detyrës. 20 Maji nuk është konceptuar aspak si një ditë festë, por si protestë kundër legjislacionit dhe mënyrës së trajtimit që shteti shqiptar i bën kësaj kategorie shoqërore, të harruar dhe shpeshherë në nevoja emergjente për t’u përmbushur.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura